“Haziri po kujdeset për imazhin dhe interesat e Thaçit, dikush në LDK po kërkon ndihmën e tij për ta uzurpuar postin e kryetarit” - Bota Sot
“Haziri po kujdeset për imazhin dhe interesat e Thaçit, dikush në LDK po kërkon ndihmën e tij për ta uzurpuar postin e kryetarit”

Politika

E diel, 18 nëntor 2018

“Haziri po kujdeset për imazhin dhe interesat e Thaçit, dikush në LDK po kërkon ndihmën e tij për ta uzurpuar postin e kryetarit”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 6 korrik 2018 Në ora: 14:11
Hashim Thaçi dhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se ai është parimisht pro që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë palën e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“LDK-ja nuk lejon precedent që institucioneve të shtetit dhe bartësve të shtetit t’u bëjë përfaqësim në hije. Nëse është president, është president dhe i ka detyrat e tij kushtetuese. Ka zëra në Kosovë që thonë se procesi është i mirë, ne mund të shkojmë, por ky president nuk mund të shkojë. Çka nëse nesër e kemi një president tjetër, të LDK-së dhe ai e përfaqëson Kosovën në OKB e del opozita të thotë se nuk bën. Nuk bën të luhet me institucione. Nuk bën të lejojmë të bëhemi precedentë në zëvendësime e delegime. Vetëm nëse Kuvendi e ndërton dhe e lejon një strukturë dialoguese... Në parim s’jemi kundër. Kemi deputetë që kundërshtojnë, shumica e tyre ndoshta janë, por problemi është që kur të vendosë kryesia e LDK-së përfundimisht kemi për ta ruajtur unitetin tonë. Do të reagojmë bashkë e njëjtë”, ka thënë Haziri.

E sot kundër Hazirit ka dalë shefi i grupit palremnatar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se deklarata e Hazirit nuk është qëndrim i LDK-së, por qëndrim personal i tij.

Lidhur me këtë deklaratë të Hazirit, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë deklaratë nuk përfaqëson LDK-në dhe se ai po kujdeset për imazhin e Thaçit.

“Miku im Lutfi Haziri, njëkohësisht nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës foli dje dhe konfirmoi se "LDK e përkrah pozicionin e Presidentit si kryenegociator të bisedimeve me Serbinë"! Ky ishte thelbi i deklaratës së tij e lëshuar në emër të LDK-së. Nuk jam aq i sigurt se ai me këtë deklaratë përfaqëson LDK-në, sepse thotë gjithashtu që ende nuk është marrë një vendim kolegjial për këtë çështje. Megjithatë ai ka shprehur një opinion të tijin e jo vetëm të tijin. Në këtë deklaratë unë shoh disa probleme: Së pari, ndonëse Thaçi është sjellë me Lidhjen Demokratike si me një organizatë joqeveritare, ndonëse ai e ka injoruar dhe ia ka prishur të gjitha marrëveshjet kur i ka plotësuar me votën e LDK-së interesat e tij personale e të PDK-së, përsëri ka njerëz në LDK që kujdesen për Thaçin, imazhin e tij dhe interesat e tij. Haziri po bën të njëjtën gjë”, është shprehur ai.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ka njerëz brenda LDK-së që i besojnë presidentit dhe ndoshta dikush kërkon ndihmën e tij që të jetë kryetar i LDK-së dhe se mund të përsëritet historia e Fatmir Sejdiut.

“Marrëdhëniet midis subjekteve politike, njësoj si midis njerëzve janë marrëdhënie besimi. Madje kjo vlen edhe për marrëdhëniet në familje. Thaçi e ka shkelë fjalën dhe marrëveshjen e tij me Lidhjen Demokratike sa herë ka dashur, megjithatë gjenden njerëz në LDK, të cilët thonë se "i besojnë presidentit Thaçi"! Absurde! Ose edhe më keq se kaq. Ndoshta dikush në LDK kërkon ndihmën e Hashim Thaçit për ta uzurpuar postin e kryetarit të LDK-së! Kjo është edhe më e tmerrshme! Kështu ndodhi atëherë kur Thaçi i bëri kurth Fatmir Sejdiut. Ndoshta përsëritet historia! Mos e thëntë Zoti që LDK të bjerë në këtë derexhe”, është shprehur më tej profesori.

Si problem tjetër, Bytyçi e quan absurde faktin që Haziri thirret në respektin për institucionin e presidencës dhe sipas tij duhet bërë një grup hetimor për besueshmërinë e Thaçit për ta udhëhequr dialogun.

“Së dyti, Haziri thirret në respektin për institucionet, në rastin konkret të institucionit të Presidentit. Madje bën lidhjen me sikur presidenti të ishte i LDK-së e opozita ta bojkotonte?!!! Edhe ky është një absurd. PDK e ka bllokuar madje zgjedhjen e presidentëve që kanë ardhur prej LDK-së, ndërsa Thaçi u zgjodh me votat e LDK-së. Nga ana tjetër, po flitet për besueshmërinë e Thaçit në këto bisedime, jo të presidentit. Luta e të tjerë në LDK e në Kosovë duhet të ngrenë grup hetimor se presidenti po shkel Kushtetutën me pjesëmarrjen, me veprimet dhe mosveprimet e veta në dialogun me Serbinë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Andaj, ai shtron dhe pyetje se a është LDK-ja për ndarje të Kosovës dhe marrëveshje të dëmshme, e nëse ndjek LDK politikën e Lutfi Hazirit, do të marrë ndëshkimin e qytetarëve dhe të kthehet në OJQ.

“Ndaj dhe ndoshta duhet shkarkuar nga ajo detyrë. Ai është i pabesueshëm për shkak të marrëveshjeve të këqija që ka nënshkruar me Beogradin dhe për shkak se po punon për ndarjen e Kosovës. A është LDK për ndarjen e territorit të Kosovës?! A është LDK për nënshkrim të marrëveshjeve që e diskreditojnë dhe e diskriminojnë Kosovën martire të mijëra viktimave për lirinë e shtetin e saj?! A është LDK për t'i dhënë çoka presidentit Thaçi, me justifikimin për respektin ndaj institucioneve, kur ky president nuk respekton sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës?! Nëse LDK ndjek politikën e Hazirit, atëherë të përgatitet të marrë ndëshkimin e qytetarëve në mënyrën më spektakolare të mundshme, aq sa mund të kthehet në një OJQ e Kosovës. Madje OJQ pa kurrfarë autoriteti. LDK mund të mbështetë institucionet, edhe atë të presidentit, por kur ka garanci për ruajtjen e interesave të vendit. Kosova është mbi presidentin, mbi LDK-në, mbi Lutën, natyrisht!”, vlerëson ai.

Dhe së treti, profesori thotë se LDK nuk mund ta mbështes Thaçin pa i vënë kushte të panegociueshme për dialogun dhe këto nuk i përmend Lutfi Haziri.

“Së treti, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka luksin ta mbështesë Thaçin pa i vënë atij kushte të panegociueshme në qëndrimet që do të mbajë në procesin e bisedimeve. Cilat janë këto kushte? Kush i ka formuluar ato në LDK? Haziri nuk përmend asgjë. Edhe kjo është një pikëpyetje e madhe e cila vë në dyshim forcën e Lidhjes Demokratike të Kosovës! Unë besoj se ka djem dhe vajza të mençme në Lidhjen Demokratike të Kosovës që i dalin zot jo vetëm LDK-së, por edhe Kosovës”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test