LDK në avantazh ndaj qeverisjes ‘banditeske’ të Ramush Haradinajt dhe PAN-it

Politika

LDK në avantazh ndaj qeverisjes ‘banditeske’ të Ramush Haradinajt dhe PAN-it

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 korrik 2018 Në ora: 18:48
LDK

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI),ditë më parë ka shpalosur rezultatet e sondazhit me opinionin publik lidhur me atë se si do të votonin qytetarët në rast se mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë. Dhe nga ky sondazh, ka dalë se LDK do t’i fitonte bindshëm zgjedhjet në rast se do të mbaheshin tani. Ky rezultat, sipas së cilit LDK-ja prinë, ka dalë pas një sondazhi me opinionin publik të realizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në sondazhin e KDI-së qytetarët të pyetur se për cilën parti politike do të votonin, vetëm nga votat e deklaruara 30.8% kanë dhënë se do të votonin për Lidhjen Demokratike të Kosovës, 23% për Partinë Demokratike të Kosovës, 21.2% për Lëvizjen Vetëvendosje,  10.4% për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, 6.3% Nisma Socialdemokrate, 2.4% Partia Socialdemokrate,  2% Lista Serbe dhe  4.1% të tjera, ndërsa 11.6% e të anketuarve kanë refuzuar të përgjigjen në këtë pyetje.

Rezultati i këtij sondazhi, është përshëndetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se qytetarët janë duke e vlerësuar partinë e tyre të pa korruptuar dhe me pjesëtarë që nuk janë të involvuar në krim.

Bunjaku Rexhepi: LDK po përkrahet masivisht

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë për “ Bota sot” , se edhe pa u bërë matjet e përgjithshme të opinionit publik, nga përvoja e LDK-së,  kontaktet e shpeshta me qytetarë, reagimet dhe dinamikat përçarëse të subjekteve të tjera, besimi në LDK i ngjason frymës së fillimit të viteve të '90-ta dhe kohës menjëherë pas luftës, ku kishte përkrahje masive për LDK-në.

“Prandaj sondazhi i KDI-së në këtë vetëm e ri konfirmon bindjen tonë se, LDK-ja është në një rikthim masiv e të fuqishëm të besimit të qytetarëve. "LDK është jo vetëm e para, por të dytat e të tretat parti, janë larg të parës, pra larg LDK-së”, ka thënë deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Ndërkaq, Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë se në dy palë zgjedhjet e fundit kemi demantuar çdo sondazh edhe këtë sondazh të KDI –së do ta demantoj.

Image
Drita Millaku

“Edhe pse është krijuar një perceptim i dobësimit të LVV, pas largimit te një grupi të deputetëve më shumë përgjegjësi dhe bindje them se rezultati do të jetë edhe më i mirë se 2017. Këtë e them duke u bazuar në kontaktet e shpeshta që i kam me aktivistët dhe me qytetarët. Dështimet e njëpasnjëshme të kësaj qeveri do ti bind qytetarët se e vetmja shpresë që gjërat të shkojnë në favor të qytetarëve dhe jo në favor të disa personave është LVV”, ka thënë deputeti Millaku.

Topalli: Jemi parti e re

Në anën tjetër, Faton Topalli, deputet nga PSD duke folur në lidhje me këtë ka thënë se, nuk ka kaluar shumë kohë prej themelimit të PSD dhe për një kohë kaq të shkurtë kemi arritur të mbajmë shumë debate, interpelanca e të shtrojmë shumë pyetje parlamentare.

Image
Faton Topalli

“Me këtë kemi arritur të bindim shumicën parlamentare për çështjen e ‘Romingut me Shqipërinë’, ‘Unionit Doganor’ dhe ‘Kartonit të Gjelbër’, gjë që nuk mund të mos quhet sukses. Mbi të gjithë po sjellim në Kuvend një kulturë ndryshe dhe normale të komunikimit dhe bashkëpunimit. Opozita duhet të bashkëpunoj edhe më shumë mes veti. E ardhmja është e opozitës nëse ajo është konstruktive dhe i kam shumë parasysh interesat e vendit se sa mëritë dhe përfitimet partiake”, është shprehur deputeti i PSD-së Faton Topalli.

Haziri shpjegon se si erdhi deri te sondazhi

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka pohuar se sondazhi i fundit i KDI-së për pozicionin e partive politike në rast të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, është real që paraqet një pasqyrë të qartë të preferencave të qytetarëve për partitë politike.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, ky sondazh edhe është i pritur, pasi që tashmë qytetarët e Kosovës e kanë mese të qartë se kush janë të të ashtuquajturit “krahu i luftës” i cili simbolizon të keqën e Kosovës në shumë sfera në qeverisje jo vetëm me këtë qeverisjen e fundit skandaloze të kryeministrit Ramush Haradinajt dhe PAN-it, por edhe të qeverive të mëparshme të drejtuara nga ish kryeministri Thaçi, tash president i vendit.

“Nëse ndalemi tek rezultati i sondazhit që nxjerrë LDK-në të parën, mendoj se rezultatet vijnë nga krahasimi që i bëhet qeverisjes së ish kryeministrit Mustafa, me qeverisjen ‘banditeske’ të Ramush Haradinajt dhe PAN-it. Po ashtu mendoj se është edhe meritë e një rroli mjaftë konstruktiv të LDK-së tani si opozitë dhe është e kuptueshme që LDK-ja të shihet si e vetmja shpresë për ta nxjerre Kosovën nga ky stagnim në të gjitha sferat e jetës që e karakterizojnë qytetarin tonë, por edhe për një imazh pozitiv dhe një rrol më të avancuar dhe më të respektuar të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, ka thënë opinionisti Haziri.

Mehmeti: Kjo qeveri nuk e gëzon besimin e qytetarëve

Image
Faton Mehmeti

Në lidhje me këtë çështje analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se sondazhi i KDI-se nxjerr në pah të vërtetën e ditur se i ka ardhur fundi krahut te luftës.

Ai ka thënë se fundi iu ka ardhur atyre që në emër të luftës çlirimtare, vodhën sa mundën dhe se dalja e LDK-së si parti e parë në këtë sondazh vjen si pasojë e dështimit të koalicionit qeverisë në njërën anë dhe viktimizimit të LDK-së në favor të vendit.

“Ky sondazh është treguesi më i mirë se koalicioni aktual nuk po punon në të mirë të vendit, dhe qytetarët do i ndëshkojnë ata që e meritojnë. Ky sondazh gjithashtu nxjerr në pah faktin se qytetarët më nuk falin dhe se zgjimi i tyre është në disfavor të atyre që kanë vjedhur në emër të patriotizmit. Besoj se ky sondazh është i besuar, dhe si i tillë tregon faktin se kjo qeveri praktikisht ka ra, për vet faktin se më nuk gëzon besimin e qytetarëve”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Kurse politologu Faik Krasniqi ka thënë se sondazhet në Kosovë  kurrë nuk kanë qenë reale dhe të sakta, sepse ndryshe kanë treguar sondazhet dhe ndryshe vota e qytetarit.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Nuk ju besoj shumë sondazheve

Sipas tij, sondazhet s'kanë qenë të sakta as në shtetin më të fuqishëm dhe më demokratik në botë si SHBA-ja, ku Hilarri Klinton e nxjerrin fituese absolute në garën presidenciale, kurse ndodhi e kundërta ku ''befasoi'' me fitore Donald Trump që u zgjodh President.

“Prandaj nuk ju besoj shumë sondazheve. Por nëse LDK-ja është e bindur që do të triumfonte në zgjedhje, atëherë me Vetëvendosjen duhet të bëjnë çmos për ta rrëzuar këtë Qeveri dhe pas zgjedhjeve bashkërisht me Vetëvendosjen ta formojnë Qeverinë”, ka thënë politologu Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat