“Unë kryeministër, Hashimi president!!”

Politika

“Unë kryeministër, Hashimi president!!”

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 2 qershor 2018 Në ora: 11:06
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi

Për gjendjen e rëndë, deri në katrahurë, të Kosovës, LDK-ja vazhdon të kryqëzohet. Janë dy akuza, sa të rënda, aq edhe të bazuara:

1) Zgjedhja e Hashim Thaçit president; dhe

2) Demarkimi i kufirit, humbës i territorit, me Malin e Zi.

Deputeti i "Nisma", Milaim Zeka, akuzoi LDK-në se e bëri - Hashimin president -, edhe pse e  dinte se ai ka qenë dhe mbetet e keqja e madhe e Kosovës. Dhe, kjo, thjesht, për karrierizmin e sëmurë dhe të pacipshëm të Isa Mustafës dhe të kanit të tij.

Këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj, aktiv në replikime, u kundër-përgjigj. Por, kundërshtia e tij ishte e vakët, e dobët, hiçe, sepse "faktet kokëforta", siç thoshte rusi Lenin, janë aq të bollshme, sa e demantojnë Gecajn bindshëm, pa lënë vend për një kundër-përgjigje të Zekajt. Mësuesi im, i lëndës "Stili dhe redaktimi në gazetë", në Univesitetin e Tiranës, Dritëro Agolli, na mësonte: "Kur të mungon fakti, mos fillo shkrimin". Kjo këshillë i mungoi polemistit Gecaj.

Hashimi president, është produkt ekskluziv i LDK-së, përkatësisht, i Isa Mustafës dhe i klanit të tij. Angazhimi i këtij klani ka qenë aq përkushtiv, sa janë gajasur së qeshuri, deri në mbajtje barku, të gjithë shqiptarët. Madje, më së shumti PDK-ja e Hashimit, sepse ajo e njihte mallin e vet, Hashim, si përçarës e sabotues i luftës; si i dyshuar bazik i konspirimit me shërbimt e huaja, përfshi edhe Serbinë, me ndërmjetësim. Rrjedhimisht, Hashimi nuk plotësonte kushtet bazë të Kushtetutës:

1) Unitetin e popullit; dhe

2) Mungesën e besnikërinë ndaj Atdheut, sepse dyshohej për "hafillëk", spiunim, në llogari të shteteve armike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte marrë një gjysmë aprovimi, madje, në një rreth i ngushtë, për të biseduar mundësinë e një koalicioni  me bandën e PDK-së! Vetëm kaq. Duke abuzuar me këtë OK-ej bisedimi, kryetari Isë abuzoi skajshëm, prapa shpinës të partisë dhe, në konspiracion, vendosi:

Kundërshtia totale e anëtarësisë të LDK-së dhe e shumësisë të strukturave të partisë, polarizoi LDK-në.  Angazhimi enormë i kryetarit Isë, me klanin e tij, për bërjen e - Hashimit president -, e komodoi PDK-në, duke e siguruar atë se kjo punë mbaroi. Dhe, ashtu ndodhi!

Në mesin e klanistëve për - Hashimin president -, shquhej zëdhënësi-këshilltar i Isës, Bajram Gecaj. Madje, arriti aq larg, sa kërcënoi kundërshtuesit bashkëpartiak, se "do të përballën me pasoja, deri me përjashtim nga  LDK-ja!!!" 

Ishte sa shokuese, aq edhe cinike, të kërkosh nga Adem Salihaj votën për - Hashimin president -, ku ai ishte shenjëstruar me plumb nga spiuni i Serbisë, anëtar i SHIK-ut, të krijuar nga Hashimi, përcjellës i Hashimit me shokë, nga Maqedonia në Kosovë, me lejen e Serbisë, në kohë lufte, tashmë, i dënuar për vrasje politike, Fahredin Gashi!

E rëndë është për komandantin e shquar të Kosharës dje, deputetin e sotëm të Parlametit të Kosovës, Anton Quni, ta votojë - Hashimin president -, ngaqë nga SHIK-u i tij, ishin vrarë kolegët e tij, komandantë të FARK-ut!

Deputetja e Parlamentit të Kosovës, Vjosë Osmani, favoritja absolute e elektoratit të LDK-së, e tmerruar nga vendosmëria e kryetarit Isë, me rrethin vicioz, të ngushtë, të tij, për ta bërë, madje, me çdo çmim, - Hashimin president -, mori arratinë, kaloi detra dhe oqeane, deri në Australinë e largët, për të qenë sa më larg vendimeve dhe veprimeve skandaloze, të katës së çoroditur partiake, nën komandën tipike moniste të Isa Mustafës e, pse jo, edhe të SHIK-ut vrastar.

Ndodhi edhe kjo: - Hashimi president -, me votat vendimtare të deputetëve të LDK-së, nën presionin dhe shantazhin tipik komunist të kreut të partisë! Porosia-amanet e Presidentit Rugova "mos lejoni Hashimin të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën", u harrua, u shkel, u baltos, pa vrarje ndërgjegjeje e pacipshëm, nga vet krijesa e Tij, LDK-ja!!! Aq më turpshëm, kur është provuar dhe dëshmuar se, vërtet, Hashimi ishte i rrezikshëm për Kosovën, pasi ishte në konspiracion, në dëm të Kosovës, me shtetet fqinjë, me Serbinë dhe Malin e Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat