Çka e pret Kosovën pas takimit të nesërm Thaçi- Vuçiq?

Politika

Çka e pret Kosovën pas takimit të nesërm Thaçi- Vuçiq?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 qershor 2018 Në ora: 22:13
Aleksandar Vuçiq- Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar tashmë në Bruksel për t’u takuar me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq me ftesë të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi i nesërm është në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, ndërkaq pas tërheqjes së Platformës së Qeverisë, qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar për atë se çfarë do të diskutohet në këtë fazë të dialogut.

Politologu Mentor Tahiri, kritikon Qeverinë për mungesë të Platformës, gjersa shton se ajo nuk e ka të qartë çfarë është duke ndodhur.

Kundër udhëheqjes së Presidentit në bisedimet me Serbinë ishin deklaruar partitë politike, ndërkaq Presidenti kishte deklaruar se kjo çështje i kalon mandatet e përkohshme politike, gjersa ka paralajmëruar vështirësi në këtë fazë bisedimesh.

Kjo fazë e bisedimeve nuk do të jetë transparente  për publikun e gjerë dhe për lojëtarët politikë të të dyja vendeve, thotë politologu Tahiri, duke shtuar se faktori ndërkombëtar ka ndikuar në përzgjedhjen e “kryenegociatorit”.

Image
Mentor Tahiri

“Duket se faza e ndjeshme e bisedimeve me Serbinë tanimë po fillon. Në një rrafsh me të gjerë ndërkombëtar, faktorët vendimmarrës janë të përcaktuar që t’i japin fund relacioneve të paqarta që kanë Kosova dhe Serbia si dy shtete. Sikurse edhe pritet, kjo fazë e bisedimeve nuk do të jetë transparente as për publikun e gjerë, por as për vetë lojtarët politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”.

“Dy vendet do të përfaqësohen nga Presidentët. Kjo nuk korespondon qartë me karakterin shtetëror të Kosovës si Republikë parlamentare, por duhet kuptuar që faktori ndërkombëtar çështjet e rregullimit të brendshëm të një shteti i shikon në vija të trasha. Prioritet i tyre në përzgjedhjen e “kryenegociatorit” mbetet gatishmëria për t’u përballur me vendime të vështira. Duhet pranuar se Kosova aktualisht ka një skenë tejet të përçarë politike, kurse si rrjedhojë e kësaj nuk ka një qeveri stabile dhe të pjekur që ta përfaqësojë vendin në këto bisedime. Përçarja brenda opozitës është gjithashtu një faktor vulosës që dobëson pozitën e Kuvendit të Kosovës”, thotë Tahiri.

Para disa muajve, Qeveria e Kosovës kishte prezantuar një Platformë për bisedimet me Serbinë, dokument ky i kritikuar nga partitë politike dhe i rezultuar në tërheqje nga ana e Kryeministrit.

Dokumenti i cili kishte qenë vetëm dy faqe, nuk saktësonte temat që do të trajtoheshin dhe as nuk listonte parimet mbi të cilat do të udhëheqej gjithë procesi.

Platforma e cila kërkonte që Thaçi ta udhëheqte procesin, ishte. tërhequr nga Kryeministrit për një kohë të pacaktuar.

Tanimë, nuk është bërë publike ndonjë Platformë tjetër mbi bazë të së cilës do të udhëheqet faza e fundit e dialogu i cili do të fillojë nesër.

Politologu Mentor Tahiri, është shprehur se praktikisht Qeveria nuk e ka të qartë se çfarë është duke ndodhur, ndërkaq Presidenti, sipas tij, ka analizuar këtë raport forcash.

“ Vërehet qartë se në gjithë këtë konotacion, Qeveria e Kosovës praktikisht as që e ka të qartë se çfarë është duke ndodhur. Miratimi i një dokumenti të cilin qeveria e quan “platformë”, nuk arsyeton këtë emërtim as funksionalisht e as në përmbajtje. Presidenti i Kosovës qartë ka analizuar këtë raport forcash dhe ka arritur që para faktorit ndërkombëtar perëndimor të imponohet si “lojtari” i vetëm në Kosovë i cili është i gatshëm të arrijë një marrëveshje”, pohon Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat