Zgjedhjet e parakohshme LDK-në e sjellin në krye

Politika

Zgjedhjet e parakohshme LDK-në e sjellin në krye

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 2 qershor 2018 Në ora: 19:03
LDK

Një kompani që merret me organizmin e barometrit politik në Shqipëri, ka organizuar një sondazh edhe në Kosovë, në javën e tretë të muajit.  Sipas rezultatit të “Piepoli – Company” të cilin e ka realizuar në shtatë qendra të mëdha të Kosovës LDK del partia e parë në Kosovë me 31% të votave, PDK e dyta me 27%, VV e treta me 17%, AAK me 10%, Nisma me 6%, ndërkaq PSD me 4% dhe AKR me 3.2% nuk e kalojnë pragun zgjedhor.

Një rezultat i tillë që thuhet të jetë realizuar në Kosovë, nxjerr në pah LDK-në si partinë më të madhe në vend, duke u pasuar nga PDK-ja.

Mbajtja e zgjedhjeve e në Kosovë kohëve të fundit është duke u diskutuar tej mase e sidomos nga partitë opozitare dhe në tryezat që po mbahen nga partitë politike në vend.

Deri më tani qëndrimi i Vetëvendosjes dhe LDK-së,  është për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend por pa specifikuar datë apo kohë dhe si të vihet deri tek zgjedhjet.

 Kurse, për Qeverinë e Ramush Haradinajt, mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është e pa nevojshme dhe assesi nuk duhet të ndodhë në këtë kohë, kur në vend po kërkohet konsensus politik në mes partive për bisedimet më Serbinë që veç janë në fazën finale të tyre.

Vetëvendosje nuk beson në sondazhe

Lidhur me këtë, deputetja Drita Millaku, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë për “Bota sot” se nuk beson edhe shumë në sondazhet e tilla, pasi sipas saj, sondazhet në vitin 2017 në zgjedhjet parlamentare e vendosen  LVV si të tretën , por ajo doli partia e parë në vend.

“Në zgjedhjet lokale LVV i dyfishoj votat në krahasim më ato të vitit 2013 edhe pse sondazhet  patën  tjetër rezultat. Këto janë sondazhe të Baton Haxhiut sondazhet e tij i kemi demantu edhe në dy palë zgjedhjet e fundit. Më datë 11 qershor në sondazhet e Batonit dhanë një rezultat tjetër, e ne ora 20 e 30 min tha  në këto zgjedhje ndodhi befasia LVV del partia e parë". Në zgjedhjet e ardhshme lufta për vendin e parë behët në mes të LVV dhe LDK-së dhe jam e bindur se PDK-ja pas 11 viteve mashtrimesh dhe keqqeverisje do të shkojë në opozitë”, ka thënë ajo.

Image
Drita Millaku

Sipas Millakut, zgjedhjet më së shumti i konvenojnë qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës.

“Më këtë qeverisje që është bërë shumë e rrezikshme  për sovranitetin e  Kosovës zgjedhjet duhet të jenë e vetmja mënyrë për të stopuar vendimet e dëmshme që pritet me zajednicen, nëse ne do të lejojmë formimin e Zajednices atëherë nuk ka më arsye pse të merrem më politikë.  Jam shumë e bindur se lejimi i Zajednices është fundi i  kësaj gjysmë shtetësie  të Kosovës”, ka thënë deputetja Drita Millaku.

Ajo në fund, po ashtu ka potencuar se nëse LDK nuk do ta luaj lojën e djallit, atëherë PDK do të jetë në opozitë.

Ramush Tahiri flet për sondazhet, ja çfarë tregojnë ato

Kurse, sipas politologut Ramush Tahirit, sondazhet tregojnë tendencën e votuesve po ndryshimi është edhe tek marrëveshjet parazgjedhore që mund të ndodhin.

“Sondazhet e tregojnë tendencën e votuesve por ndryshimi prej 3-4 për qind është domethënës në renditje por edhe për marrëveshjet qeverisëse pas zgjedhore. Duket se votuesi është i barrikaduar dhe tradicional në orientim për partitë e caktuara si dhe ka qëndrim klientelist për aq sa është për tu besuar sondazheve”, ka thënë Tahiri.

Image
Ramush Tahiri

Sipas tij, është e habitshme se votohen partitë e pushtetit përderisa në çdo hulumtim qeverisja asnjëherë nuk merr notë kaluese.

Faktorët që ndikojnë në rezultat

Ndërsa, sipas njohësit të çështjeve politike në vend, Muhamet Kelmendi, ka ndonjë rezultat adekuatë më nivelin në përqindje që mund të arrihet nga partitë në zgjedhje.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kjo përqindje varet shumë edhe nga fakti se cili subjekt e ka organizuar sondazhin! Sa ka besim ne sondazh. Mendoj se sondazhet janë fakte që tregojnë nivelin e pëlqimit në popull, por jo përfundimisht. Por nëse ky është rezultati nuk mendoj se do të shkohet në zgjedhje. Subjektet që janë nën 5% pa konsolidim, sidomos PSD, nuk eci e zgjedhje pa u konsoliduar sepse kësaj partie i duhet kohë” ka thënë për “Bota sot” Krasniqi.

Pritet rritje e partive opozitare

E analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë se sipas të gjitha standardeve dhe parametrave politik, përgjatë një mandati qeverisës, janë partitë opozitare, ato që do të duhej të kenë rritje në përkrahës, përkatësisht elektorat.  Kjo pasi që detyrë e opozitës është t'i nxjerrë në pah të gjitha anomalitë qeverisëse dhe ta sensibilizojë opinionin dhe qeverinë duke dhënë ide dhe koncepte alternative.

Image
Leon Duhanaj

“Për fat të keq, në Kosovë, duke qenë se politika në masë të madhe bazohet në parametra klientelist, atëherë në shumicën e rasteve ndodhë që sondazhet t'i nxjerrin në rritje partitë qeveritare. Ky sondazh, nëse është bërë me standarde normale, mund ta ketë nxjerrë përafërsisht disponimin e qytetarëve të Kosovës. Në këtë sondazh vërehet një ngritje e LDK-së e që besoj është normale sepse momentalisht ka një unitet të brendshëm brenda saj, si dhe ka peformanca pozitive në opozitarizëm.  Mbështetë aty ku duhet mbështetur qeverinë dhe kundërshton aty ku duhet kundërshtuar. Kjo sjellje mund t'i shtyjë drejtë suksesit në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.

“Edhe PDK e AAK janë aty ku pritet të jenë. LVV-je në anën tjetër, do ta ketë të vështirë ta mbajë këtë trend pasi që elektorati i tyre mund të shpërndahet ende në konsolidimin e PSD-së, megjithatë mendoj që do të arrijë t'i mbajë përqindjet e përafërta.  Nisma  PSD mund të jenë aty mbi prag. Për AKR e të tjerët, nuk besoj që ka hapësirë. Për mendimin tim, ky sondazh e shpërfaq realitetin në teren. Natyrisht që disponimi qytetar, nuk është fiks dhe, kjo gjendje mund të ndryshojë varësisht nga sjellja e partive politike dhe nga rrethanat”, ka përfunduar analisti politik, Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat