Opozita kundër Thaçit, Krasniqi tregon si duhen vazhduar bisedimet

Politika

Opozita kundër Thaçit, Krasniqi tregon si duhen vazhduar bisedimet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 korrik 2018 Në ora: 22:14
Foto nga Kuvendi i Kosovës

Debati për mënyrën se si duhet të vazhdohet me bisedimet e ardhshme me Serbinë, është duke vazhduar ende përkundër që tashmë është mbajtur një takim në mes presidentëve të të dyja vendeve.

Presidenti Hashim Thaçi është duke kërkuar krijimin e një ekipi të përbashkët negociues, ndërkaq opozita vazhdon ta kundërshtojë rolin e tij udhëheqës dhe mënyrën e qasjes ndaj këtyre bisedimeve.

Analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se Hashim Thaçi nuk duhet t’i udhëheqë bisedimet, sepse tashmë ka të bëjë me fatin e shtetit të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi dyshon që në dialog do të ketë kompromise të dhimbshme në dëm të Kosovës, sovranitetit dhe qytetarëve të saj.

“Presidenti Thaçi nuk është njeri i besueshëm për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, sepse kemi të bëjmë me fatin e shtetit të Kosovës. Deklaratat e tij të mëhershme se do të ketë kompromise me Serbinë, na bëjnë të dyshojmë se do të ketë kompromise të dhimbshme në dëm të sovranitetit dhe qytetarëve të Kosovës. Pastaj edhe deklarata e tij ditë më parë që ka rrezik Kosova të bëhet si Palestina, dhe por nëse i lejohet t'i çojë bisedimet deri në fund, me të vërtetë Kosovën do e bëj edhe më të ndërlikuar se çështjen e Palestinës”, pohon Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot duke komentuar çështjen e dialogut me Serbinë, thonë se Thaçi i ka hequr të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë së Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një statusi në “Facebook”, thotë se është e domosdoshme që Kuvendi urgjentisht të vendos vija të kuqe për Presidentin po ashtu.

“Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”, ka shkruar Hoti.

Ndërkaq, analisti Krasniqi thotë se opozita nëse nuk e parandalon Thaçin përmes Kuvendit, atëherë duhet të organizojnë protesta gjithëpopullore.

Krasniqi kërkon që partitë politike të krijojnë një grup uniteti dhe aty të caktohet një udhëheqës.

“Nëse nuk arrijnë ta ndalojnë përmes Kuvendit, atëherë duhet të organizojnë protesta gjithëpopullore, dhe jo të merren vetëm me konferenca për shtyp. Pikë së pari gjitha partitë politike duhet të krijojnë një grup uniteti, të caktohet një udhëheqës i atyre bisedimeve, dhe të përpilohet një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës ku do të vendoseshin vijat e kuqe për Serbinë, se për çfarë mund të bisedohet dhe për çfarë jo. Nuk shkohet të bisedohet me Serbinë pa vendosur vija të kuqe!”, përfundon Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat