“Hashim Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht”

Politika

“Hashim Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 qershor 2018 Në ora: 08:04
Hashim Thaçi gjatë konferencës me gazetarë

Partitë politike opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë Presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i bisedimeve me Serbinë, mirëpo ky i fundit thotë se kjo çështje i kalon mandatet e përkohshme politike dhe se të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces.

Në anën tjetër, analistët politikë kërkojnë që opozita të jetë më e zëshme për ta kundërshtuar udhëheqjen e dialogut nga Presidenti Thaçi, gjersa shtojnë se duhen organizuar edhe protesta për ta parandaluar këtë.

Në prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës kishte sponsorizuar një platformë për finalizimin e dialogut me Serbinë dhe në bazë të kësaj Hashim Thaçi përfaqëson Kosovën në fazën finale të dialogut Kosovë- Serbi.

Platforma e cila kërkohej të ratifikohej nga Kuvendi, ishte kundërshtuar nga partitë politike opozitare, gjë që Kryeministri u detyrua ta tërheq për një kohë.

Por, edhe pse Platforma që parashihte udhëheqjen e bisedimeve nga Hashim Thaçi u tërhoq, edhe pse nuk u propozua një Platformë tjetër për t’u ratifikuar në Kuvend, Presidenti do të vazhdojë t’i udhëheq bisedimet me palën serbe.

Të dielën në Bruksel, Presidenti Hashim Thaçi do të takohet me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, me ftesë të përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Ky takim vazhdon të kundërshtohet nga partitë politike, por edhe nga analistët politikë.

Mirëpo, Presidenti Hashim Thaçi shprehet se ai ka obligim kushtetues ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe t’i prijë këtij dialogu deri në fund të këtij procesit.

Thaçi: Kosova duhet ta ketë një ekip sa më gjithëpërfshirëse

Sipas tij, dialogu i kalon mandatet e përkohshme politike dhe prandaj të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces.

“Si president i Kosovës në bazë të mandatit kushtetues, ligjor dhe legjitimitetit qytetar, tha se ka obligim kushtetues që të përfaqësojë shtetin e Kosovës, në arenën ndërkombëtare dhe t’i prijë këtij dialogu deri në fund të këtij  procesit.  Ndërsa pohoi se kjo i kalon mandatat e përkohshme politike dhe se të gjithë duhet të përfshihen në këtë proces. Presidenti Thaçi tha se Kosova duhet ta ketë një ekip sa më gjithëpërfshirëse,  që t’i diskutojmë gjërat paraprakisht dhe me qëllim që të evitohen keqkuptimet dhe sa i përket transparences”, është shprehur Thaçi në një konferencë për gazetarë.

Presidenti ka deklaruar se presin bisedime të rënda dhe të vështira, sepse tani synohet përmbyllja e këtij procesi, duke bërë marrëveshjen gjithëpërfshirëse,  historike dhe politike me Serbinë.

Pas tërheqjes së Platformës nga Kryeministrit, ky i fundit nuk kishte prezantuar një Platformë tjetër, as nuk kishte deklaruar për ndonjë përmirësim të atij dokumeti.

Dokumeti ishte vetëm dy faqe dhe nuk saktësonte temat që do të trajtoheshin dhe as nuk kishte të listuar parimet mbi bazën e të cilave duhet të udhëhiqet i gjithë procesi.

Platforma e cila kishte kërkuar që i gjithë procesi të udhëheqet nga Thaçi, vazhdon të kundërshtohet nga partitë opozitare, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi ta miratojë një Platformë për dialog.

Image
Naser Rugova

LDK: Nuk votojmë platformë që nuk respekton në plotëni parimet kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës, është duke kërkuar një dokument që respekton plotësisht parimet kushtetuese.

Naser Rugova, deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se ata janë për dialog dhe kësisoj për ata me rëndësi është përmbajtja e platformës dhe jo individi.

“Ne si LDK jemi për dialog, në parimin e reciprocitetit, në kuadër të kornizës kushtetuese të vendit tonë, për ne ka rëndësi përmbajtja e platformës për bisedime dhe jo individi, prandaj LDK nuk do mbështesë asnjë platformë dhe grupi jone parlamentar nuk do të votojë asnjë dokument që nuk respekton në plotëni parimet kushtetuese, sovranitetin dhe interesat shtetërore dhe nacionale”, ka pohuar Rugova.

Image
Nait Hasani

Hasani: Ka rrezik të eskalimit të përgjegjësisë politike në shkeljen e kushtetutës

Sikurse Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu edhe Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi ta miratojë një Platformë për dialog.

Nait Hasani, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë për “Bota sot”, se duhet të ketë koncezus për bisedimet me Serbinë.

Nëse nuk miratohet një Platformë politike nga Kuvendi, sipas Hasanit, ekziston rreziku i eskalimit të përgjegjësisë politike.

“Unë mendoj se duhet koncenzus për bisedimet me Serbinë. Pa miratim në Kuvend të ndonjë platformë politike, është rrezik të eskalimit të përgjegjësisë politike në shkeljen e kushtetutës”, ka deklaruar Hasani.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje kërkon protesta të fuqishme për parandalimin e Presidentit Hashim Thaçi.

Image
Drita Millaku

Millaku: Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka pohuar për “Bota sot”, se Presidenti me veprimin e tij tregon se për të është shumë e rëndësishme ta udhëheq dialogun, sepse në këtë mënyrë që ta përfundojë serinë e tij të koncesioneve.

“Hashim Thaçi edhe me këtë veprim na ka bërë me dije se për të është shumë e rëndësishme ta udhëheqë dialogun me Serbinë me qëllim që ta përfundojë serinë e koncesioneve me Serbinë. Me këto veprime Thaçi dëshiron të kthejë vëmendjen e opinionit për shkak se i ka humbur prestigji si tek ndërkombëtarët, ashtu edhe tek vendorët”, ka theksuar Millaku.

Ajo ka kërkuar protesta të fuqishme dhe bashkim të fuqishëm opozitar për ta parandaluar Thaçi.

“Thaçi përveç që ka privatizuar presidencën, ai po sillet sikur ta ketë pronësuar edhe shtetin e Kosovës. Thaçi duhet të ndalet me çdo kusht edhe me protesta të fuqishme dhe duhet një bashkim shumë i fuqishëm dhe i sinqertë opozitar. Thaçi me veprimet e veta të deritanishme ka treguar se punon kundër interesave të shtetit dhe atë në favor të Serbisë. Historikisht nuk kanë pasur njeri më të dëmshëm për interesat e shteti se Hashim Thaçi ”, ka shtuar Millaku.

Edhe, Partia Socialdemokrate nuk pajtohet që Presidenti t’i udhëheq bisedimet.

Image
Shpend Ahmeti

Ahmeti: Dialogu të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa duhet themeluar edhe një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi të cilit duhet t’i raportojë ekipi negociator.

“Duke marrë parasysh që dialogu po merr një agjendë të madhe të politikës, ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës, themelimi i një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut, ku ekipi negociator do t’i raportojë. Nëse mandatohet nga Kuvendi, ky i fundit mund ta shkarkojë këdo. Nuk e dimë se pse po shkohet në dialog. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Kosovës vendos që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun, atëherë nuk do ta ketë mbështetjen e PSD-së.

"Jo, ne e kemi thënë qëndrimin tonë, ne e kemi thënë që Thaçi nuk e paraqet figurën e unitetit", është shprehur Ahmeti.

Ndërkaq, analistët politikë kërkojnë që opozita të jetë më e zëshme për ta kundërshtuar këtë, gjersa shtojnë se duhen organizuar edhe protesta për ta parandaluar Thaçin.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Udhëheqja e deritanishme në dialogun me Serbinë ka qenë tragjike

Analisti politik, Jeton Kelmendi, thotë se udhëheqja e deritanishme në dialogun me Serbinë ka qenë tragjike, ndërkaq Thaçi është më meritori për integrimin e Serbisë në BE.

 “Udhëheqja e pafuqishme deri më tani ka qenë tragjike për Kosovën, udhëheqja e delegacionit të Kosovës  nga Hashim Thaçi ka qenë tragjike për Kosovën, pra bisedime të dhimbshme ka bërë ky njeri për Serbinë dhe integrimin deri më këtë shkallë, më meritorët nga të gjitha palët është Hashim Thaçi për integrimin e Serbisë në BE. Këtë meritë e ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ish-Kryeministri Isa Mustafa sa ishte në pushtet, e ka sjellë në krye Hashim Thaçin, i cili është njeri që nuk e mbështetë populli, është njëri i manipulimeve, njeri  që nuk e do Kosova”, pohon Kelmendi.

Ai kërkon nga partitë politike opozitare, që të jenë më të zëshme në kundërshtimin e udhëheqjes së bisedimeve nga Thaçi, ndërkaq sipas Kelmendit, protestat në rrugë do të mund ta parandalonin atë.

“Thaçi nuk ka mandat të bisedojë, mund të bisedojë personalisht, por jo gjërat zyrtare, nuk ka mandat të bëjë as edhe një fjalë për atë që thuhet mirëkuptim, apo bisedime, sepse partitë e dhanë fjalën e fundit, madje edhe Kryeministri e tërhoqi këta Platformë. Realisht këtu opozita duhet të jetë shumë më e zëshme, do të duhej që në kushte normale në këto rrethana të mos bisedohet, duhet të protestohet fuqishëm, duhet të protestohet në rrugë. Përndryshe, nëse vazhdohet me këtë avaz jam i sigurt që Thaçi do ta vë Kosovën në kaufsion, që ai të mos shkojë në Gjykatë Speciale, do të bëjë koncenzione që do të jenë edhe më të dhimbshme për Kosovën, i ka bërë deri më tani me formimin e Listës serbe, me demarkacion, asociacion, me gjëra anti kombëtare dhe kupola e tij do të jetë tërheqja e veriut, sepse Presidenti është i gatshëm për koncension për ta shpëtuar veten e tij”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat