Për Ramush Haradinajn, shoferi i tij është i barabartë me një mjek kirurg

Politika

Për Ramush Haradinajn, shoferi i tij është i barabartë me një mjek kirurg

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 qershor 2018 Në ora: 21:33
Ramush Haradinaj

Për rreth gjashtë muaj, lënda e rritjes së pagave nga qeveria Haradinaj, qëndroi në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, për t'u aprovuar si lëndë ligjore në përputhjet me rregullat dhe ligjet e Kosovës.

Ky vendim u refuzua nga ministri i ministrisë adekuate për këtë punë, Bedri Hamza, i cili si ministër i financave nuk e sheh në rregull rritjen e pagave.

Kryeministri Haradinaj, deri më tani e ka pasur pagën rreth 1 mijë e 500 euro, ndërsa me vendimin e ri, kjo pagë bruto ngritet për 100 për qind dhe është 2950 euro në muaj. Zëvendës kryeministrat pritet që të kenë pagë mujore prej 2 mijë e 500 euro. Kurse, ministrat nga 2 mijë euro – zëvendësit e tyre nga 1 mijë e 150 euro, etj.

Përftime nga rritja e pagave do të kenë edhe shumë zyrtarë tjerë të qeverisë, mirëpo më interesant është fakti se shoferi i kryeministrit Haradinaj dhe zyrtarë tjerë qeveritarë, do ta kenë pagën mbi 700 euro, aq sa e ka një kirurg në Qendrën Klinike Universitare.

Pritja për miratimin e ligjit të pagave që të ndikojë në rritjen e këtyre të fundit, vlen vetëm për ta, e jo për shoferët e qeverisë, ndërsa e Haradinaj me siguri do të arsyetohet se edhe këtyre iu duhen para për kravata.

Ky është një vendim skandaloz i radhës i Haradinajt, pasi që në asnjë shtet të botës, shoferi i kryeministrit nuk vlerësohet me pagë të barabartë me një mjek kirurg.

Si ngushëllim për këtë, Haradinaj bëri një premtim me gjysmë zëri për mjekët dhe arsimtarët, duke thënë se edhe ata do të kenë rritje pagash kur të miratohet ligji për nivelizimin e pagave, ndoshta nivelizimin shofer – mjek dhe shofer – arsimtarë.

Nga statusi formal kur dikur mjekët në mënyrë më absurde konsideroheshin si shërbyes civil, deri tek trajtimi në mënyrën më të pa dinjitetshme në nivele më të ulëta përgjatë viteve në kuptim të nivelit të pagës, ka bërë që mjeku të trajtohet edhe në sferën shoqërore në mënyrë jo meritore.

Duke u bazuar në mundësinë e trendëve pozitive të ndërmarra nga ministri i shëndetësisë dhe kryeministri i vendit, në këtë aspekt mund të konkludohet se kjo tendencë do ta bëjë të parealizueshëm këtë trend.

Derisa në diskursin publik, shëndetësia po trajtohet si shtyllë kryesore e shoqërisë, në atë politik po vlerësohet shumë pak. Gjithë kjo, në bazë të vendimit të kryeministrit Haradinaj, që si duket qëllimi i tij kryesor si shef i qeverisë, është ta zhvas vazhdimisht sa të mundet Kosovën dhe të falë tokë të saj, ashtu siç e bëri në muajin mars të këtij viti, ku iu dhanë rreth 8500 hektarë Malit të zi, me mashtrimet se ai vendim do të rishikohet, por nuk po ndodh një gjë e tillë.

Vendimi për rritjen e pagave në qeverinë Haradinaj, ishte marrë në dhjetor të vitit të kaluar, por që zbatim nuk ka gjetur deri tani kur Gjykata Kushtetuese bëri publik vendimin se i njëjti vendim nuk përbën shkelje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat