Pse opozita duhet të jetë pjesë e dialogut

Politika

Pse opozita duhet të jetë pjesë e dialogut

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 qershor 2018 Në ora: 20:36
Foto ilustrim

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon ta përgatisë terrenin për të qenë drejtues i dialogut me Serbinë, ani pse nuk e ka miratimin nga partitë opozitare dhe si rrjedhojë as të Kuvendit.

Me kompetencë të plotë, Presidenti Thaçi deklarohet sa herë që pyetet për epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë historik dhe është i pa alternativë. Dialogu duhet të përmbyllet me një rezultat ‘win-win’ edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, sipas një marrëveshjeje me vlera e standarde evropiane”, ka thënë ai, ditë më parë në një intervistë.

Kjo deklaratë, sikurse edhe shumë të tjera të ngjashme të bëra nga Presidenti Thaçi, lënë të nënkuptohet se vendi nuk do t`i shpëtojë kompromiseve të dhimbshme për një marrëveshje përfundimtare me shtetin i cili ka kryer gjenocid.

Edhe më e dhimbshme bëhet kur përfaqësuesit e Kosovës në dialog, kanë thënë se nuk do t`i publikojnë kompromiset që mund të arrihen deri në një marrëveshje përfundimtare.

Një nga kompromiset që mund të ndodhë e që është përmendur vazhdimisht, është ai për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë të shtetit, ende nuk e kanë mohuar apo pohuar se ky do të jetë kompromisi për të arritur deri te marrëveshja finale.

“Nuk mund të komentoj në këtë fazë asnjë nga idetë apo opsionet që ndërlidhen me fazën përfundimtare të këtij procesi,  një gjë e tillë do të ishte tepër joprofesionale për mua”, ka thënë për “Bota sot”, Bekim Çollaku këshilltar i Presidentit Thaçi, kur është pyetur lidhur me opsionin e shkëmbimit të territoreve.

Duke parë gjithë këto deklarata të Thaçit dhe vartësve të tij, opozita në Kosovë do të duhej të ishte edhe më e zëshme për pjesëmarrje në dialog.

Vetëm në këtë mënyrë, partitë opozitare do të monitoronin nga afër kompromiset e rrezikshme të cilat mund të arrihen dhe t`i parandalonin ato.

Opozita aktuale, duhet ta dëshmojë se është e gatshme të bëhet zëri i qytetarëve të Kosovës në dialogun me Serbinë, duke parandaluar kompromise që do të ishin fatale për të ardhmen e vendit.

Tryezat të cilat po mbahen aktualisht nga subjektet politike, do të duhej ta trajtonin më me seriozitet çështjen e dialogut, pasi përballë do të jetë shteti i cili nuk ka qenë asnjëherë transparent në zbatimin e marrëveshjeve.

Tani që po afrohet faza finale e dialogut me Serbinë, uniteti i partive politike do të duhej të vendosej para çdo qëllimi të tyre për të arritur në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat