Kuçi tregon se si duhet të dënohen deputetët

Politika

Kuçi tregon se si duhet të dënohen deputetët

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 qershor 2018 Në ora: 11:40
Kuvendi i Kosoves

Politologu, Gurakuç Kuçi, ka deklaruar për “Bota sot”, se shumë gjëra kanë bërë që deputetët të jenë mos përgjegjës në punën e tyre publike.

Image
Gurakuç Kuçi

“Gjendja e brishtë e partive politike, klasës politike si tërësi, futja në lista nga partia jo në bazë meritokratike por lideriste, zgjedhja me imponim, pa alternativë, pa dije dhe e imponuar nga rentierizmi, i bëjnë deputetët që të jenë mos përgjegjës dhe pa etikë në punën e tyre dhe përgjegjësinë publike”, ka deklaruar ai.

Për më tepër, ka shtuar se  veprimet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës do të duhet që të ndëshkohen nga Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit së bashku me administratën.

Sipas Kuçit do të duhej që qytetarët të aktivizohen për t’i hequr nga pushteti pozitë dhe opozitë.

“Për më keq, përbërja e qeverisë e cila është bërë një shaka pa krip dhe mos-serioziteti i saj prodhon që edhe deputetët që vijnë nga koalicioni të mos jenë fare përgjegjës. Thënë shkurt, janë vetëm një grup njerëzish që Kuvendin e shohin vetëm për mëditje dhe sillen ashtu kot siç çdo herë puna e kastës politike ka qenë e kotë në të mirë të shtetit. Sigurisht që veprime të tilla duhet të ndëshkohen nga Kryetari dhe kryesia e Kuvendit me administratën e Kuvendit, por edhe nga masa e gjerë e cila qysh tani do të duhej të aktivizohej për t’i hequr nga pushteti pozitë dhe opozitë, sepse këtë gjendje po e mundëson edhe opozita e brishtë e cila nuk është e gatshme as vetë të shkoj tani në zgjedhje”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Krejt në fund, ai thotë se nuk mund të ndodhë ndalja e mëditjeve.

“Por gjasat për ndalje të mëditjeve dhe shtyrje të funksionimit në mënyrë të duhur të Kuvendit nuk mund të ndodhë, pasi vetë ata që duhet t’i vënë në binarë po mundësojnë një gjendje të tillë dhe ka një funksionim oligarkik duke shfrytëzuar formalitetet demokratike”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat