Eksperti i sigurisë për arrestimin e serbëve: Drejtësia të mos bie pre e presionit nga Serbia - Bota Sot
Eksperti i sigurisë për arrestimin e serbëve: Drejtësia të mos bie pre e presionit nga Serbia

Politika

Eksperti i sigurisë për arrestimin e serbëve: Drejtësia të mos bie pre e presionit nga Serbia

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 korrik 2018 Në ora: 14:37
Fadil Kajtazi

Pesë serbë janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit, si të dyshuar për veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në vend. 

“Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në komunikatën nga Policia e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dënuar, siç ka thënë ai, kërcënimet që po dyshohen se po bëhen ndaj familjeve të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti serb.

Pas kësaj ka reaguar Serbia, duke kërcënuar me ndërprerje të dialogut, nëse serbët nuk lirohen sot.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar se pesë serbët e arrestuar ishin kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Sipas tij, këta persona duhet të lirohen, ose në të kundërtën është kërcënuar se Beogradi nuk do të vazhdojë dialogun me Prishtinën.

Lidhur me arrestimin e serbëve dhe kërcënimet e Serbisë, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se fillimisht duhet arrestuar ministrat dhe deputetët e Listës Serbe, për shkak të veprimit kundër rendit kushtetues.

“Së pari, mendoj se për tu arrestuar për veprën penale për veprim kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës janë ministrat dhe deputetët e Listës Srpska të cilët haptazi manifestojnë mosnjohjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht angazhohen për rrënimin e këtij rendi”, është shprehur ai.

Sipas Kajtazit, nëse ka prova të mjaftueshme, ata duhet të dërgohen para drejtësisë dhe të merret vendim për ta e të mos përsëritet rasti i vitit 2010, kur janë liruar agjentët e BIA-s, për shkak të presionit të politikës.

“Së dyti, rasti konkret, nëse organet e ndjekjes kanë siguruar prova të mjaftueshme për aktivitetin e këtyre personave, ata duhet të dërgohen para drejtësisë dhe drejtësia të mos hezitojë të marrë vendimin e merituar pa marrë parasysh se me çfarë kërcënohet Serbia. Sistemi i jone i drejtësisë nuk duhet të bëhet pre e asnjë presioni kur është në pyetje cenimi i rendit kushtetues. Nuk duhet të bëhet i njëjti gabim sikurse me 12 shkurt 2010, kur gjykata nën presionin e politikës dhe para politikës liroi agjentët e BIA-s Igor Juqinac, Millutin Radovanoviq dhe Predrag Zhelkoviq, të cilët policia jonë i kishte kapur në flagrancë, me prova fonike dhe filmike duke punuar kundër rendit kushtetues të Kosovës”, ka deklaruar Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

Mirëpo, pak minuta pasi Serbia ka kërcënuar me ndërprerje të dialogut, ka ardhur lajmi se pesë policët e arrestuar janë liruar, pas intervistimit në polici.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test