Partia Socialdemokrate (PSD) të hënën do të mbajë tryezën e radhës me partitë politike me temë “Dialogu me Serbinë: Fuqizimi i Republikës Parlamentare”.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Salih Salihu, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur rreth tryezës së paralajmëruar nga partia e tij.
“Sa i përket ftesës, se cilat parti do të ftohen apo nuk do të ftohen nuk kam informacione, mirëpo është caktuar vetëm tema, e që do të jetë dialogu me Serbinë”, është shprehur deputeti i PSD-së.
I pyetur se a do të diskutohet në këtë tryezë edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme, Salihu tha se momentalisht nuk ka disponim për këtë çështje.
“Momentalisht po shihet se nuk ka disponim. Ju i keni parë debatet e fundit, ku u deklaruan kinse janë për zgjedhje, por sa po shihet asnjëherë prej tyre nuk e kanë seriozisht. Momentin që bëhen numrat edhe ne jemi dakord. Siç duket numrat nuk janë, me Listën Serbe nuk duket e arsyeshme me rrëzu qeverinë dhe jo e hijshme. Kështu që, nëse bëhen numrat, kushdo që i bën edhe ne i japim, në qoftë se është vetëm PSD-ja”, përfundoi deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Salih Salihu, për gazetën “Bota sot”.
Ndërkohë, opozita në Kuvendin e Kosovës në vazhdimësi është duke e kontestuar legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.