Fataliteti historik nga heqja e vijave të kuqe të Thaçit

Politika

Fataliteti historik nga heqja e vijave të kuqe të Thaçit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 1 korrik 2018 Në ora: 21:27
Hashim Thaçi

“Nuk do të ketë vija të kuqe me Serbinë”, ishin fjalët e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në informimin e mediave rreth dialogut të tij në Bruksel me homologun Aleksandër Vuçiq, në kuadër të fazës së fundit të bisedimeve me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Marrëveshje pa vija të kuqe, nënkupton që një ndër kompromiset e dhimbshme mund të jetë ndarja e territoreve, si gjëja më e keqe që mund ta pret Kosovën që nga lufta e vitit 1999.

Pavarësisht se Thaçi ka thënë se në zgjidhjen përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të ketë as ndarje të Kosovës e as shkëmbime  territoresh, atij nuk mund t’i besohet asgjë.

Ashtu thoshte edhe për marrëveshjen e gjashtë pikave të Ban Ki-moon, i cili dy ditë para se ta nënshkruante marrëveshjen, u zotua se nuk do ta bëjë atë.

Thaçi edhe në nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit, kishte deklaruar se marrëveshja është në përshtatje të kushtetutës së Kosovës, por, pas pak ditësh, Gjykata Kushtetuese doli me fakte se ajo marrëveshje shkelte 23 pika të kushtetutës së Kosovës.

Në anën tjetër, vetë fakti se Thaçi thotë se nuk do të ketë vija të kuqe në marrëveshjet me Serbinë, nënkupton se është shteti serb ai që po e kushtëzon Kosovën, në kuadër të dialogut.

Është Aleksandër Vuçiq ai që paraprakisht kërkoi një gjë të tillë. Kreu i shtetit serb në deklaratat e tij haptas e thotë se shteti i tij është i gatshëm të hyj në bisedime me Kosovën, por më kusht që kjo e fundit të pranojë kompromise.  Dihet se kompromiset që kërkon Serbia, nuk do të mund të jenë të pranueshme për Kosovën.

Pa vija të kuqe në marrëveshjet me Serbinë, shumë shpejt mund ta shohim “Zajednicën” brenda territorit të Kosovës, me një mini-shtet serb që do të ketë të drejta, ligjet dhe kushtetutën e saj.

I vetmi shpëtim për Kosovën, do të ishte që tani të formohet uniteti opozitar që të jetë pjesëmarrëse në dialog, por jo si spektator ashtu siç dëshiron Thaçi, por të jetë bashkë vendimmarrëse në kompromiset e rëndësishme me shtetin serb.

Mund të quhet shpëtim i Kosovës, në bazë të deklaratave të partive opozitare, të cilët janë kategorisht kundër mënyrës së udhëheqjes së bisedimeve të Thaçit, i cili përveç që nuk i besohet kjo punë, ai i ndryshon deklaratat nga raporti në raportim (rasti i fundit i raportimeve të dialogut).

Të paktën, do ishte morale dhe e rendit që të jetë së paku një vijë kuqe për serbët, apo më mirë të themi një kushtëzim nga e Kosovës në dialog. Nga shteti serb duhet të kërkohet absolutisht dëmshpërblim për krimet e bëra në luftë, në mënyrë që sa do pak të shërohen plagët e hapura të familjeve të viktimave, të dhunuarave gjatë luftës, dëmet ekonomike e shumë e shumë tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat