Albulena Haxhiu tregon planet e Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Politika

Albulena Haxhiu tregon planet e Vetëvendosjes për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 30 maj 2018 Në ora: 07:59
Albulena Haxhiu, foto: Bota sot

Lëvizja Vetëvendosje është ndër partitë opozitare me të zëshmet për të kundërshtuar vendime dhe projektet të cilat i vlerësojnë si të dëmshme për Republikën e Kosovës. Kësaj radhe, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke qenë në anën e opozitës vazhdimisht po kërkon rrëzimin e qeverisë aktuale të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Po ashtu, edhe Vetëvendosja po e mbështetë këtë iniciativë të LDK-së, duke kërkuar me çdo kusht rrëzimin e kësaj qeverie.

Deri më tani, janë organizuar disa tryeza me përfaqësues të partive politike për të diskutuar rreth çështjeve dhe gjendjes aktuale në vend. Megjithatë, deri më tani partitë politike nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje të përbashkët.

Haxhiu përmend hapat për rrëzimin e Qeverisë

Derisa LDK-ja do të vazhdojë të kërkojë rrëzimin e kësaj qeverie përmes tryezave partiake, Vetëvendosja do të veprojë në forma të ndryshme.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu përmend disa hapa që Vetëvendosja mendon t’i realizojë në ditët ne vazhdim, mirëpo thotë se ende nuk kanë vendosur nëse do të organizojnë edhe protesta.

“Jemi pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj pikërisht për shkak të dështimeve të vazhdueshme, të dëmshme por edhe të paligjshme të cilat i ka bërë Qeveria Haradinaj. Është e rëndësishme që kryeministri Haradinaj të japë dorëheqje, por në qoftë se i njëjti refuzon të bëjë diçka të tillë, atëherë ne kemi kërkuar mosbesim të kësaj qeverie, që i bie kjo qeveri duhet të testojë veten në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh që është një koalicion i pakicës, pra qeveri e pakicës dhe ne nuk mund të vazhdojmë ndryshe”, thotë Haxhiu për “Bota sot”.

Haxhiu thotë se qeveria aktuale duhet ta dëshmojë se a ka legjitimitet, pasi si e tillë nuk mund të marrë vendime në emër të qytetarëve të Kosovës.

“Tani edhe tryeza e fundit të cilën e kemi thirrur si subjekt politik, kemi kërkuar mocionin e mosbesimit, sipas nenit 100 paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, poashtu edhe nenit 32 të rregullores së Kuvendit. Pra, qeveria duhet ta dëshmojë që ka legjitimitet, për faktin se ne besojmë fuqishëm që kjo është qeveri e pakicës dhe si rrjedhojë nuk mund të marr asnjë vendim në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovë”, vlerëson deputetja Haxhiu.

Hapi i tretë

Ajo ka folur edhe për hapin e tretë që si parti do të ndërmarrin, pasi është e rëndësishme që kjo qeveri të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Dhe natyrisht nëse edhe kjo nuk do të bëhet, atëherë sigurisht që hapi i tretë është mocioni i mosbesimit të kësaj qeverie, që ka të bëjë me rrëzimin e kësaj qeverie, por natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë në përputhje me kërkesat të cilat i kemi dhe në përputhje me rrethanat në të cilat jemi. Pra në detaje, nuk mund të flasim tani, sepse i përket kryesisë së Vetëvendosjes që të ndërtoj strategjinë në këtë drejtim, por ajo çfarë do të angazhojmë, natyrisht është se sa më parë vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme”, thekson Haxhiu.

Opsioni protestë

Image
Nehat Hyseni

Por, njohësi i çështjeve politike, Nehat Hyseni në një prononcim për “Bota sot” thotë se meqë Vetëvendosja është pro rrëzimit të kësaj qeveri, organizimi i protestave i duhet më tepër vetë partisë për të dëshmuar sa ka elektorat.

“Vetëvendosjes dhe sidomos liderit të saj, Albin Kurtit, i nevojiten protestat, sepse me këtë testohet elektorati dhe anëtarësia që i ka mbetur lojale pas ndarjes së fraksionit të saj dhe formimi i Partisë Socialdemokrate (PSD), në krye me Shpend Ahmetin. Pra, atyre u nevojitet (ri)konfirmimi i asaj se çka ka mbetur në radhët e Vetëvendosjes, që mund të realizohet me masovitetin në protesta, për të cilat Albin Kurti është dëshmuar si “kampion”. Pa protesta Vetëvendosja dhe Albin Kurti realisht ndjehen si “peshku në zall”. Prandaj, për ata pak rëndësi ka rënia e Qeverisë Haradinaj, se edhe ashtu Albini nuk ka gjasa për t’u bërë kryeministër”, vlerëson analisti Hyseni.

Ai thotë se atyre u ngutet që të shkojnë në zgjedhje pa u konsoliduar PSD si rivale në elektoratin e saj dhe po ashtu asnjë nga partitë opozitare nuk do t’i bashkoheshin protestave të Vetëvendosjes.

“Personalisht, nuk besoj se LDK, PSD dhe asnjëra nga partitë e tjera politike të Republikës së Kosovës se kanë interes që t’i bashkëngjitet protestave të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat