Veteranët në deti

Politika

Veteranët në deti

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 30 maj 2018 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Statusi i veteranit vjen në një pako me privilegjet të cilat do t`i gëzojë personi që e gëzon këtë status. Një privilegj të tillë, më shumë se 1500 veteranë do ta gëzojnë këtë verë.

Në mbledhjen e së martës, Qeveria e Kosovës, mori vendim për rehabilitimin e 1500 veteranëve të UÇK-së duke i dërguar të njëjtit në bregdetin shqiptar.

Ky vendim u mor pas kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“1500 veteranë, shuma është 300 mijë euro. Kam pas bisedë me veteranët. Është shtuar numri i aksidenteve me fatalitet i vetëvrasjeve të veteraneve. Ata e kanë shpreh këtë kërkesë si ndërhyrje një lloj rehabilitimi”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vendim i tillë do të konsiderohej i mirëseardhur, nëse nga vendimi i Kryeministrit me të vërtetë do të përfitonin veteranët e vërtetë, atë të cilët me të vërtetë kanë nevojë për rehabilitim.

Por, ky vendim nuk do të duhej të merrej pa u verifikuar listat e veteranëve, të cilat dyshohet se u keqpërdorën.

Prokuroria duhet të jetë më e shpejtë në hetimin e saj për keqpërdorim të listave të veteranëve.

Listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës u trefishuan. Madje, u tha se një certifikatë veterani u pagua mbi tre mijë euro. Të gjitha këto dyshime e deklarata do të duhej të verifikoheshin para ofrimit të privilegjeve, siç është shkuarja në det.

Kujtojmë këtu deklaratën e bashkëluftëtari të Komandantit Zahir Pajaziti, Avni Ajetit, i cili kishte bërë kritika të ashpra për listat e veteranëve në rajonin e Llapit.

“Pas ,deklarimeve të Agim Çekut që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejt të aplikojnë për veteranë të luftës së UÇK-së, ne veteranët dhe invalidët se kuptuam, sepse ai ishte shumë i kjartë , sepse ai i cili aplikon dhe i ka 3.000 euro çfarë do statusi do ti jepet”, ka shkruar Avni Ajeti.

E pikërisht për këtë arsye nuk do të duhej të ndahej shuma për dërgimin e veteranëve në deti. Pasi në një thes me veteranët e vërtetë, mund të jenë edhe veteranët rrejshëm, ata të cilët dhanë nga 3 mijë euro për një certifikatë të kategorive të dala nga lufta.

Nga kjo i bie se me tre mijë euro, një veteran i rrejshëm ka siguruar pushimet për gjithë jetën e tij.

Përtej kësaj, deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi, me të drejtë e ka quajtur keqpërdorim të buxhetit ndarjen e mjeteve për dërgimin e veteranëve në deti.

“Do të kishte qenë një akti patriotik nëse do të kishim qenë Amerike. Kjo nuk është e drejtë e duhur për arsye se veteranët janë të shëndoshë kanë kryer një mision por janë të shëndoshë, një akt i tillë ndoshta do të duhet të ju jepej invalidëve por jo veteranëve për arsye se janë të shëndoshë. Kjo  është shumë e dëmshme  politikisht dhe nga aspekti ekonomik por edhe për buxheti. Buxheti nuk duhet të keqpërdoret për interesa elektorale” ka thënë Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat