4 vite nga vrasja misterioze e Elvis Pistës, hetimet vazhdojnë...

Politika

4 vite nga vrasja misterioze e Elvis Pistës, hetimet vazhdojnë...

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 korrik 2018 Në ora: 13:19
Elvis Pista

“Fatkeqësisht, politika është shndërruar në organizatë kriminale, ku vriten ata që shndërrohen në kërcënim për të marrë kalanë nga brenda. Vrasja e Pistës është tipike mafioze, pasi organizata (partia) ndjeu rrezikun nga brenda. Kjo është shenjë e keqe se shteti po udhëhiqet nga banda, që këdo mund ta vrasin”, thotë analisti Faton Mehmeti.

Janë bërë 4 vjet nga vrasja e ish- kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Elvis Pista. Në kohën e fushatës zgjedhore kur ai u paraqit përkrahë krerëve të kësaj partie si kandidat i mundshëm për deputet, me 15 qershor të vitit 2014, Elvis Pista u vra në rrethana të paqarta deri më tani.

Policia e Kosovës ka intervistuar deri më tani shumë persona, e madje i ka ri intervistuar, mirëpo deri më tani nuk ka arritur të arrestojë ndonjë të dyshuar për këtë vrasje.

Në përvjetorin e tij, ishte motra e tij, Beatrisa Pista e cila e kujtoi vrasjen e vëllait, pranë varrit të tij dhe u shpreh me fjalët se drejtësia do të triumfojë.

“Vëlla i dashur, ka shumë ditë Bajrami qe ti nuk na e hap derën por ne vijmë tek ti, sot u bënë katër vite nga vrasja jote, por pusho i qetë vëlla se e vërteta nuk është varrosur së bashku me ty! Herët apo vonë drejtësia do të triumfojë! Të duam shumë Elvisi ynë”, shkruan ajo në Facebook.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Prokurorinë e Shtetit për të pyetur nëse janë duke u marrë ende me hetimin e kësaj vrasjeje.

Image
Hekrem Lutfiu

Prokuroria: Asgjë të re nga hetimet

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Hekrem Lutfiu thotë se,  lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Gjakovë është duke u marrë me hetime, ndërsa deri më tani nuk ka ndonjë informacion të ri.

“Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore në Gjakovë ende është duke zhvilluar hetimet,  në këtë faze të hetimeve ende nuk ka diçka konkrete që vlen për t'u theksuar përveç asaj që jeni njoftuar deri më tani”, thotë Lutfiu për “Bota sot”.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Gjykatën Themelore në Gjakovë, mirëpo ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje për këtë rast.

Gisht PDK-ja?

Mirëpo, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti thotë se, në vrasjen e Elvis Pistës kanë gisht njerëzit e PDK-së, që sipas tij e kanë eliminuar atë për çështje rivaliteti. Ai thotë se, Pista rrezikonte lëkundjen e “karrigës” së njerëzve të PDK-së.

“Në vrasjen e Elvis Pistës besoj se kanë gisht vet njerëz nga PDK, të cilët eliminuan Pistën për çështje rivaliteti. Duke qenë se Elvis Pista ishte figurë e respektuar në komunitetin ku jetonte dhe më gjerë, kjo u pa si rrezik për disa njerëz brenda PDK e të cilët e ndjen rrezikun e lëkundjes së karriges”, thotë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë se PDK-ja i ka të gjitha mekanizmat për të zbardhur këtë vrasje, mirëpo nuk ka interes për këtë.

“Nëse PDK do ishte e interesuar për të zbardhur këtë vrasje, natyrisht se i ka të gjithë mekanizmat për një gjë të tillë. Por, kjo nuk ndodh pasi nuk kanë interes për të zbardhur një vrasje që do i komprementonte”, thekson ai.

Ai thotë më tutje se vrasja e Pistës është mafioze, pasi partia po e ndjen rrezikun nga brenda.

“Fatkeqësisht, politika është shndërruar në organizatë kriminale, ku vriten ata që shndërrohen në kërcënim për të marrë kalanë nga brenda. Vrasja e Pistës është tipike mafioze, pasi organizata (partia) ndjeu rrezikun nga brenda. Kjo është shenjë e keqe se shteti po udhëhiqet nga banda, që këdo mund ta vrasin”, thotë ai.

Gazeta ka provuar të kontaktojë edhe njerëz të kësaj partie, mirëpo ata nuk dashur ta komentojnë këtë çështje.

Vrasja e Elvis Pistës

Elvis Pista ishte vrarë me 15 qershor në ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Ai ishte në shoqëri të bashkëshortes, dhe miqve të tij, po ashtu me bashkëshorte. Pronari i lokalit në të cilin ishte vrarë Pista, kishte rrëfyer ngjarjen se si ka ndodhur katër vite më parë.

Ai ka thënë se i ndjeri është qëlluar me katër plumba dhe se fillimisht është menduar se i ka rënë të fikët. Ai ka thënë se me Pistën kanë qenë edhe dy shokë të tij me gra, për të kremtuar ditëlindjen e gruas së Pistës.

Më pas është konstatuar se Elvis Pista është vrarë me plumba të shurdhër. Elvis Pista posa ka dal nga restoranti bashkë me bashkëshorten dhe shokun i cili ishte po ashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, është qëlluar në shpinë dhe ka marr katër plumba në një largësi pesë metërshe, sipas policisë vrasja ka qenë e planifikuar mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat