Shteti i kapur nga vrasësit e Bardhyl Ajetit, si dështoi drejtësia

Politika

Shteti i kapur nga vrasësit e Bardhyl Ajetit, si dështoi drejtësia

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 qershor 2018 Në ora: 07:19
Gazetari i vrarë i gazetës “Bota sot” Bardhyl Ajeti

Institucionet e drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë ato vendore e ndërkombëtare e meritojnë pa asnjë mëdyshje vulën e dështimit, sa i përket zbardhjes së vrasjeve të gazetarëve në Kosovë.

25 qershori shënon ditën kur ndërroi jetë gazetari i gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti në vitin 2005,  ndërsa po trajtohej në një spital në Milano, për shkak të plagëve të marra nga një atentat më 3 qershor të po atij viti, rrugës duke u kthyer nga Prishtina në Gjilan.

Bardhyli nuk mundi t`u përballonte plumbave, që cilët ranë mbi trupin e tij.

Njëri plumb e kishte goditur në kokë, i dyti në shpatull të krahut dhe i treti në veturë. Pas kontrollit në Spitalin e Gjilanit dhe në atë të Prishtinës, Bardhyli një javë më pas u dërgua në Milano të Italisë, ku edhe ndërroi jetë më 25 qershor.

Po bëhen trembëdhjetë vjet që nga vrasja e Bardhylit, ndërsa ky rast vazhdon të mbetet i pa zbuluar.

Vrasja e Bardhylit, kishte ndodhur në pikë të ditës. I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje ishte një taksist, i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishjeje që kishe pësuar. Por,  ky dëshmitar me inicialet M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit, ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Drejtësia nuk jep shumë shpresë për zbardhjen e vrasjes së Bardhylit.

“Rasti i vrasjes se gazetarit Bardhyl Ajeti është mbyllur nga UNMIK-u më 11 dhjetor të vitit 2006, për shkak të mungesës së provave. Rasti mund të rihapet nëse zbulohen prova të reja”, ka thënë Donika Berisha Rizaj, javë më parë për Gazetën “Bota sot”.

Mungesa e provave dhe mos zbardhja e derisotme e rastit, ngjallë dyshime se drejtësia në Kosovë mund të jetë e kapur nga qarqet politike.

Bardhyli të vetmen armë e kishte lapsin dhe faktet, të cilat i mblidhte për t`i plasuar në Gazetën Kombëtare “Bota sot”.  njerëzve të politikës, të cilët menjëherë pas luftës donin të përvetësonin çdo gjë që ishte e Kosovës, si duket u pengonte e vërteta që e shkruante ai. Ata nuk mund ta përballonin, që dikush t`ua paraqiste me fakte të bëmat e tyre kriminale. Penda e Bardhylit ua fuste frikën në palcë, ish Komandantëve, të cilët në luftë njiheshin për heronj e pasluftës me veprat e tyre, kishin njollosur edhe emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, do të mbetet si një njollë e zezë mbi drejtësinë dhe shtetin e Kosovës.

A ka më turp për institucionet tona, se sa kur qytetari humbë besimin dhe mbështetë shpresën tek institucionet ndërkombëtare.

A ka më turp për pushtetarët, të cilët shihen nga qytetarët si të dyshimtë për vrasje politike e krime të ndryshme.

Gjykata Speciale, ka mbetur e vetmja shpresë për familjarët e gazetarit Bardhyl Ajeti. Ata shpresojnë shumë se nuk do të zhgënjehen edhe nga ky mekanizëm i drejtësisë, siç u zhgënjyen me organet e drejtësisë vendore të kapura nga politika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat