E vërteta dhe kuptimi i liberalizimit të vizave - Bota Sot
E vërteta dhe kuptimi i liberalizimit të vizave

Politika

E martë, 13 nëntor 2018

E vërteta dhe kuptimi i liberalizimit të vizave

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 qershor 2018 Në ora: 07:47
Foto ilustrim

Çështja e liberalizimit të vizave, tashmë një dekadë është njëra ndër temat kryesore në Kosovë.

Pothuajse çdo vit, politikanët kanë premtuar se do të ndodhë një gjë e tillë. Edhe qeveria e tanishme, edhe pse ka premtuar që në fillimin e saj se liberalizimi i vizave do të ndodhë në tremujorin e saj, ata kohëve të fundit kanë shpeshtuar fjalët dhe premtimet e tyre.

 Derisa zyrtarët e lartë të shtetit sigurojnë qytetarët e Kosovës se do të udhëtojnë të lirë brenda këtij viti, kjo gjë mbetet ende të shihet.

Për shumë qytetarë të Kosovës, liberalizimin e vizave e shohin si një mundësi për të vazhduar jetën dhe punën e tyre jashtë Kosovës, në vendet Shengen.

Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk u ofron atyre këtë mundësi. Ajo çka lejohet pasi Kosova të merr dritën jeshile për qarkullim të lirë drejtë vendeve Shengen, është një vizitë deri në 90 ditë , pa mundësi banimi apo punësimi.

Kështu deklarojnë edhe njohësit e kësaj fushe për “Bota sot”.

Murtezaj: Liberalizimi i vizave nuk ju ofron punësim dhe banim

Image
Valon Murtezaj

Profesori i Universitetit presitigjioz të Parisit, Valon Murtezaj, në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se liberalizimi nënkupton lëvizjen pa pasur nevojë për vizë, por nuk është vizë për të punuar apo studiuar.

“Me liberalizim të vizave nënkuptohet lëvizja pa pasur nevojë për vizë në zonën e vendeve Shëngen. Kjo nuk përfshin jetesën për qëndrime më gjatë se 90 ditë; poashtu kjo nuk është vizë pune apo për të studiuar”, tregon profesor Murtezaj.

Bytyçi tregon efektet e liberalizimit

Po ashtu, edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se liberalizimi i vizave është një vendim që e lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Shëngen, ku njerëzit që kanë nevojë për këto udhëtime janë të kategorive të ndryshme, si biznesmenë, studiues, student, vizitorë të ndryshëm tek të afërmit e tyre emigrantë në Evropë, pacientë që kanë nevojë të kurohen, turistë etj.

Image
Enver Bytyçi

“Liberalizimi i vizave lehtëson lëvizjen e tyre, eliminon radhët e gjata ose pritjet e gjata në dyert e ambasadave, favorizon kryerjen e çdo obligimi në kohë rekord, mbi të gjitha lehtëson tregtinë dhe biznesin midis vendeve anëtare të BE-së dhe vetë Kosovës”, thekson ai.

Sipas profesor Bytyçit, nga pikëpamja psikologjike ndikimi është i jashtëzakonshëm.

“As vetë pranimi në BE nuk ndikon në psikologjinë e njerëzve sa liberalizimi i vizave. Qytetarët e Kosovës do të ndjehen të barabartë me qytetarët europianë. Do të ketë lehtësi në kalimin e kufirit Shëngen. Nëse ata do të dëshmojnë korrektësi për zbatimin e rregullave dhe ligjeve europiane, atëherë do të ndjejnë se gradualisht nuk do të ketë thuajse asnjë shenjë diskriminimi për ta. Liberalizimi i vizave do të ndryshojë edhe raportet midis Kosovës dhe Europës. Qytetarët e Kosovës do të shihen si pjesë e kontinenti europian”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se liberalizimi i vizave do të thotë përmirësim i cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës, por nuk do të thotë se ata do të fitojnë të drejtën e punësimit në vendet e BE-së.

“Megjithatë në këtë drejtim do të ketë lehtësi, njerëzit duke qenë të lirë të lëvizin, kanë mundësi të shfrytëzojnë legjislacionin evropian edhe për punë sezonale të paktën. Ndërkohë që ata mund të zgjedhin më lehtë rrugët që mundësojnë arsimimin ose kryerjen e biznesit. Por pa asnjë pengesë studiuesit do të kenë mundësi të angazhohen drejtpërdrejt me partnerët e tyre euriopianë në grupe kërkimi e hulumtimi për çështje të ndryshme të zhvillimit të shkencës. Punësimi është një e drejtë që fitohet gradualisht dhe varet nga nevojat që vendet evropiane kanë për punë. Vetëm anëtarësimi I plotë I Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit tonë krijon kushte të pakufizuara për punësim dhe jetesë në vendet e bashkimit Evropian. Liberalizimi I vizave nuk do të thotë automatikisht punësim në këto vende”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Dy segmentet e liberalizimit

Image
Mentor Tahiri

Po ashtu, njëjtë deklarohet edhe politologu dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri.

Ai thotë se liberalizimin duhet parë në dy segmente.

Së pari, duhet parë si mundësi më të mirë për bizneset e Kosovës, por jo edhe si mundësi punësimi.

“Liberalizimi i vizave duhet parë në dy segmente. Së pari ai mundëson lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës. Gjë që nuk duhet assesi parë si mundësi për punësim, por megjithatë si mundësi më e madhe për bizneset e Kosovës”, thekson ai.

Sipas politologut Tahiri, segmenti i dytë i përket Kosovës si shtet.

“Kosova bën një hapë më shumë drejt “evropianizimit” të saj politik, ekonomik dhe social. Aktualisht duke qenë i vetmi vend evropian qytetarët e të cilit kanë nevojë për viza për hyrje në Schengen zonë, Kosova po perceptohet si një vend i brishtë, pa subjektivitet të qartë dhe aq më keq si një vend i pasigurt”, vlerëson ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test