Qeveria përplot me njerëz me dosje dhe histori të dyshimta

Politika

Qeveria përplot me njerëz me dosje dhe histori të dyshimta

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 17 qershor 2018 Në ora: 07:36
Qeveria e Kosovës

Besim Beqaj, Pal Lekaj dhe Valdrin Lluka, janë tre nga ministrat e qeverisë Haradinaj që do të përballen me drejtësinë.

Megjithatë, as Beqaj e Lekaj nuk janë të akuzuar për vepra penale që kanë kryer në cilësinë e ministrave të qeverisë aktuale.

Besim Beqaj akuzohet për vepra penale në aferën e njohur si ‘Klani Pronti’, ndërsa për Lekajn është ngritur aktakuzë për korrupsion në kohën sa ka qenë  kryetar  i Gjakovës..

Përveç dy ministrave me aktakuzë të atij të PDK-së dhe AAK-së, me aktakuzë është duke u përballur edhe ministri i zhvillimit ekonomik nga radhët e AKR-së, Valdrin Lluka.

Lluka dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshefit të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, më 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën kishte qenë njëri prej themeluesve.

Qeveri e skandaleve

Image
Besa Gaxherri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo qeveri do të duhej të merrte shembull nga qeverisja e LDK-së, ku nuk ishte i përshirë as edhe një ministër me aktakuzë.

“Kjo qeveri nuk është risi për çfarëdo skandali që dëgjojmë. Natyrisht që kjo qeveri është e stër ngarkuar në radhë të parë me ministra, zëvendësministra, këshilltarët, që janë të papranueshme nga aspekti buxhetor,  e që  edhe e pengoj njëri- tjetrin. Përveç këtyre,  kjo qeveri ka  shumë ministra me aktakuza dhe është dashur të merret shembull qeveria Mustafa, ku çdo ministër me akuza ka dhënë dorëheqje dhe në kabinetin qeveritar Mustafa 1 ka qenë rregull që ministrat me akuzua të mos përshihen në qeveri. Kjo qeveri është qeveri e skandaleve dhe që ka marrë vendime shumica dërmuese jashtë ligjore dhe me të vërtetë ne jemi duke punuar që të gjejmë formën si ta largojmë këtë të keqe nga vendi”, ka përfunduar deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri.

Kosova është në izolim të plotë dhe regres

Image
Haki Abazi

Njohësi i çështjeve politike Haki Abazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se arsyeja pse Hardinaj nuk i liron këta njerëz nga pozita ka të bëjë me pozitën fragjile, që ka qeveria dhe marrëdhëniet me partnerë.

“Qeveria Hardinaj është një qeveri heterogjene në të gjitha aspektet. As nuk është e majtë e as e djathtë, e më se paku e drejtë. Kjo qeveri është e mbushur me njerëz me histori dhe dosje të dyshimta dhe së fundi edhe me njerëz të akuzuar për abuzim me asetet publike strategjike që janë edhe kategori kushtetuese. Arsyeja pse Hardinaj nuk i liron këta njerëz nga pozita ka të bëjë me pozitën fragjile, që ka qeveria dhe marrëdhëniet me partnerë. Çdo lëvizje mund ta thyejë, edhe ashtu një qeveri që nuk i ka votat e mjaftueshme në parlament. Qeveria Haradinaj është duke mbijetuar falë faktit që PSD nuk është as mish, e as peshk dhe po mundohet të negociojë në fatkeqësinë e vendit. Përndryshe, po të ishte opozita e bashkuar atëherë qeveria Hardianaj nuk do të mbijetonte as edhe një ditë”, ka thënë Abazi.

Tutje Abazi ka shtuar, se gjyqësia është e kapur dhe në linjën e tyre janë njerëz familjarë të pushtetarëve.

“Gjithsesi koston po e paguan vendi dhe qytetarët. Kosova është në izolim të plotë dhe regres. Krejt çka po presin është nëse mos rastësisht BE po i mëshiron për liberalizim të vizave, që mandej u jep njëfarë forcë për ta hedhur asociacionin në çështje të diskutimit. Por, unë mendoj që me agjendë artificiale dhe me parametra jo të vërtetë, e kanë shumë të vështirë që të bindin dikën që e kanë seriozisht. Vetëm në tre muajt fundit kanë liruar Azem Sylën dhe të akuzuar tjerë dhe kanë futur veshët në lesh për kthimin e e Xhabir Zharkut pas ikjes prej vendimit të gjykatës. Kudo në botë ai do të arrestohej për refuzimin dhe ikjen ilegale nga vendi, edhe nëse i është rishkruar dënimi për akuzat fillestare. Procesi për Ramadan Mujën, nuk është përfunduar asnjëherë. Këto janë raste të matshme dhe të kapshme se gjyqësia është e kapur dhe në linjën e gjyqësisë janë njerëz familjarë të pushtetarëve që kontrollojnë procesin plotësisht”, ka përfunduar Abazi.

Qeveria nuk po jep sinjal në krijimin e kushteve për liberalizim te vizave

Image
Selim Daku

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka thënë për “Bota sot”, se diçka e tillë aktualisht nuk do të pengojë procesin e liberalizimit të vizave, por duhet të theksojmë që integrimet evropiane, nuk përfundojnë me marrjen e liberalizimit të vizave.

“Ministrat me aktakuza nuk do të duhej të ushtronin funksionin e tyre. Ata do të duhej të dorëhiqeshin nga funksionet për t’i liruar rrugë drejtësisë për zhvillimin e hetimeve. Ministrat me aktakuza nuk do të thotë se janë të fajshëm, por largimi nga ushtrimi i funksionit heqë dyshimet për ushtrim të autoritetit për ndikim në prokurori dhe gjykatë. Kosova është ballafaquar me kërkesën e BE-së për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si fenomene të shprehura në Kosovë. Edhe pse qeveria Haradinaj është rënduar nga aktakuzat, Kryeministrit dhe ministrat nuk kanë treguar gatishmëri për reflektim ndaj proceseve të drejtësisë. Kjo nënkupton se qeveria nuk po jep sinjale në krijimin e kushteve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse diçka e tillë aktualisht nuk do të pengojë procesin e liberalizimit të vizave, duhet të theksojmë që integrimet evropiane nuk përfundojnë me marrjen e liberalizimit të vizave”, ka përfunduar Selim Daku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat