Bllokimi i punës së Shpend Ahmetit, kush ka faj?

Politika

Bllokimi i punës së Shpend Ahmetit, kush ka faj?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 qershor 2018 Në ora: 07:24
Shpend Ahmeti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate siç duket po i rrisin gradualisht inatet e tyre mes vete, duke mos pasur asnjë bashkëpunim të tyre në komunën e Prishtinës. Largimi nga Vetëvendosje i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti dhe zgjedhja kryetar i PSD-së, ka ndikuar që ky të mos e ketë përkrahjen e partisë me të cilën u bë kryetar, Vetëvendosjes.

Madje këta të fundit kanë bashkëpunuar me LDK-në dhe PDK-në, për t’i bllokuar punët Ahmetit në Komunën e Prishtinës.

E këtë veprim e kanë quajtur koalicion të pa publikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Social Demokrate.

Pas ndarjes në dysh të Lëvizjes Vetëvendosje në fillim të këtij viti, edhe asamblistët e kësaj partie nëpër të gjitha komunat e Kosovës, zgjodhën se në cilin krah të pozicionoheshin.

E për këtë shkak, bashkimi i forcave të Vetëvendosjes, Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike në komunën e Prishtinës, bëri që të shkarkohet këshilltari politik nga radhët e PSD-së, Qendrim Sahiti.

Kjo e revoltoi nënkryetarin e kësaj partie, Dardan Molliqajn, i cili përmes një statusi në Facebook, shkruante se koalicioni VV-LDK-PDK, u zyrtarizua.

“Zyrtarisht e publikisht, nisi bashkëpunimi/koalicioni PDK-VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Koalicion ky kundër të gjithë votuesve që e votuan Shpend Ahmetin me programin e tij qeverisës. Koalicion për të keqen e Prishtinës”, ka shkruar Molliqaj.

Azemi mohon koalicionin

Këshilltari politik që zgjodhi të qëndronte me partinë që erdhi deri aty, Eman Rrahmani, në një prononcim për “Bota sot”, tha se ata nuk kanë bërë ndonjë koalicion, por që mundohen ta parandalojnë codo të keqe që vie.

Image
Eman Rrahmani
 
“Ne nuk kemi bërë asnjë koalicion. Veprojmë si asamblist konstruktivë ku çdo të keqe që vie mundohemi ta parandalojmë”, tha ai.

Tutje, Rrahmani shton se Vetëvendosja, ka qenë kështu çdo herë, e ata që kanë ndryshuar sipas tij, janë të dorëhequrit, ndërsa për shkarkimin e Qëndrim Sahitit, Azemi thotë se Të gjitha ata që shkelin rregulloret dhe ligjet për të pasur ndërmarrjet ose për qëllime të tjera të grupeve të caktuara do të kundërshtohen nga Vetëvendosje.

“Në si Vetëvendosje kemi qenë kështu çdo herë, ata që kanë ndryshuar janë Të dorëhequrit. Të gjitha ata që shkelin rregulloret dhe ligjet për të pasur ndërmarrjet ose për qëllime të tjera të grupeve të caktuara do të kundërshtohen nga Vetëvendosje”, ka shtuar Rrahmani .

Nushi thotë se ka aleancë mes VV-LDK-PDK

Të njëjtin mendim nuk e ka asamblisti i Partisë Social Demokrate, Nol Nushi. Ai thotë për “Bota sot” se në dy seancat e fundit është vërejtur një aleancë mes Vetëvendosjes me LDK-në e PDK-në, e ajo filloi me shkarkimin Qendrim Sahitit.

Image
Nol Nushi

“Në dy seancat e fundit është vërejtur një aleancë mes Vetëvendosjes me LDK-në e PDK-në. Ajo filloi me shkarkimin Qendrim Sahitit nga komiteti i aksionareve”, u shpreh Nol Nushi.

Sipas tij, arsyeja e shkarkimit u kuptua në disa videopërgjime të një mediumi, të cilat shpërfaqin korrupsionin e anëtarëve të Vetëvendosjes.

“Arsyeja e këtij shkarkimi u kuptua pas publikimit nga disa përgjime të mediave, ku në video shihet korrupsioni nga anëtarët e Vetëvendosjes në këtë ndërmarrje”, theksoi ai.

Nushi, shton tutje se kjo aleancë mes VV-LDK-PDK po vazhdon ende, ku është tentuar që të përjashtohej PSD-ja nga komitetet.

“Kjo aleancë vazhdoi edhe të enjten (7 qershor), ku tentohej të përjashtohej PSD-ja nga komitetet dhe për këtë u bënë bashkë përsëri VV -LDK -PDK. VV po sillet në mënyrë skizofrenike sepse po e akuzon qeverisjen e Shpendit për korrupsion përderisa është pjesë e saj me tre drejtorë”, potencoi për “Bota sot” Nol Nushi.

Krasniqi: Ahmeti një dyfytyrësh

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, thotë se ndarja e kësaj partie do të ishte e evitueshme nëse të dorëhequrit e tanishëm do të hiqnin dorë nga kushtëzimi që Albin Kurti të mos jetë prapë kryetar i Vetëvendosjes.

Image
Faik Krasniqi

“ Nëse të revoltuarit e Vetëvendosjes do të heqnin dorë nga kushtëzimi i tyre për t’u kthyer prapë në parti, me pretekstin që Albin Kurti të mos kandidojë për kryetar partie, atëherë edhe ndarja do të ishte lehtë e evitueshme, dhe nuk do të vije puna që kjo parti të ndahej në dysh”, tha Krasniqi.

Ai e quan Shpend Ahmetin dyfytyrësh pasi ndarjen nuk e bëri publike para zgjedhjeve lokale, sepse sipas Krasniqit, ai ka qenë në dijeni se vetëm si kandidat i Vetëvendosjes do t'i fitonte prapë zgjedhjet.

“Në anën tjetër është edhe dyfytyrësia e Shpend Ahmetit që ndarjen nga Vetëvendosja nuk e bëri publike para zgjedhjeve lokale, sepse ka qenë në dijeni se vetëm si kandidat i Vetëvendosjes do t'i fitonte prapë zgjedhjet, në të kundërtën as në balotazh nuk do të arrintë të shkonte”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, tradhtia e Shpend Ahmetit, e arsyeton bllokimin e punës së tij nga ana e asamblistëve të VV-së.

“Por, edhe ish deputetët e VV-së që tani janë pjesë e PSD-së, e dimë fare mirë që janë bërë deputetë falë asaj që kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes. Prandaj, është shumë e arsyeshme pse asamblistët e VV-së janë duke e bllokuar punën e Shpend Ahmetit, sepse kemi të bëjmë me një tradhti ndaj elektoratit. Në rastin e kundërt të njëjtën gjë do ta bënte edhe PSD-ja ndaj VV-së dhe çdo parti tjetër. Para se të ndahej nga partia që falë saj u rizgjodh kryetar i Prishtinës, është dashur ta mendojë mirë se si do vazhdonte tutje pa mbështetjen e ish partisë, sepse është kryetar kryeqytetit dhe i mbi 500 mijë banorëve të saj. Kjo tregon që Ahmeti nuk është serioz ndaj votës së kryeqytetasve”, përfundoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat