OBKD: Presidenti Thaçi pjesë e skenarit serbo-rus për t’i vënë flakën Ballkanit!

Politika

OBKD: Presidenti Thaçi pjesë e skenarit serbo-rus për t’i vënë flakën Ballkanit!

Nga: N.Sh Më: 30 qershor 2018 Në ora: 23:13
Hashim Thaçi

Balli Kombëtar Demokrat, është kategorisht kundër që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të jetë udhëheqës i bisedimeve me Serbinë.

Kështu është thënë nëj mbledhjen e mbajtur të BKD-së në Prishtinë, nga kryetari i këtij subjekti Gazmend Islami, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ai tha se, Balli Kombëtar Demokrat, konsideron se këto bisedime më shumë i ngjasojnë bisedimeve private sesa të dy shteteve, konkretisht Kosovës dhe Serbisë, ku ky i fundit nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Këto bisedime nuk i ngjasojnë atyre bisedimeve mes dy shteteve ku do të kënaqëshin të dyja palët, pasi deri më tani kemi pa se Kosova ka ngecur në shumë hapa kundrejt Serbisë. Ne kërkojmë që Kosova të shkonë në zgjedhje të parakohshme dhe të krijohet një grup i unitetit për të përvaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë”, tha Islami.

Sipas tij, Balli Kombëtar Demokrat gjithashtu kërkon bashkimin e opozitës në raport me këtë qeveri dhe presidentin që mos të lejohet kjo qeveri të vazhdoj më tutje dhe se presidenti Thaçi të ndaloj bisedimet me Serbinë derisa të krijohet grupi i unitetit.

“Balli Kombëtar Demokrat është i shqetësuar me atë që po ndodh në shoqërinë tonë dhe në skenën politike kosovare. Krejt këto të shqetësime është duke i sjell presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili e ka sjell Kosovën në gjendje si anija e titanikut para fundosjes. Me koncesionet e bëra ndaj Serbisë pa pëlqimin e Parlamentit, pa konsensus të të gjitha subjekteve politike, në mënyrë të fshehtë dhe jo transparente, Presidenti po mundohet ta shpërndajë përgjegjësinë edhe te ata të cilit, as nuk ishin konsultuar, as nuk ishin informuar, e nuk janë të informuar në mënyrë transparente as sot e kësaj dite”, tha ai.

“Thaçi është nën dirigjimin e Aleksandër Vuçiq, pasi ky i fundit e ka kushtëzuar presidentin Thaçi dhe tërë Kosovën, në kompromiset e e dhimbshme të paralajmëruar. Thaçi nuk ka guxim ta padisë Serbinë për krimet e luftës. Thaçi nuk ka guxim ta kushtëzoj Serbinë. Thaçi nuk ka guxim të raportoj sinqerisht rreth dialogut. Thaçi pas Serbisë, është e keqja më e madhe e Kosovës. Nëse e analizojmë thellë, më shumë duhet të kemi frikë nga Thaçi në këtë kohë, se sa nga Serbia”, potencon tutje kreu i OBKD.

Kompromiset me Serbinë pa vija të kuqe, që e përmendi Thaçi në konferencën për shtyp, sipas Islamit është rreziku më i madh i Kosovës që ka pasur ndonjëherë, që nga lufta me okupatorin serb. “Marrëveshje pa vija të kuqe, nënkuptojmë se ky njeri është në gjendje t’i sjellë dëmet nga më të pa parashikuarat me Serbinë. Ai në tavolinë me Vuçiqin, nuk do të ketë kufij të marrëveshjes, andaj jemi seriozisht të rrezikuar nga ky njeri”.

Gjithashtu, sipas Islamit, Thaçi deklaroi se në qoftë se nuk shfrytëzohet rasti për të bërë marrëveshje me Serbinë, Kosova mund të mbetet si Palestina.

“Pas 11 vjetësh, në majë të pushtetit, Thaçi “zbuloi” se ku është degëdisur Kosova e pavarur, nën drejtimin e tij. Ai nuk gjen vend tjetër për ta krahasuar Kosovën, veç Palestinës. Ku mbetën deklaratat e ish-Kryeministrit, tani President, për njohje të gjerë ndërkombëtare, brenda tre muajve nga shpallja e pavarësisë? Po ato për liberalizimin e vizave, për integrimin në Europë, për ulëse në OKB, për krijimin e ushtrisë së Kosovës, e shumë e shumë tjera”, tha tutje ai.

“Megjithatë, pavarësisht “mëkateve” të tij, krahasimi i Kosovës me Palestinën është krejtësisht i palogjikshëm. Si koncept, është i paqëndrueshëm, ndërsa politikisht, është shumë i rrezikshëm. Loja me analogjitë ka qenë dhe mbetet lojë e Beogradit dhe Moskës, me synim bllokimin e pavarësisë së Kosovës dhe kthimin e saj në Serbi. Koncepti perëndimor ka qenë dhe mbetet i pandryshuar sot e kësaj dite – Kosova është rast i veçantë dhe si i tillë ka gjetur edhe zgjidhjen e vet të veçantë, nëpërmjet shpalljes së saj si shtet i pavarur dhe sovran, zgjidhje kjo plotësisht legjitime, përfundimtare dhe e panegociueshme”, shtoi Islami.

“Nëse ju z. President besoni se zgjidhja është ndarja e Kosovës, atëherë ju bëheni pjesë e skenarit të Serbisë e të Rusisë për t’i vënë flakën Ballkanit! “, tha ai duke shtuar se, interesi i shqiptarëve nuk është lufta, por paqja, dhe shqiptarët kanë miq, kanë arsye mundësi, aftësi, integritet dhe dinjitet ta imponojnë paqen në rajon.

Balli Kombëtar Demokrat, kërkon urgjentisht që Hashim Thaci të mos jetë si përfaqësues i Kosovës në dialog me Serbinë, dhe para dorëheqjes, duhet të kërkohet nga ai që ta raportoj në tërësi dialogun që e ka bërë me vite me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat