Politikat e mbrapshta të Hashim Thaçit, sjellin provokimin serb në mes të Kosovës

Politika

Politikat e mbrapshta të Hashim Thaçit, sjellin provokimin serb në mes të Kosovës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 qershor 2018 Në ora: 21:57
Manifestimet tradicionale religjioze ortodokse të festës së ‘Vidovdanit’

Qindra serbë gjatë ditës së mërkurë ishin të pranishëm në manifestimin e Vidovdanit në Gazimestan, disa kilometra larg Prishtinës.  Kremtimi i Vidovdanit, njihet edhe si Beteja e Kosovës, edhe pse kjo ishte një humbje e serbëve. Të enjten, shumë autobusë, nën shoqërinë e Policisë së Kosovës, kanë vizituar Gazimestanin për ta shënuar këtë festë. Për këtë festë të serbëve, janë parë mijëra forca të policisë së Kosovës, nëpër rrugët kryesore që nga Mitrovica e gjerë në Prishtinë.

Thirrje, parulla, flamuj të shumtë të Serbisë janë shpalosur edhe këtë herë në Gazimestan nga serbët e Kosovës, por edhe nga ata që erdhën nga Beogradi.

“Kosova është Serbi” është kjo thirrja që serbët tashmë e kanë bërë si pjesë të jetesës së tyre, sidomos nuk mungon në festime të tilla.

Parulla si “Kosova zemra e Serbisë” , “Kosovën nuk e tradhtoj”, gjithashtu nuk munguan as kësaj radhe nga serbët që u mblodhën në Gazimentan. Madje, shumë prej tyre shpalosën edhe flamuj të Rusisë e Greqisë.

Ata kanë provokuar edhe me mbishkrime nacionaliste si dhe figura të kriminelëve serbë, Sllobodan Millosheviq dhe Ratko Mladiq.

Këtë herë nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Beogradit.

Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për tubimin publik, si dhe ka garantuar siguri për pjesëmarrësit.

Provokimet nuk po mund të ndalen

Analistët politik, vlerësojnë për gazetën “Bota sot” se, pasi kjo ditë është aq shumë e kushtueshme, policia e Kosovës nuk duhet të tolerojë që serbët të përdorin shprehje raciste.

Sipas tyre, gjithë këtë organizim të policisë, po e shtynë të bëjë kujdesi për rendin dhe ligjin, si dhe frika nga tensionet etnike që të jenë sy hapur.

Megjithatë, serbët po hynë në Kosovë dhe po provokojnë shqiptarët me shprehje raciste, të veshur me bluza të kriminelëve që kryen gjenocid ndaj shqiptarëve dhe po borohorasin “Kosova është Serbi”, e Qeveria jonë policia dhe institucionet përkatëse as që flasin për këtë.

Si është e mundur të lejohen të hynë në Kosovë, kur shqiptarët me simbole të Kosovës nuk lejohen të hyjnë në Serbi.

Islami: Nuk vlerësohet reciprociteti

Image
Gazmend Islami

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se, Kosova shumë herë e ka dëshmuar vetën se nuk është një shtet sovran e për këtë shihen edhe festat e serbëve e sidomos festa e Vidovdanit që festohet çdo vit në Kosovë.

“U pa që serbët hynë me fotografitë e kriminelit dhe njeriut që ka kryer gjenocid në popullin shqiptar Sllobodan Millosheviqit, Mladiqit dhe të tjerëve. Pra shteti ynë i lejon të hyjnë pa asnjë pengesë serbët në zemër të Kosovës dhe të festojnë një festë e cila ishte me humbje dhe e kundërta është të shteti serb dhe këtu shihet se nuk vlerësohet reciprociteti, nëse hynë në Serbi me çfarëdo simboli shqiptarë ndalohesh dhe kthehet mbrapsht, sepse nuk duan që të shohin simbolet e shtetit të Kosovës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo tregon papjekurinë politike të shtetit të Kosovës dhe tregon edhe moszbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Krejt kjo bëhet falë politikave të mbrapshta të udhëhequra nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili me marrëveshjet e arritura që nga viti 2013 deri në vitin 2015 që janë të paditura për qytetarët shqiptar do të shihen ma vonë që do të ketë marrëveshje katastrofale për popullin shqiptar dhe për vet funksionimin e shtetit të Kosovës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Kajtazi: Kosova duhet të nxjerr ligj të veçantë për këtë çështje

Image
Fadil Kajtazi

Ndërsa eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi pohon se, kjo është një çështje e zbatimit të ligjit, i cili parasheh penalizim të atyre që përhapin urrejtje mbi baza etnike, si dhe ekspozimi i kriminelëve të luftës dhe simboleve me anë të të cilave është kryer gjenocid, sipas tij, do të thotë shkelje e ligjit me dy këmbë dhe ndërhyrja e forcave policore do të duhej të bëhej.

“Mendoj që Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr ligj të veçantë për këtë çështje e cila është e ngjashme me ligjin gjerman për simbolet e nazizmit dhe për figurën e Hitlerit. Të paktën në raport me boshnjakët dhe shqiptarët, Serbia millosheviqiane dhe simbolet e saj kanë kuptimin dhe janë ekuivalente me simbolet e nazizmit”, shprehet Kajtazi.

Historia dhe Miti sipas Jahja Drançollit

Por një shkrim interesant dhe një dokument i nxjerrë nga Arkivi Shtetëror i Firences, historiani Jahja Drançolli ka bërë ndarjen e historisë së vërtetë “Betejës së Kosovës” dhe mitin e saj.

Ai ka shkruar se miti mbi Betejën e Kosovës është aktualizuar sidomos nga shek. XIX dhe jeton edhe sot si shprehje e nevojave të politikës së ditës.

Si i tillë, Drançolli thotë se është krijuar dhe promovuar në mbështetje të legjendës simbolike dhe mitit politik të Kosovës, ku “miti është zakonisht një tregim i interesuar për ngjarjet e së kaluarës, duke u dhënë atyre një kuptim të veçantë dhe rëndësi për të tashmen për qëllime të përforcimit të autoritetit të atyre, që janë në pushtet në një komunitet të caktuar.

Ndërsa dokumenti i publikuar nga historiani Drançolli, i shënuar më 20 tetor 1389, ruhet në Arkivin Shtetëror të Firences, dhe sipas historianit, është një korrespodencë e përfaqësuesit të Senatit të Republikës së Firences me mbretin e Bosnes Tvrtko I (1338-1391).

Ky dokument, konsiderohet si i vetmi dokument zyrtar i zbuluar deri më sot, që i referohet një beteje, e që historianët i referohen si Beteja e Kosovës.

Betejën e humbur të Kosovës, serbët e ardhur nga Serbia, por edhe nga vise të ndryshme të Kosovës, e shënojnë me ritet e tyre fetare të festës së Vidovdanit.

Festa e Vidovdanit, që për serbët do të thotë pasqyrim i popullit serb dhe dëshmi e asaj se kush çka ka qenë, sivjet shënon edhe 629-vjetorin e Betejës së Kosovës, ku ishte vrarë sulltan Murati i Turqisë, por nga e cila betejë Serbia kishte dalë e humbur nga ushtria turke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat