Kelmendi: Janë 1001 arsye pse Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë negociatat me Serbinë

Politika

Kelmendi: Janë 1001 arsye pse Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë negociatat me Serbinë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 qershor 2018 Në ora: 13:57
Hashim Thaçi

Analisti politik, Jeton Kelmendi ka treguar arsyet se pse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk duhet t’i udhëheq bisedimet finale me Serbinë.

Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë Thaçi nuk duhet ta udhëheqë dialogun final me Serbinë. Për këtë, ai thotë se është akt patriotik mbrojtja e Kosovës nga udhëheqja e Thaçit.

Image
Jeton Kelmendi

“Në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë Hashim Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë, jo dialogun final, por as edhe dialogun më të thjesht të mundshëm që mund të jetë. Prandaj, mendoj se është akt patriotik mbrojtja e Kosovës nga udhëheqja e Hashim Thaçit. Është tragjike sepse është në krye të shtetit dhe për këtë i vejë një akuzë të pafalshme Isa Mustafës dhe deputetëve të LDK-së që e mundësuan zgjedhjen e tij në krye të shtetit”, është shprehur Kelmendi.

Ai thotë se janë 1001 arsye pse presidenti Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë negociatat me Serbinë.

“Në qoftë se edhe kësaj radhe LDK-ja e Isa Mustafës do ta mbështet sërish që Thaçi t’i udhëheq ashtu siç edhe ja delegojë kompetencat Haradinaj mendoj se LDK-ja duhet të shuhet krejt. Të gjitha ata deputetë që mendojnë se Thaçi duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë ja dëshirojnë të mirën Serbisë e jo Kosovës. Janë 1001 arsye pse Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë negociatat me Serbinë. Ajo e cila është më kryesorja është se Thaçi mund të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale, prandaj ne nuk e kemi luksin që njerëz të këtij kalibri t’ia ofrojmë Serbisë”, tha ai.

Tutje Kelmendi thotë se delegacionin me Serbinë duhet ta udhëheqë Albin Kurti, pasi që, sipas tij, është kombinimi më i drejt i mundshëm.

“Delegacionin me Serbinë duhet ta udhëheqë Albin Kurti. Ai është deputeti më i votuar. Është në opozitë dhe në këtë delegacion sipas fuqisë elektorale që kanë duhet të përfaqësohet. Mendoj se kombinimi më i drejt i mundshëm që Kurti t’i udhëheqë negociatat finale me Serbinë”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, Jeton Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat