Lutfi Haziri tregon se kur dhe si vendos LDK-ja për dialogun

Politika

Lutfi Haziri tregon se kur dhe si vendos LDK-ja për dialogun

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 30 maj 2018 Në ora: 16:10
Lutfi Haziri

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë, ku roli udhëheqës i besohet presidentit të shtetit.

Mirëpo partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë ta vlerësojnë si të papërshtatshëm presidentin Thaçi si përfaqësues i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë ose të vënë në pikëpyetje rolin drejtues të presidentit të vendit në procesin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë për “Bota sot”, se është vetëm kuvendi ai që do të vendosë për formatin e ri të bisedimeve.

Tutje, i pari i Gjilanit ka shtuar se LDK-ja ka parashtruar tri parime politike si parakusht për pjesëmarrjen e saj ne bisedime me Serbinë.

“Sa i përket negociatave me Serbinë, LDK-ja në mbledhjen e 24 majit, ka sjellë tri parime politike si parakusht për pjesëmarrjen e saj si parti politike. E para ka të bëjë me zbardhjen e parimeve udhërrëfyese të negociatave apo dokumenti i Washingtonit, i cili duhet të shihet qartë se në bazë të çfarë parimesh do të udhëhiqen këto negociata. E dyta ka të bëjë me konsensusin politik sa më të gjërë, që duhet të arrihet në Kuvendin e Republikës. Deri tani rezoluta e vitit 2012, mandatin e negociatorit dhe dialogut ia njehë kryeministrit dhe Qeverisë. E treta, jo më pak e rëndësishme është timeing-u dhe impakti i këtij dialogu që përfshinë kohëzgjatjen dhe rezultatet e pritura nga ky proces, i cili do të përfundoj sipas gjitha gjasave me një dokument ligjërisht obligativ për të dy palët. Kjo është rruga që do të vendoset për LDK-në, se a do të jetë LDK-ja pjesë e këtij procesi politik apo jo. Natyrisht deri aty ka edhe shumëçka për t’u parë, për të vlerësuar dhe për t’u ditur sakt se kush është bartës i ri i negociatave, çfarë forme do t’i bartë negociatat, presidenti, kryeministri apo një palë e tretë, sepse ajo që po ndodh në Kosovë, kryeministri është tërhequr nuk dëshiron të marrë pjesë. Vendin dhe këtë e ka bartur te presidenti, por këtu nuk ka përfunduar puna. Praktikisht Kuvendi i Kosovës duhet t’a miratoj një rezolutë të re, apo një autorizim të ri, apo një mbështetje për formatin e ri të bisedimeve” ka përfunduar Haziri.

Vlen të theksohet se bazuar në platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, në rast se presidenti Thaçi përfaqëson Kosovën në fazën finale të këtij dialogu, ai obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat