Operacioni imagjinar “Shigjeta” në Koshare

Politika

Operacioni imagjinar “Shigjeta” në Koshare

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 9 qershor 2018 Në ora: 15:05
Koshare

Lufta e Kosharës, e cila, realisht, legjitimoi edhe luftën e UÇK-së në Kosovë, është përballur me:

1) Heshtjen e betejave në Koshare, fillimisht; dhe më vonë,

2) Falsifikimin, me qëllim përvehtësimin e Luftës të Kosharës, nga shtabistët e "UÇK-së" të LPK-së.

Pas sabotimit të Marrëveshjes të Osllos, nga krerët e LPK-së puçiste, rrjedhimisht, dështimit të saj, u ndërpre edhe mundësia e bashkëpunimit, në mes të dy faktorëve ushtarakë. Vërtet, krerët puçistë të LPK-së, nuk ishin kurrëfarë faktori as ushtarak dhe as politik. Ata ishin një grup halabakësh parazitë, disa syrësh me diagnozë skizofrenie, që trajtoheshin, si të tillë, nga mjekësia helvetike. Dhe, kur, pas luftës, u bënë publik funksionet e tyre përgjatë luftës, bota u lëmërisë dhe u tallë shumë, se çfarë lufte mund të jetë bërë në Kosovë, nën komandën e këtyre budallenjëve!?

Operacioni për thyerjen e kufirit, ishte vepër ekskluzive e ushtarakëve të FARK-ut. Për suksesin e mësyemjes të befasishme dhe frontale, ishte bërë një përgaditje solide. Beteja e suksesshme e 9 prillit 1999, u hesht, me urdhër të "komandantëve" të mrizuar në Hotelin "Rogner", në Tiranë. Radio "Kosova e lirë", që "e bënte mizën buall", edhe për krismën e një "pushkale shtogu", heshti për betejën e përgjakshme, më të lavdishme të Kosharës. Sihirxhinjtë e "Rogner-it" e donin, prisnin dështimin e FARK-istëve në Koshare. Andaj, dhe heshtnin!

Kjo na kujton ujdinë në mes të Enver Hoxhës të Tiranës dhe Fadil Hoxhës të Prishtinës, për heshtjen e demonstratave studentore në vjeshtën e vitit 1968 në Kosovë! Këtë heshtje provoi ta bënte udhëheqja staliniste e Tiranës edhe për demonstratat studentore të pranverës 1981. Demonstratat filluan me 11 dhe 12 mars, ndërsa Tirana zyrtare reagoi, për herë të parë, me 8 prill, pas akuzave të bëra nga jugosllavët, në adresë të shtetit shqiptar, për organizim të demonstratave.

Lexo edhe këtë: Krimi i shumëfishtë i krerëve puçistë të LPK-së

Edhe me rastin e Betejës të 9 (nëntë) prillit në Koshare, heshtjen e theu pala serbe. Madje, gjeneralë të dy luftrave paraprake, në Kroaci dhe Bosnje, të cilat i quajnë "lojëra", në krahasim me Kosharën e tmerrshme. "Komandantët e "Rogner-it" provuan dhe, ende insistojnë ta përvehtësojnë luftën, sikur kjo luftë u bë "në kuadrin e Operacionit "Shigjeta"! Kësaj "teneqeje të shpuar", i bijnë tellallët e medieve të ekstremit të majtë, por, edhe Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Bislim Zyrapi, Kudusi Lame, me kodoshërit e tyre, e deri ke Hashim presidenti! Dhe, ky falsifikim kërkon qytetarinë edhe sot, në epokën digjitale, sikur ngjarjet të ishin zhvilluar në prehistori!!! 

Në përvjetorin e 19-të të Luftës së Kosharës, Hashim presidenti, pacipërisht, pati guximin ta përsërisë gënjeshtrën e madhe falsifikuese, se Lufta e Kosharës ishte pjesë e Operacionit "Shigjeta"!? Por, në fjalën e tij, komandanti i Kosharës, Rrustem Berisha, demantoi president zezën, se kufirin e thyen oficerët dhe ushtarët e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës.

Në zbritje nga varrezat e Kosharës, për ke veturat poshtë shpatit, Hashim presidenti e qortoi komandant Berishën, se "ma fute thikën pas shpine". Komandanti i Kosharës i përgjigjet, i vendosur, se sa herë ta thuani se Kosharja ishte pjesë e Operacionit "Shigjeta", unë do t`ju demantoj.

"A kemi qenë pjesë e Operacionit "Shigjeta", apo jo, ne, një vit pasi ka mbaruar lufta, kemi dëgjuar se kishte një Opeacion "Shigjeta!" Ne kemi gjithçka të shkruar, ndërsa ajo, "UÇK-ja" juaj, duhet me pyet çfarë thonë të tjerët për Kosharën", - e përforcoi deklarimin e tij, komandanti i Kosharës, Rrustem Berisha.

Përfundimisht, Operacioni "Shigjeta", në Luftën e Kosharës, na rezulton, tërësisht, imangjinar, inekzistent, safi rrenë e kulluar, falsifikim i vrazhdët, vazhdimësi e përpjekjeve të dështuara, për ta përvehtësuar luftën, të bërë nga të tjerët, në rastin konkret, nga FARK-istët e Ibrahim Rugovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat