Ministri Pal Lekaj duhet të arrestohet, por s’ka Prokurori që guxon!

Politika

Ministri Pal Lekaj duhet të arrestohet, por s’ka Prokurori që guxon!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 23 qershor 2018 Në ora: 12:42
Pal Lekaj, Lutfi Zharku

53 milionë euro, Qeveria e Kosovës i ka ndarë për Bechtel Enkën, për kompensimin e kësaj kompanie, pas zgjatjes së kontratës për autostradën “Arbër Xhaferi”.

Gjithë këto para kanë shkuar në xhirollogarinë e kompanisë Bechtel Enka, ndërsa qeveritarët tanë ndjehen ende komod dhe të paturpëruar!

Bechtel Enka i është gëzuar mjaft shumë këtij lajmi, ku shteti i Kosovës i dha hiç më pak se 53 milionë euro.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj pa shqetësim kishte kumtuar lajmin, duke ia hedhur fajin ish- ministrit Lutfi Zharkut, gjë që ky i fundit nuk e pranon.

Ministri aktual, Pal Lekaj, nuk ka dashur të përgjigjet për gazetën “Bota sot”. E përgjigje nuk kanë kthyer as prej Prokurorisë, kur janë pyetur se a kanë filluar hetimet për këtë rast?

A është i dyshuar vetëm Pal Lekaj dhe se në rast se gjendet fajtor për këtë vepër a do të arrestohet?

Heshtja institucionale

Heshtja e tyre, pra e ministrit Lekaj dhe e Prokurorisë, dëshmon faktin shqetësues në Kosovë, se që nga paslufta për njerëzit e fuqishëm të politikës drejtësia nuk vepron.

E si duket, edhe ky rast po dëshmon se pushtetarët tanë vendosin se kush duhet të arrestohet, gjykohet dhe burgoset.

Fakti se ka kryer vepër penale dhe nga kjo vepër e kryer në një vend normal ministri Pal Lekaj do ishte dënuar me burgim, u pa gjatë një emisioni televiziv kur djersitej duke mos ditur se kë ta lë fajtor.

Shteti i kapur herë nga PDK, e kësaj radhe nga AAK  me kryeministrin Ramush Haradinaj duket se duan ta bëjnë një zgjidhje, për ta shpëtuar ministrin Lekaj.

Pra, në Kosovë bën çka të duash, po je pushtetar mundesh që t’i tregosh dhëmbët para drejtësisë.

Image
Lutfi Zharku

Ish-ministri Lutfi Zharku i kontaktuar nga gazeta “Bota sot” , tha se nuk ka se çka të shtojë më shumë se sa deklaratat e dhëna nëpër mediet e Kosovës.

Lekaj akuzon Zharkun

Por, ishte ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, që kishte hedhur gishtin tek ish-ministri Lutfi Zharku, që sipas tij, Zharku nuk ka mundur t’i kryejë obligimet financiare ndaj kompanisë në fjalë, sa ato ishin me vlerë dukshëm më të ulëta.

Përveç kësaj, Lekaj ka pohuar se buxheti shtetëror ka rrezikuar të dëmtohet edhe më shumë shkaku i papërgjegjësisë ndaj kompanisë Bechtel Enka, e cila ka mundur edhe ta ndërprejë projektin për autostradën Prishtinë - Hani Elezit.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe aspak nuk jemi të lumtur për vendimin që na është dashur të marrim, por nuk kemi pasur ka t’ia mbajmë sepse, ndryshe do të ndërpritej projekti, pra lidhja e Kosovës me korridorin 6 dhe po ashtu do të rrezikohej edhe më tepër buxheti i vendit. Ne, mund t’iu themi me përgjegjësi të plotë, e kemi zgjidhur një problem dhe e kemi shpëtuar Kosovën nga një problem edhe më i madh që i është kanosur”, kishte deklaruar ministri Pal Lekaj.

Zharku kundërpërgjigjet!

Normalisht, kësaj deklarate i ishte kundërpërgjigjur ish-ministri Lutifi Zharku, kur kishte thënë se, ata nuk do të paguanin 53 milionë euro, por vetëm atë se sa kishin borxhe ndaj kësaj kompanie, duke shtuar se, kur ai ishte ministër sipas në marrëveshje me kompaninë Bechtel Enka, për shkak të vonesës së pagesës ishin dakorduar që të paguanin vetëm 14 milionë euro.

“Këtë nënshkrim e ka dhënë Qeveria Thaçi, në momentin e nënshkrimit të kontratës me kornizën afatmesme të shpenzimeve tri vjeçare kanë qenë të parapara 330 milionë euro, kurse kontrata është nënshkruar me 600 milionë euro, që do të thotë se Qeveria Mustafa e ka gjetë të gatshme një kontratë dhe që është dashtë ta përshtat buxhetin me këtë kontratë”, ka deklaruar Zharku.

Sipas tij, në pamundësi të përshtatjes së buxhetit, me gjithë obligimet kontraktuale ka qenë obligim të shtyhet afati i kryerjes së punimeve.

“Hill Internacional ka vërtetuar që është kontraktuale, që të paguhet shuma prej 14.78 milionë euro, e cila përbëhet nga 1 milion euro në muaj, e që i bien për 11 muaj e 20 apo 21 ditë, janë 11 milionë e 200 mijë euro. Kostoja e shtyrjes së garancionit të përformancës, që është 1 milionë e 200 mijë nëse nuk gaboj, që ka qenë 12 milionë e 500 mijë e gjitha, i shtohet edhe TVSH, dhe gjithsej bëhen 14 milionë e 7800 mijë, kjo është shuma që është aprovuar në shtator të vitit 2017. Natyrisht ne nuk e kemi përcjellë në Qeveri, që të aprovohet kostoja shtesë, e cila ishte kosto shtesë e kontraktuar nga Qeveria e kaluar”, ka thënë Lutfi Zharku.

Zeka kërkon dënimin, thotë nënshkrimin e dha Pal Lekaj

Por, këtë punë deputeti i Kosovës nga radhët e Nismas Socialdemokrate, Milaim Zeka, nuk dëshiron ta lë në gjysmë.

Image
Milaim Zeka

Ai kërkon dënimin e Pal Lekajt për 53 milionët, por nuk anashkalon as përgjegjësit e ish- ministrit Lutfi Zharku.

Zeka për gazetën “Bota sot” mendon se, siç shprehet ai, këtë kulaç e ka gatuar,  Qeveria e kaluar, e cila ka pasur një kontratë dhe një aneks kontratë me Bechtel Enkën.

Megjithatë, sipas Zekës  nënshkrimin për 53 milionët nuk e kanë dhënë nga qeveria e kaluar.

 “Unë si deputet i Parlamentit të Kosovës, kërkoj përgjigje nga Qeveria aktuale se kush është përgjegjës që e ka pru punën, se Kosova vendi më i varfër në Evropë me ia pagu Bechtel Enkës 53 milionë euro, që për mua kjo kompani është njëra ndër më kriminelet në rajon dhe në botë, e cila ka zhvatur me qindra milionë nga Rumania, nga Shqipëria dhe ka zhvatë qindra milionë nga Kosova. Kjo pra është pyetja ime që pres përgjigje nga Qeveria”, shprehet Zeka.

Deputeti Zeka thotë se, nuk ka interes privat as prej Qeverisë, e as prej Bechtel Enkës që mos të ketë guxim ta ngritë këtë çështje.

“Unë as nuk jam pjesëtarë i kompanisë Bechtel Enkës, e as përfitues inderekt ose direkt i kësaj kompanie. Njerëzit kanë vdekur në këtë kompani me fajin e saj, njerëzit kanë vdekur në urat e Malishevës, që kjo kompani nuk e ka ba sigurinë e punës dhe njëri duke u përpjekur me kalu urën ka rënë poshtë pasi këta nuk i kanë vu masat mbrojtëse aty, e Bechtel Enka nuk u ka ndërtuar përmendore”, shton ai.

Qeveria, Kuran e Bibël i ka paratë

Zeka tutje potencon se, po të ishte kryeministër dhe nëse ata do të kërkonin 53 milionë euro për vonesa të pagesave, do të kërkonte prej tyre 300 milionë euro për vdekjen e punëtorëve pa kurrfarë sigurie në vendin e punës.

“Por, Bechtel Enka e ka gjetur terrenin më të mirë ekzistues që është tereni i qeverive të Kosovës, jo i Qeverisë së Kosovës, por Qeverive të Kosovës të korruptuara, që Bibel e Kuran i kanë vetëm paratë dhe interesat e tyre personale dhe jo interesin e qytetarëve të Kosovës”, thekson ai.

Deputeti i Nismas, tutje thotë se nuk ka Prokurori në Kosovë, andaj sipas tij, peshku peshkun nuk e hanë duke aluduar se, njerëzit e pushtetit janë të instaluar në EULEX, UNMIK, Qeveri e Prokurori.

Kur pyetet se a guxon Prokuroria ta arrestojë një ministër siç është Pal Lekaj, ai thotë se s’ka Prokurori në Kosovë për këto çështje.

“Në Kosovë ka Prokurori vetëm me i ra fukarasë, policit për 10 euro, fshatarit që shet speca në pazarë dhe një njeriu 100 përqind të pafajshëm. Për peshqit e mëdhenj që flasin ndërkombëtarët, nuk mundet Prokuroria e Kosovës me i ra, sepse këta njerëz janë të instaluar në EULEX, UNMIK, Qeveri dhe Prokurori. Peshku – peshkun nuk e hanë”, përfundon deputeti Milaim Zeka.

Shefi i Odës Ekonomike të Kosovës,  Safet Gërxhaliu,  thotë se, është më se e vërtetë se në Kosovë po ndodhin gjëra të çuditshme, gjëra që më së paku ka interes zhvillimi ekonomik dhe interesi i  qytetarëve të Kosovës.

Po grabitet Kosova

Image
Safet Gërxhaliu

“Më duket se në Kosovë më shumë janë duke u mbrojtur interesat e partive politike sesa shteti. Këtë e dëshmon një realitet i hidhur që po e përcjellë Kosovën në kohën e fundit duke paguar gjoba të ndryshme, duke u penalizuar dukshëm Kosova dhe në një farë forme është duke u shndërruar Kosova që dikush nga çarqet politike po tenton të grabitë dhe këtë e dëshmon edhe rasti i fundit i cili ka ndodhur me dënimin nga Bechtel Enka prej 53 milionë eurove” thotë Gërxhaliu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo është një dukuri e cila me të vërtetë, po dëshmon se në Kosovë kur flitet për sundim të rendit e ligjit, sundim nuk ka, flitet për transparencë, por transparenca ndaj qytetarit është larg dhe kjo, sipas tij, e dëshmon më së miri se çka është duke ndodhur.

“Jemi të vetëdijshëm se ka pasur shkëputje të kontratës, e që ndoshta është dashur të paguhet ndonjë gjobë e penalizimit, mirëpo besoj që për hir të kaluarës së Kosovës dhe qytetarëve të saj na nevojitet më shumë transparencë që qytetarët ta kenë të qartë atë se çka është duke nodhur, dhe pse paguhen këto gjoba, kush duhet të jetë fajtorë për një gjë të tillë. Është koha kur duhet të dëshmohet se vërtetë në Kosovë të ketë rend dhe ligj, kur dihet se emërusi i përbashkët i të gjitha problemeve në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit”, potencon ai.

Sipas drejtuesit të Odës Ekonomike të Kosovës, fakti se nuk po analizohet nga askush, e as nga drejtësia shumën që bëhet fjalë për 53 milionë euro është për t’u shqetësuar se çfarë po ndodhë në Kosovë.

Mjerë Kosova se çka e pret në të ardhmen

“Dua të besoj se me kalimin e kohës garniturat e ndryshme politike të kuptojnë se nuk janë në pushtet për të grabitur, por pë të qenë në interes të qytetarëve të saj. Nuk i bëhet nder Kosovës plaçkitja dhe varëria e qytetarëve të Kosovës çdo ditë e më tepër. Vërtet është një situatë e cila neve qytetarëve na shqetëson, sepse është dashur të ketë një transparencë dhe duhet të ketë më tepër dialog dhe në qoftëse vërtet duhet të penalizohet nuk e meritojnë qytetarët një gjë të tillë, sepse nuk bëhet fjalë për 500 euro, por për 53 milionë euro dhe nëse këtu mungon transparenca dhe llogaridhënia atëherë vërtet mjerë Kosova për atë se çka e pret në të ardhmen”, thotë Gërxhaliu.

Ai duke mos dashur paraprakisht të përmend cili është fajtori, kërkon një hetim nga ana e Prokurorisë, që sipas tij, duhet të hetohet edhe Qeveria e kaluara dhe sidomos ministri aktual, Pal Lekaj.

Prokuroria duhet ta thotë fjalën e vet, por...

“Është koha kur më në fund Prokuroria Speciale duhet ta thotë fjalën e vet, të fillojnë hetimet dhe të dëshmojnë njëherë se në Kosovë ka shtet, ka rend e ligj dhe ardhmëri. Dhe nëse edhe në këtë rast nuk reagohet atëherë nuk e di se kur duhet të ngritet zëri dhe kur duhet të merret fuqia e drejtësisë në Kosovë, prandaj heshtja është krimi më i madh dhe kjo heshtje i shkon përshtati më së shumti atyre që janë në pushtet sesa atyre që ia donë të mirën Kosovës” thekson tutje ai.

Në fund, Gërxhaliu beson se ata po derdhin milionët e shtetit të dalin dhe të japin përgjigje dhe llogaridhënia për aktet e kryera të tyre.

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, thekson se, falja e 53 milionë eurove nga Qeveria Haradinaj, konkretisht Pal Lekës për Bechtel Enken është lajm jo i mirë, ku demonstron korrupsionin që e ka kapluar këtë qeveri.

“Ministri Pal Lekaj është fajtori kryesor për këtë skandal që e dëmton vendin. Kjo dëshmon se mungon ligji për lustracion, që do iu pamundësonte njerëzve me të kaluarën kriminale të kandidojnë për deputet apo të zgjidhen ministra, sidomos Pal Lekaj pasi ka bërë shumë afera korruptive edhe sa ishte kryetar i Gjakovës”,  thekson Mehmeti.

Sipas tij, Prokuroria ka mjaft material për të nisur hetimet ndaj ministrit Lekaj.

Mirëpo, nuk beson që nga Prokuroria mund të fillojë një hetim ndaj tij, pasi thotë se ky shtet është i kapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat