Gjenocidi serb që tmerroi botën, ende i pandëshkuar! Presidenti Thaçi premtoi padi kundër Serbisë, por...

Politika

Gjenocidi serb që tmerroi botën, ende i pandëshkuar! Presidenti Thaçi premtoi padi kundër Serbisë, por...

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 qershor 2018 Në ora: 21:58
Gjenocidi serb në Kosovë

19 vite kaluan që nga paslufta e derimë sot, por plagët e luftës dhe gjenocidi serb ende është i freksët për shqiptarët.

Në luftën e përgjakshme të Kosovës me Serbinë fashiste, shqiptarët përjetuan gjenocidin e tmerrshëm në historinë e saj të shkaktuar nga regjimi serbo-sllav, megjithatë autoritetet e Kosovës, ende nuk e kanë bërë as hapin më të vogël për ta paditur Serbinë për të gjitha krimet që i ka bërë në Kosovë.

Dihet se në dy deklarata publike, kohë më parë presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se Kosova shumë shpejt do të ushtrojë padi ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, megjithatë Qeveria e Republikës së Kosovës, ende nuk ka ndërmarr asnjë hap konkret në këtë drejtim.

Për 19 vjet Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, përmes të cilit do ta vinte para drejtësisë Serbinë për krimet e shkaktuara në Kosovë dhe për dëmet materiale.

Sipas njohësve të çështjeve politike Kosova ka pasur mjaft fakte për ta paditur Serbinë për gjenocid, krime lufte apo të paktën për dëmet gjatë luftës, por kjo nuk është bërë as pas pavarësimit të Kosovës.

Pra, vitet e luftës 1998-1999, në Kosovë, janë regjistruar me një numër të madh viktimash. Mijëra shqiptarë të Kosovës, mbetën të vrarë dhe të masakruar nga trupat paramilitare por dhe ato të rregullta të ushtrisë serbe. 

Nga kjo luftë u dëbuan rreth 100 mijë shqiptarë dhe u vranë 15 mijë persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë.

Gjatë luftës janë zhdukur edhe rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende shumë prej tyre vijojnë të kërkohen nga të afërmit.

Por, edhe pse ka me qindra dëshmi që vërtetojnë gjenocidin serb në Kosovë, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap për paditjen e Serbisë, e nga ana tjetër po trumbetohet Gjykata Speciale, kinse për krimet që ka ktyer UÇK-ja. 

Është fakt, se njësitë kriminale dhe artileria e rëndë serbe shkatërruan dhe dogjën rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, biznese, punishte zejtarie, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj. Faktet për gjenocid në Kosovë, çdo ditë e më shumë po shtohen.

Por, tash për tash Kosova mund të aplikojë që të anëtarësohet vetëm në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Sipas Statutit të Romës, neni 5, (gjyqësia e ICC-së - GJNP-së) zbatohet në këto fusha: në krime kundër njerëzimit, krime të luftës dhe agresionit etj. Për dallim nga gjykatat ad hoc, që kanë përparësi nga gjykatat kombëtare, për ICC-në (GJNP-në), sipas nenit 1 të statutit të saj, vlen principi i gjyqësisë plotësuese apo komplementare. Kushtet për aktivizimin e kësaj gjykate janë të sanksionuara në nenin 17 të Statutit të Romës.

Megjithatë, Kosova me urgjencë duhet të nisë lobimin për t'u bërë shtet palë i Asamblesë së kësaj Gjykate dhe ta ratifikojë marrëveshjen për hetimin e krimeve të luftës në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë.

Llojet e krimit ndaj Kosovës e shqiptarëve nga Serbia kanë qenë prej aparteidit, agresionit kushtetues, agresionit ushtarak, helmimeve, dhunimeve, vrasjeve, masakrave e deri te djegia e mbetjeve mortore, si akti më i lartë i krimit, pra tentimi për zhdukjen e fakteve. E mos të flasim për shkatërrimin e pasurisë shoqërore e individuale deri në zero.

Shpresojmë që, Republika e Kosovës, me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj të cilët ishin edhe pjesë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, të mendojnë edhe për padinë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës, e sidomos ndaj personave civil ku masakrat e kryera nga Serbia kanë tmerruar edhe botën, dhe mos të fokusohen vetëm në interesat e tyre personale e klanore, fakt ky i cili po ndodh që nga paslufta në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat