Tri qëllimet e Serbisë për thirrjen e konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe demanti nga SHBA-ja - Bota Sot
Tri qëllimet e Serbisë për thirrjen e konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe demanti nga SHBA-ja

Politika

E enjte, 18 tetor 2018

Tri qëllimet e Serbisë për thirrjen e konferencës ndërkombëtare për Kosovën dhe demanti nga SHBA-ja

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 12 qershor 2018 Në ora: 15:17
Foto ilustrim "Bota sot"

Krye-lajmi i së shtunës në mediat serbe që u bë temë e ditës edhe tek ne, krahas vdekjes së legjendës së futbollit Fadil Vokrri, për mundësinë e një konferencë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës nuk është i rastësishëm.

Prapa kësaj ideje qëndrojnë zyrtarët e shtetit serb, përmes të cilës tentojnë t’i arrijnë qëllimet e tyre. Por, para se të argumentojmë se pse Beogradit mund të jetë prapa saj, është mirë të analizohet përmbajtja e këtij lajmi që për fat të mirë, u demantua nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Duke u thirrur në burime diplomatike, mediumi serb që e plasoi këtë artikull, thotë se Prishtina dhe Beogradi do të negociojnë për zgjidhjen e problemeve bashkë me “lojtarët e mëdhenj botëror”, përmes një konferencë e modelit të Rambujes.

Ku përveç shteteve të Kunitit, aty do të merrnin pjesë edhe Rusia e Kina. Këto dy shtete zyrtarisht mbajnë një qëndrim të njëjtë me Serbinë sa i përket shtetësisë së Kosovës.

Më tej në këtë lajm thuhet se ka pakënaqësi nga Gjermania për dinamikën e dialogut të udhëhequr nga Brukseli dhe kinse për një zbutje të SHBA-së ndaj ndarjes së veriut të vendit, në këmbim që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së.

Përgatitja e opinionit ndërkombëtarë

Një nga qëllimet e Serbisë përmes këtij shkrimi dhe atyre që pritet të plasohen ditëve dhe javëve në vazhdim lidhur me këtë çështje, është se Serbia synon ta bind opinionin ndërkombëtar se për arritjen e një e një paqe përfundimtare me Kosovën, nevojitet një  konference ndërkombëtare, si ajo e Rambujes apo e Deytonit, ku do të merrnin pjesë Rusia e Kina.

Për këtë, kohëve të fundit nga Beogradi po vinë deklarata se dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli nuk po jep rezultatet e pritura.

Dhe se gjermanët janë të pakënaqur me mënyrën se si po menaxhohet dialogu nga përfaqësuesja për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe eurokomesari për Zgjerim, Johanes Hahn.

Gjithnjë sipas tyre, Berlini po mendon për një format të ri të bisedimeve, ku do të udhëhiqej nga një ish-zyrtar gjerman që është i pranueshëm edhe në Moskë, përpos Uashingtonit dhe Brukselit.

Kjo ide shkon në favor të Beogradit sepse, nëse mbahet kjo konferencë, Serbia do t’i ketë përkrah saj dy superfuqi që i mbrojnë interesat e saj.

Rusia dhe Kina prej fillimit e kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, dhe normalisht që ato do të bëjnë një gjë të tillë edhe në këtë tryezë.

Kështu që duke pasur SHBA-të që e përkrahin pavarësinë e Kosovës dhe Bashkimi Evropian që është neutrale ndaj saj, përball Kinës dhe Rusisë që e kundërshtojnë atë, patjetër që kjo do të çojë në një kompromis ndërmjet këtyre superfuqive.

E ky kompromis mund të jetë fatal për Kosovën, që edhe ashtu ka bërë mjaftueshëm në bisedimet e Brukselit.

Presioni ndaj SHBA-së dhe BE-së

Një qëllim tjetër i Serbisë përmes kërkesës për konferencë ndërkombëtare të modelit të Rambujes, është se përmes saj, ajo në një farë mënyrë po i bën presion Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

Viteve të fundit, Rusia ka filluar të shtrijë ndikimin e saj në Ballkan. Krejt këtë po e bën përmes Serbisë dhe Republikës Serbe në Bosnje. Millorad Dodik haptas e thotë se ai është mik i Putinit, dhe sipas tij që serbët të arrijnë qëllimet e tyre, ata duhet të bashkëpunojnë me Moskën, e jo më perëndimin.

Po ashtu, Moska e ka hapur një qendër të saj në Nish, kinse humanitare, por dyshohet se ajo është një bazë ushtarake që ka për qëllim fuqizimin e Rusisë në Ballkan. Kremlini i frikësohet Bonstillit dhe ai mendon që të vendos armë të rënda në Nish për të përballuar amerikanët në një konflikt eventual në të ardhmen.

Kjo do të ishte kundër interesave të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Një bazë ushtarake ruse në Serbi me armë bërthamore, përbën rrezik eventual për sigurinë e shteteve të BE-së, dhe rrjedhimisht edhe për SHBA-të.

Kështu që interesi Uashingtonit dhe i Brukselit, është që ta shkëpus përfundimisht Serbinë nga Rusia.

Serbia këtë gjë e ka nuhatur mirë qysh në fillim dhe përmes saj, ajo herë pas herë e përdor këtë kartë kundër perëndimit për qëllime të saj.

Kërkesa për konferencë ndërkombëtare, parapërgatitje për kompromise me Kosovën

Duke parë që qëllimi i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian është që ta shkëpus Serbinë nga Rusia, kjo e fundit e ka kuptuar këtë gjë dhe për këtë po hedh ide për konferenca ndërkombëtare.

Edhe nëse nuk mbahet një konferencë e tillë, ajo përmes saj po i bën presion në një farë mënyre SHBA-së dhe BE-së që në bisedimet finale që pritet të mbahen se shpejti, duhet të bëhen kompromise sepse përndryshe, Serbia mund edhe mos të marr fare pjesë.

Edhe presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili ka pranuar të marr pjesë në bisedimet e formatit të Brukselit, por kërkon që të ketë kompromise.

Sipas tij, në këto negociata duhet të bëhen kompromise, e jo njëra palë të fitojë të gjitha, e tjetra të dal humbëse.

Ende nuk dihet se cilat janë ato kompromise që po i kërkon Vuçiqi, por në disa deklarata që po vijnë, ato do të jenë të dhimbshme për Kosovën.

Njëra nga këto është që Asociacioni të themelohet me kompetenca ekzekutive duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit që Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të saj bien ndesh me kushtetutën.

Kjo gjë do të ishte fatale për shtetin e Kosovës, sepse krijohet një pushtet i tretë i vendimmarrjes, dhe ekziston rreziku që ku Asociacion një ditë të kërkojë shkëputjen nga Kosova dhe bashkimin me Serbinë.

Një ide tjetër që po qarkullon si mundësi për kompromise, është që resurset strategjike të Kosovës të menaxhohen nga Asociacioni.

Liqeni i Ujmanit që furnizon me ujë termocentralet e Kosovës dhe që pesë komuna varen nga Gazivoda po kërkohet që të menaxhohet nga ky etnitet politik.

Pjesë e Trepçës në veriun e Kosovës, po ashtu po kërkohen nga zyrtarët serb që institucionet tona i kanë caktuar për hartimin e statutit të Asociacionit, të menaxhohen nga kjo e fundit.

Ky resurs është jetik për Kosovën dhe menaxhimi i tij nga Asociacioni, paraqet rrezik në të ardhmen për prodhimin e energjisë.

Andaj, prapa kërkesave për konferencë ndërkombëtare të modelit të Rambujes mund të jenë zyrtarët serb, sepse ata mendojnë që edhe nëse nuk mbahet ajo, perëndimi do t’i marrë parasysh kërkesat e Serbisë për kompromise në bisedimet finale me Kosovën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test