Edhe Kushtetuesja vendosë të mos “vjedhë”, i rritë pagat për pushtetarët dhe për veten!

Politika

Edhe Kushtetuesja vendosë të mos “vjedhë”, i rritë pagat për pushtetarët dhe për veten!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 qershor 2018 Në ora: 12:16
Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka marr një vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar.

“Vendimi i Haradinajt, përpos që është vepër penale, është edhe kundër-kushtetuese, për shkak se ka ndërhyrë edhe në kompetencën e Kuvendit. Autoriteti që merr vendime është Kuvendi përmes ligjit për paga. Ne kemi nisur të shkruajmë kallëzim penal për kryeministrin dhe ministrat që morën vendimin, përfshirë edhe gjyqtarët”, tha deputetja Albulena Haxhiu, të mërkurën në një konferencë për media.

Qeveria e Kosovës më 20 dhjetor të vitit të kaluar ka marr një vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar.

Me vendimin e Qeverisë dhe pas aprovimit nga Gjykata Kushtetuese rroga mujore e kryeministrit Haradinaj do të jetë 2,950 euro.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thënë se është e pa kuptimtë që kryeministri të ketë rrogën 1300 euro duke marrë parasysh përgjegjësinë politike që ka.

“Dy milionë euro me i menaxhuar është e pa kuptim përgjegjësia politike e para, përgjegjësia edhe financiare e një kryeministër me pas rrogën 1300 euro, ose vjedh, ose është i pa sinqertë  i mashtron popullin e vet. Unë po mendoj me punu, po mendoj me i shërbye vendit tim, iu kom dedikuar edhe i ftoj kolegët e mi të Qeverisë që vërtet ta respektojnë përgjegjësinë që na e kanë dhanë populli”, kishte deklaruar kryeministri Haradinaj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pagat e zyrtarëve qeveritarë, ka shkuar edhe në të mirë të Gjykatësve të kushtetueses.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese, Neni 15, përcakton se “paga e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është 1.3 herë më e lartë sa ajo e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës”. Ndërkaq, sipas ligjit kryetari i Gjykatës Supreme merr pagë sa të kryeministrit ndërsa gjykatësit e Supremes marrin 90% të pagës së kryetarit.

Paga momentale e gjykatësit kushtetues pa shtesa dhe mëditje është rreth 1,653 euro ndërsa me rritjen e cila vjen pas vendimit të fundit paga do arrijë rreth 3,400 euro.

Image
Albulena Haxhiu

Vetëvendosje përgatitë kallëzim penal

Lëvizja Vetëvendosje e vlerësoi si "skandal dhe abuzim me paratë e taksapaguesve" vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lejimin e rritjes së pagave për kabinetin qeveritar.

Në një konferencë për media, deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu, tha se në vend që Gjykata Kushtetuese të ndalonte abuzimin me paranë publike, gjyqtarët, përmes atij vendimi, e mundësuan edhe rritjen e pagës për veten.

Haxhiu tha se VV është duke përgatitur kallëzim penal.

“Vendimi i Haradinajt, përpos që është vepër penale, është edhe kundër-kushtetuese, për shkak se ka ndërhyrë edhe në kompetencën e Kuvendit. Autoriteti që merr vendime është Kuvendi përmes ligjit për paga. Ne kemi nisur të shkruajmë kallëzim penal për kryeministrin dhe ministrat që morën vendimin, përfshirë edhe gjyqtarët”, tha deputetja Haxhiu.

Sipas saj, për shkak se implikimet buxhetore të këtij vendimi nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2018, paratë do të merren nga buxheti për shëndetësi apo edhe për ndërtimin e shkollave apo çerdheve.

IKD: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese bie ndesh në radhë të parë me vet misionin dhe autoritetin e saj

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese bie ndesh në radhë të parë me vet misionin dhe autoritetin e saj në sigurimin e funksionalitetit të institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe cenon rëndë parimet bazë të formës së qeverisjes, siç është ndarja e pushteteve në mes tri pushteteve të qeverisjes, si dhe kontrolli e balancimi i tyre.

“Vendimi i Qeverisë lidhur me ngritjen e pagave, në asnjë nen nuk i referohet ndonjë ligji. Përkundrazi, i njëjti i është referuar neneve 92 dhe 93 të Kushtetutës që të cilat kufizojnë kompetencën e Qeverisë vetëm sa i përket kompetencës së saj për të vepruar në “pajtueshmëri” dhe në funksion të “zbatimit të një  ligji”. Çdoherë ligji prezumohet se është kushtetues deri të mos vërtetohet e kundërta. Ky është nja parim i njohur i demokracive kushtetuese nëpër botë. Vendimi i Qeverisë fare nuk ka treguar nëse ky ka për qëllim zbatimin e Ligjit për Buxhet apo zbatimin e ndonjë ligji tjetër që rregullon pagat e funksionarëve të lartë shtetëror dhe kategorive të caktuara të shërbyesve publik. Qëndrimi i Gjykatës në pikën 95 të Aktgjykimit shkel rëndë nenin 18 të Ligjit për Buxhetin për vitin 2018, i cili nen përcakton në mënyrë të qartë se “Kurdo që propozohet një legjislacion i ri, strategji ose ndonjë akt tjetër i ngjashëm, organi propozues e dorëzon atë paraprakisht në Ministrinë e Financave, së bashku me Formularin mbi Vlerësimin e Ndikimit Buxhetor”, thuhet në përgjigjen e IKD-së dhënë gazetës “Bota sot”. 

Sipas tyre, as vendimi i Qeverisë për rritjen e rrogave, as përgjigjet e saj dhe të Ministrisë së Financave, por as Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk japin asnjë të dhënë lidhur me vlerësimin apo ndikimin financiar që vendimi i kontestuar mund të ketë, për vitin 2018 dhe për dy vitet e ardhshme.

“Në këtë drejtim Aktgjykimi i Gjykatës lidhur me vendimin e Qeverisë, bie në kundërshtim me vet praktikën e ndërtuar nga kjo Gjykatë në rastin KO 118/13 i datës 9 shtator 2013. Ky vendim për rrogat duhet të shikohet në dritën e jurisprudencës së mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, i cili vendim i gjykatës kishte shpallur të drejtën e Kuvendit për të miratuar buxhetin dhe për të kontrolluar zbatimin e tij. Jurisprudenca e cituar në atë vendim, konform hulumtimeve sipas Udhëzuesit 06/2012 si më sipër, është më bindëse dhe standarde sa i përket kufizimeve të ekzekutivit në sferën e ligjvënies në materien financiare dhe buxhetore. Ky fakt e bën të pakuptimtë dhe jo të bazuar tejkalimin e Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e saj datës 11 qershor 2018”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e IKD-së.

Image
Fadil Lepaja

Lepaja kërkon balancim ndërmjet rrogave dhe stafit

Opinionisti Fadil Lepaja thekson se, është më korrekte të insistohet që zyrtarët e shtetit të kenë rroga të larta dhe të vlerësohet performanca e tyre sesa të mbahen me rroga të ulëta dhe të mbyllen sytë përpara mospunës së tyre dhe korrupsionit duke i arsyetuar me pagat e ulëta.

“Natyrisht mendoj se numri i ministrave dhe zëvendës ministrave nuk guxon të jetë përtej nevojave reale të vendit dhe kjo duhet të rregullohet me ligj ashtu që numri i tyre të mos varet nga koalicionet dhe të mos jetë një mënyrë për me rehatua militantët e partive.

Duke i mbajtur pagat e mira rritet edhe konkurrenca dhe interesimi që të punohet në shtet dhe  rritet vetrespekti i zyrtarëve dhe rezistenca ndaj presioneve për të u korruptuar.

Kështu që mendoj se duhet të angazhohemi që zyrtarët të kenë paga të dinjitetshme dhe të zvogëlohet numri i tyre në nivelin e nevojave reale të shoqërisë”, thotë Lepaja për gazetën “Bota sot”.

Përfitimet marramendëse

Nga 2,500 euro do të paguhen zëvendëskryeministrat, ndërsa më herët janë paguar nga 1,356.30 euro, një rritje kjo për 90 për qind.

Nuk do të qëndrojnë keq dhe ministrat. Ata tash do të paguhen 2,000 euro për muaj, nga 1,270.50 euro që ishin paguar më herët, me një rritje prej më shumë se 70 për qind. Ndërsa, zëvendësministrat do të jenë të vetmit që do t’u zbritet paga, nga 1,182.50  euro, ata do të paguhen për muaj me 1,150 euro. Kjo një ulje page prej 32.50 euro.

Këshilltarët e lartë të tyre gjithashtu do të gëzojnë paga të larta. Këshilltari i Lartë i Kryeministrit dhe i ministrit deri më tani janë paguar nga 693 euro, por nga tani ata do të paguhen 1,340 euro, përkatësisht 1,050 euro, me gati 100 për qind rritje. Ndërsa, këshilltari politikë i ministrit tash do të paguhet 800 euro bruto, nga 577.50 euro bruto që ishte paguar më herët, apo gati 80 për qind më shumë.

Po ashtu, asistentët dhe shoferët do të gëzojnë pagë të lartë. Asistenti i Lartë i Kryeministrit tash do ta ketë pagën prej 970 euro. Asistenti i Lartë i Ministrit do ta ketë pagën prej 600 euro nga 407.55 euro, apo 80 për qind më shumë, ndërsa shoferi i tij do të paguhet 580 euro nga 348.56 euro që ishte paguar më herët, me një shtim page mbi 80 për qind.

Këto nuk janë përfitimet e vetme që Kabineti Qeveritar do ta ketë.

Referuar nenit 21, pika 1 të Rregullores për fushat e Përgjegjësitë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrave thuhet se Kryeministri mund të emërojë deri në 12 Këshilltarë Politikë.

Por, me ndryshim-plotësimin e kësaj Rregulloreje, numri i këshilltarëve rritet për 9 dhe Kryeministri mund të emërojë deri 21 Këshilltarë Politikë.

Në nenin 2 të Plotësim-Ndryshimit të kësaj Rregulloreje thuhet se “Te neni 21 paragrafit 1, pas pikës shtohet teksti si në vijim: Kryeministri, gjithashtu mund të emërojë edhe nga një (1) këshilltar politik për secilin nga komunitetet nga radha e komunitetit serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran, malazez dhe kroat”.

Përveç Kryeministrit, në këtë Rregullore ceket se edhe Ministrat kanë të drejtë të emërojnë nga një këshilltar që vjen nga komunitetet pakicë.

Sipas të njëjtës Rregullore Kryeministri, Zëvendëskryeministrat, Ministrat emërojnë një nga këshilltarët politikë në cilësinë e Këshilltarit të Lartë Politik.

Gjithashtu, Zëvendëskryeministrat dhe Ministrat kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë dhe me plotësim-ndryshimin e Rregullores, atyre u shtohet edhe një këshilltarë nga komunitetet, që i bie nga 6 këshilltarë sa kishin të drejtë, tash mund të emërojnë 7. Pra, në nenin 3 të saj, thuhet se “Ministrat, gjithashtu mund të emërojnë një (1) këshilltar politik nga komunitetet”.

Deri në 161 Këshilltarë Politikë

Nën supozimin që bëjnë emërimin e këshilltarëve në përputhje me numrin maksimal të lejuar nga Rregullorja, Zëvendëskryeministrat dhe Ministrat, që gjithsej janë 23, mund të emërojnë në total 161 Këshilltarë Politikë.

Sipas të njëjtës Rregullore, në nenin 33, përcaktohet edhe numri i nëpunësve nëpër kabinete, të cilët nuk janë nëpunës civilë dhe u pushon mandati me përfundimin e mandatit të vartësit të tyre. Në këtë rregullore thuhet se Kryeministri mund të emërojë deri në 15 të punësuar në kabinetin e tij. Pra, këta nuk janë këshilltarë, por janë nëpunës.

Zëvendëskryeministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar, ndërsa ata zëvendëskryeministra që mbulojnë edhe ministri mund të emërojnë deri në 5 të punësuar në kabinet. Ministrat mund të emërojnë deri në 4 të punësuar në kabinet, ndërsa zëvendësit e tij mund të emërojnë deri në 2 të punësuar në kabinet. Po ashtu, zëvendësministrat me miratim të ministrit mund të kenë edhe një këshilltar në dispozicionin e tyre.

Secili nga këta 88 zyrtarë të lartë ka të drejtë në një shofer, që i bie Kryeministri, zëvendësit e tij, ministrat dhe zëvendësit e tyre. Pra, janë 88 shoferë që duhet të punojnë për Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrave.

Krahasuar me pagat e shefave të Qeverive në Ballkanin Perëndimor, del se Kryeministri Haradinaj ka pagën më të lartë në rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat