FAK-u, mashtrim i Presidentit Thaçi - Bota Sot
FAK-u, mashtrim i Presidentit Thaçi

Politika

E enjte, 18 tetor 2018

FAK-u, mashtrim i Presidentit Thaçi

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 qershor 2018 Në ora: 10:07
FSK

Derisa Lista Serbe po vazhdon në insistimin se është kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, zyrtarë nga Qeveria e se fundmi edhe Bekim Çollaku, këshilltar i Presidentit po shprehen të bindur se gjatë këtij vitit Kosova do ta ketë ushtrinë e saj.

Mirëpo, zyrtarë nga Qeveria dhe Presidenca ende nuk kanë treguar se si do t`i të arrijnë t`i sigurojnë votat për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për formimin e FAK-ut.

Javën e kaluar, Lista Serbe  në një komunikatë, ka thënë se në pamundësi për të siguruar kushte më të mira për jetën për të gjithë qytetarët në Kosovë, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës ofrojnë luftë dhe tregime separatiste për qytetarët.

“Kështu deklaruan se për Prishtinën lufta me serbët nuk ka mbaruar, për çka presim reagim më urgjent të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Lista Serbe, sipas së cilës, deklarimet e tilla janë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Premtimi i Presidencës

Për më tepër, kjo parti i është kundërvënë edhe njëherë formimit të ushtrisë së Kosovës, pasi sipas saj është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe marrëveshjen e Kumanovës, por edhe interesave të sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe shtetit serb.

Mirëpo, Bekim Çollaku, këshilltar i Presidentit Thaçi ka thënë se gjatë vitit 2018, do të përfundojë procesi i krijimit të ushtrisë, i iniciuar nga i pari i vendit. Ndërsa ai ka paraparë edhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Image
Bekim Çollaku

Presidentit Thaçi i dështoi iniciativa për krijimin e ushtrisë gjatë vitit 2017, ndërsa Çollaku pret që e njëjta histori të mos e përshkojë edhe këtë vit.

“Kosova e ka ushtrinë e vet sot dhe do t’i ketë edhe Forcat e Armatosura të Kosovës, shpresoj deri në fund të këtij viti. Me ligj apo me ndryshime kushtetuese, kjo do të bëhet realitet”, ka thënë Çollaku.

Selimi: Thaçi manipulon njëjte edhe kur flet vetë edhe kur flet përmes këshilltarëve

Në lidhje më këtë, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ka thënë për “Bota sot”, se pyetja për formimin e ushtrisë ka kohë që po i bëhet opozitës dhe sipas Selimit, kjo pyetje duhet t'i bëhet vetëm qeverisë se vendit.

Image
Rexhep Selimi

“Ka kohë që po i bëhet kjo pyetje opozitës. Në fakt, këtë pyetje duhet t'ia bëjmë së bashku qeverisë dhe pushtetarëve. E nëse nuk na përgjigjen serish atëherë ne po ua bëjmë pyetjen se deri kur do të vazhdojnë të luajnë më ushtrinë e Kosovës.  Thaçi manipulon njëjte edhe kur flet vetë, edhe kur flet përmes këshilltarëve. Atij, madje as nuk i vjen turp, sepse mashtrimin e opinionit e llogarit si zgjuarësi të tij. Prandaj, nuk ia vlen as ta vlerësojmë më tutje, atë çfarë thonë e çfarë bëjnë Thaçi e as këshilltarët e tij”, ka thënë Rexhep Selimi nga Vetëvendosje.

Kurse, sipas njohësit të çështjeve juridike në vend Muhamet Kelmendi, Ushtria ka mundësi të bëhet dhe në aspektin ligjor janë dy mundësi, nëse e përjashtojmë mënyrën politike të krijimit të ushtrisë, ku Hashim Thaçi  pretendon.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në aspektin ligjor janë dy mënyra, më anën e ndërrimeve kushtetuese ku kërkohen 2/3 e të gjitha deputetëve dhe edhe të minoritetit serb dhe më ligj ku del ushtria pa këtë klauzolë, sepse ligjësisht, kushtet ligjore janë përmbushur për këtë ligj. Ndërsa, kur është të forma e tretë, ajo është shumë e rrezikshme, sepse del me njohje reciproke të shteteve tona të Serbisë nga ana e Kosovës dhe anasjelltas, të Kosovës nga ana e Serbisë. Por, kjo ka rreziqe. Kryesisht për faktin se Serbia e donë 1/3 e territorit të Kosovës për të ardhur tek kjo zgjidhje”, ka thënë Kelmendi.

Tërnava: Premtimet e Çollakut janë banale

Kurse, njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Ternava, ka thënë për “Bota sot”, se sipas procedurave kushtetuese dhe ligjeve të Kosovës në fuqi, ushtria e ka të vështirë që të formohet.

“Aventurat dhe premtimet e këtyre politikanëve sikur në rastin e këshilltarit të presidentit Bekim Çollaku apo edhe të vet presidentit, tani janë premtime banale, prandaj edhe nëse presidenti na premton se Kosova do të pranohet në BE ne fund të këtij viti nuk është çudi, sepse këta udhëheqës deri më tani kanë premtuar shume.  Asnjë premtim i tyre nuk është realizuar deri me tani. Premtimet nga ta vijë atëherë kur atyre iu dridhen karriget apo iu luhatet kredibiliteti i tyre, dhe më këto premtime e mashtrojnë opinionin deri në harresën e tyre për ato premtime të tyre”, ka thënë Ternava.

Image
Hajrullah Ternava

Sipas tij, politikanet tonë i përdorin këto mënyra të premtimeve se e kanë kuptuar se populli asnjëherë nuk është në situatë më i ndëshkuar dhe deri më tani nuk ka tentuar një gjë të tillë.

“Sikur populli t'u ngriste në demonstrata të përmasave të mëdha jo partiake, dhe t'i ndëshkonte këta njerëz që pa turp japin premtime të tilla, situata politike do të ndryshonte dhe politikanet do ta merrnin leksionin e tyre nga populli. Kjo do të iu shërbente edhe gjeneratave tjera të politikanëve që vinë në pushtet që të punojnë ndershëm konfrom ligjit, sepse populli është vlerësuesi i tyre sikur që ndodhë në shtetet demokratike të BE-së”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, ky popull nuk do të vetëdijësohet dhe të dënojë premtimet dhe krimet e këtyre udhëheqësve, që e kanë katandisur këtë vend dhe të rinjve ua kanë  shuar shpresën e të jetuarit në Kosovë, këta do ta vazhdojnë më këto premtime. Prandaj, premtimet e politikanëve janë mashtrime dhe ata i përdorin sikur e shpjegova më lartë vetëm për qëllimet e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test