Si arriti gazeta "Bota sot" t`u mbijetojë ndër vite kërcënimeve dhe vrasjeve të gazetarëve

Politika

Si arriti gazeta "Bota sot" t`u mbijetojë ndër vite kërcënimeve dhe vrasjeve të gazetarëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 qershor 2018 Në ora: 08:06
Xhemail Mustafa, Bardhyl Ajeti dhe Bekim Kastrati

“Bota sot” për 23 vite me radhë vazhdon, e do të vazhdojë edhe me dekada e shekuj të tjerë me punën e njëjtë, me qëllimin e vetëm informimin e drejtë dhe në kohën reale, trajtimin e temave kundër krimit e korrupsionit në vend.  Duke trajtuar tema të tilla, kjo gazetë ishte disa herë qendër e kërcënimeve, që shkuan deri tek vrasjet e gazetarëve. Dorasit kishin për qëllim të ndalnin punën e gazetës “Bota sot”, derisa nuk u zbuluan asnjëherë nga pushteti dhe institucionet e drejtësisë.  Ndonëse e vranë Bardhylin e Bekimin, “Bota sot” do të ketë edhe “Bardhyla” e “Bekima” të tjerë që vazhdimisht do të punojnë dhe shkruajnë kundër politikës që ka për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe institucioneve të saj.

Gazeta “Bota sot” ka mbushur plot 23 vite dhe brenda gjithë këtyre viteve, ka arritur të mbijetojë pavarësisht vrasjeve e kërcënimeve që i janë bërë stafit të saj. Edhe atëherë kur “Bota sot”, u kërcënua nga grupe kriminale, që për qëllim kishin t’ia ndalnin punën dhe hovin gazetarëve të zellshëm të saj, kjo gazetë u tregua edhe më e guximshme përballë atyre që planifikonin të ndalnin të vërtetën dhe informimin e drejtë tek opinion, për të “lulëzuar” veprat kriminale të tyre.

Politikat kundërshtuese nuk arritën të ndalnin punën e gazetës “Bota sot”, pavarësisht mesazheve kërcënuese që shpesh vinin në adresë të saj dhe gazetarëve të saj.

“Bota sot” për 23 vite me radhë vazhdon e do të vazhdoj edhe me dekada e shekuj të tjerë me punën e njëjtë, me qëllimin e vetëm informimin e drejtë dhe në kohën reale, trajtimin e temave kundër krimit e korrupsionit në vend.

Duke trajtuar tema të tilla, kjo gazetë ishte disa herë qendër e kërcënimeve, që shkuan deri tek vrasjet e gazetarëve. Dorasit kishin për qëllim të ndalnin punën e gazetës “Bota sot”, derisa nuk u zbuluan asnjëherë nga pushteti dhe institucionet e drejtësisë.

Ndonëse e vranë Bardhylin e Bekimin, “Bota sot” do të ketë edhe “Bardhyla” e “Bekima” të tjerë që vazhdimisht do të punojnë dhe shkruajnë kundër politikës që ka për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe institucioneve të saj.

Zogaj: “Bota sot” ishte kushtrimtarja më e fuqishme e thirrjes së lirisë

Bashkëpunëtori për vite me radhë dhe publicisti Skender Zogaj, ka dhënë një vlerësim të tij për gazetën “Bota sot”. Zogaj ka thënë se në kohën më dramatike, kjo gazetë ka qenë zëri më i fuqishëm i popullit shqiptar.

Image
Skender Zogaj

"“Bota sot” në kohën dhe rrethanat më dramatike për popullin shqiptar të Kosovës ka qenë zëri më i fuqishëm i mbrojtjes së tij dhe i denoncimit të barbarive të shumta e të shumëllojshme që po i përjetonte nga armiku gjakatar serb por edhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës! Pra “Bota sot” ishte kushtrimtarja më e fuqishme e thirrjes së lirisë së Kosovës dhe ndërgjegjësimit kombëtar shqiptar për krijim të unitetit dhe të rezistencës kolektive, se pari me mjete paqësore e më pastaj edhe më pushkën e UÇK-s institucionale, që “Bota sot” e para e kishte vlerësuar se mund të humbiste rolin historik nga veprimet e grupeve ilegale të bashibozukëve të kuq erveristo-stalinist”, vlerëson publicisti Zogaj.

Ai thotë më tutje se siç kishte vlerësuar Presidenti historik Ibrahim Rugova se Kosova ishte e implikuar nga dora e zgjatur e Serbisë,  gazeta “Bota sot” , duke zgjuar urrejtjen e këtyre grupeve në Kosovë, u bë arenë e kërcënimeve, e që erdhi deri tek vrasja e gazetarëve të saj. Ndër të tjera Zogaj thotë se, në këtë mënyrë “Bota sot” mund të vlerësohet si gazeta më e rëndësishme e historisë.

“Duke kundërshtuar guerilen ilegale ku, siç pati vlerësuar Presidenti historik Ibrahim Rugova, “ishte implikuar dora e zgjatur e Serbisë” gazeta “Bota sot” zgjoi urrejtjen e këtyre qarqeve dhe u bë objekt kërcënimesh dhe sulmesh deri në vrasjen e gazetarëve të saj! Mirëpo, publiku e di se qëndroi dhe në mënyrën më të mirë i mbijetoi të gjitha vështirësitë! Prandaj, “Bota sot” është në plot kuptimin e fjalës gazeta e rëndësisë historike, tribuna e mendimit të lirë dhe idealeve më të pastra demokratike shqiptare për liri e pavarësi dhe kultivim të vlerave të mirëfillta atdhetare! Në këtë përvjetor, duke e uruar për punën e madhe dhe të dobishme që bërë nuk mund të mos e theksoj se “Bota sot” duhet të përkujdeset për ta ruajtur përvojën e saj të lavdishme duke  mos lejuar depërtimin e “dorezave të zeza” në faqet saj”, thekson analisti Skender Zogaj.

Gjithnjë në shërbim të së vërtetës

Po ashtu edhe Faton Mehmeti, publicisti dhe njohës i çështjeve politike thotë se kjo gazetë që nga fillim ka pasur për qëllim mbrojtjen e dinjitetit shqiptar dhe respektimin e institucioneve të Kosovës.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë më tutje se “Bota sot”,  si asnjë gazetë tjetër në Evropë nuk ka qenë më e kërcënuar, derisa i janë vrarë gazetarët e zyrat i janë kërcënuar me granata.

“Gazeta " Bota Sot" që nga krijimi i saj i ka pasur qëllim të mbrojtjes së dinjitetit shqiptar, respektimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në këtë vazhdim ajo ka qëndruar stoike, ndonëse vazhdimisht ka qenë e përndjekur dhe e sfiduar nga qarqe të ndryshme antishqiptare. Si asnjë gazete në Evropë, "Bota Sot" nuk ka qenë më e kërcënuar, aq sa i janë vrarë edhe gazetarët, pastaj në zyrat e saj janë hedhur me granata etj. Kjo tregon se puna e kësaj gazete ishte madhështore, që po iu pengonte qarqeve serbe, të lidhura edhe me disa shqiptarë”, thekson publicisti Mehmeti.

Ai thotë se derisa kjo gazetë nuk e ndryshon politikën e saj editoriale, në shërbim të të vërtetës, e meriton çmimin e Evropës për guximin e saj.

“Megjithatë, gazeta " Bota sot" asnjëherë nuk ndaloI rrugën e saj, pa ndryshuar aspak politikën e saj editoriale, gjithnjë në shërbim të së vërtetës, dhe rrugës institucionale. Prandaj, "Bota sot” meriton çmimin kryesor të Evropës për guxim në informim të së vërtetës dhe mbrojtjes së saj edhe me jetë”, thekson ai.

Krasniqi: Ndihem krenar që jam bashkëpunëtor shumëvjeçar i gazetës kombëtare “Bota sot”

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se gazeta “Bota sot” brenda një kohe fare të shkurtër pushtoi zemrat e lexuesve, zemrën shqiptare në të katër anët e botës.

“Gazetë me plot jetë, frymëzim e përkushtim. Ishte gazeta e parë që shkruante për vrasjet politike të atdhetarëve shqiptarë gjatë dhe pas luftës, duke hulumtuar për zbardhjen e tyre. Kjo ishte edhe arsyeja që shumë gazetarë dhe bashkëpunëtorë të kësaj gazete u vranë nga ata të cilët donin ta fshihnin të vërtetën”, thotë analisti Krasniqi.

Krasniqi thotë se “Bota sot” nuk u ndal pavarësisht se iu vranë gazetarët e saj, që në mendjen e lexuesve kanë mbetur për shkrimet e tyre të guximshme.

“Por, gazeta “Bota sot” mbijetoi edhe pse ishte dhe është kërcënuar vazhdimisht. Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Bardhyl Ajeti dhe Bekim Kastrati, do të ngelen në mendjen e çdo lexuesi shqiptar për shkrimet e tyre të guximshme. Ndihem krenar që jam bashkëpunëtorë shumëvjeçarë i gazetës kombëtare “Bota sot”, dhe uroj që të festojë edhe shumë përvjetorë të tjerë”, vlerëson analisti Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat