Kosova larg liberalizimit të vizave

Politika

Kosova larg liberalizimit të vizave

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 20 qershor 2018 Në ora: 08:31
Ilustrim

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ditë më parë ka qenë prezente në mbledhjen e Qeverisë ku është diskutuar për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ajo në këtë mbledhje është treguar shumë kritike për Qeverinë e Kosovës.

Apostolova në këtë takim, ka thënë se institucionet e Kosovës janë me vonesë në implementimin e Stabilizim-Asociimit.

“Nëse keni lexuar me kujdes strategjinë për vendet e Ballkanit Perëndimor keni mundur ta shihni se rruga e Kosovës drejt BE është e shtruar nga implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Këto prioritete kanë një kohë të implementimit dhe koha e përfundimit ka qenë një vit. E dimë që këto nuk janë bërë për shkak se keni pas procese zgjedhore dhe formimin e qeverisë. Ju e keni humbur një vit. Në mënyrë që ta kompensoni komisioni ka vendos me shty afatin e implementimit”, ka thënë Apostolova.

Por kjo vonesë e institucioneve në implementimin e Stabilizim Asociimit, mund të ndikojë edhe në liberalizimin e vizave.

Gazeta ka kontaktuar Ministrinë e Integrimeve Evropiane nëse do të ketë një ndikim të tillë, apo kush mund të jenë edhe përgjegjësit për këtë vonesë.

MJP: Janë plotësuar kushtet për liberalizim

Megjithatë, ditë më parë, në një përgjigje për gazetën tonë, zyrtarë nga kjo ministri thonë se në qershor pritet qëndrim dhe vendim i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Zbatimi i rekomandimit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka shënuar rezultate dhe presim të marrim dritën e gjelbër për liberalizimin. Duke vijuar me këtë rekomandim, presim që të gjitha procedurat tjera brenda Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Bashkimit Evropian, të marrim të drejtën për liberalizimin e vizave deri nga fundi i vitit, ngase, është procedurë normale e instancave evropiane vendimmarrëse”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Më tutje në përgjigje thuhet se krimi dhe korrupsioni nuk do ta pengojnë liberalizimin e vizave, pasi liberalizimi i vizave ka një ecuri tjetër dhe Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e domosdoshme për liberalizim, ndërsa procesi integrues evropian, është tjetër proces.

“Krimi dhe korrupsioni, në të dyja rastet vlerësohet si dukuri shumë e shëmtuar dhe ne me institucionet në të gjitha nivelet kemi dhënë dëshmi se jemi të përkushtuar fuqimisht që këto dukuri të denoncohen, të ndalohen, të ndiqen dhe të penalizohen”, thuhet më tutje.

Qeveria fajtore

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë se kjo qeveri nuk e ka përmbushur kriterin kryesor për liberalizimin e vizave, luftën kundër krimit dhe korrupsioni.

Image
Faton Mehmeti

“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për të përmbushur kriterin kryesor të liberalizimit të vizave, luftimin e korrupsionit. Andaj, BE është skeptike për dhënien e dritës jeshile për liberalizim të vizave. Kjo qeveri nuk ka vullnet për luftim të korrupsionit, pasi i bie se po e lufton vetëveten. Andaj deklarata e zonjës Apostolova ka të bëjë me mungesën e rezultateve konkrete kundër korrupsionit. Ky mund edhe të jetë faktori që të shtyhet ky proces, mjaft i zgjatur”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, fajtore është kjo qeveri, që vetëm me fjalë do ta integrojë Kosovën në BE.

“Fajtore është qeveria, e cila po varfëron qytetarët e të cilët shohin si shpresë të vetme ikjen nga Kosova, që përben rrezik për BE e cila ndaj është skeptike. Kosova s’po bën asgjë për tu integruar në BE me vepra , pos llafe e të cilat për BE janë të pamjaftueshme”, thotë Mehmeti.

Image
Faik Krasniqi

Hapi i parë drejt BE-së

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Faik Krasniqi, thotë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) nënkupton se Kosova ka bërë hapin e parë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, Qeveria e tanishme deri më tash vetëm rreth 30% e masave të parapara në MSA i kanë zbatuar.

“Liberalizimi i vizave bëhet nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), dhe komisionit përkatës të BE-së. Kështu që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe liberalizimi i vizave, janë dy çështje të ndara. Dhe çdo vonesë në implementimin e Stabilizim-Asociimit, do të thotë jemi sa më larg Evropës. Prandaj institucionet e Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi duhet të punojnë në mënyrë sa më dinamike në implemtimin e MSA-së, përndryshe Kosova s'do të mundet të bëhet pjesë e BE-së as 20 vitet e ardhshme nëse punohet me hapat e breshkës”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat