Veteranët e rrejshëm e ngulfatën të drejtën e atyre që hynë në luftë për të vdekur për atdhe

Politika

Veteranët e rrejshëm e ngulfatën të drejtën e atyre që hynë në luftë për të vdekur për atdhe

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 11 korrik 2018 Në ora: 10:11
Idriz Ademaj

Idriz Ademaj, ish ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në betejën e Koshares, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot” ka rrëfyer për kohën kur ishte pjesëmarrës në këtë betejë dhe të pathënat rreth saj. Ai ka folur edhe për situatën aktuale të Kosovës, duke u treguar kritik për këtë gjendje, që sipas tij është shumë larg nga ajo që ka menduar kur është inkuadruar në luftë. Ademaj shpjegon edhe nofkën “Rambo”, e disa kujtime të tjera nga kjo betejë. Ai ka folur edhe për politikën e Presidentit Rugova, që sipas tij në heshtje veproi si komandant i Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Bota sot”: I nderuar, si e sheh Kosovën 19 vite pas mbarimit të luftës?

Idriz Ademaj: Kosovën e shoh shumë larg nga ajo që kam menduar në kohën kur unë jam inkuadruar në luftë. Kemi pësuar një ndryshim drastik shoqëror e social duke filluar nga hierarkia familjare e shoqërore, nga çerdhja e deri te domi i pleqve, pra në të gjitha nivelet e shoqërisë jam shumë i zhgënjyer me të gjitha sepse ideali ka qenë shumë ndryshe nga gjendja sot kemi diskriminime, kemi kapje të shtetit, struktura që vendosin kush me qenë e kush jo, arsimi është me nivelin më të ulët, shëndetësia jo e kënaqshme, siguri aspak, kush donë hyn e del si në hotel. Kosovën e kanë kapluar shërbimet sekrete nga të gjitha anët e botës. Njerëzit që kanë kontribuar më të vërtetë janë diskriminuar janë harruar, vetëm klanet e pushtetit janë ato që diktojnë agjendën sociale dhe shoqërore në bazë të interesave të tyre për pushtet me një fjalë shumë larg nga ideali i ushtarit të vërtetë që unë përfaqësoj.

“Bota sot”: Ju keni pasur nofkën ‘Rambo’ gjatë luftës, si erdhi deri tek kjo nofkë?

Idriz Ademaj: Në luftë kam operu si komandant skuadre në Njësinë Speciale Pit Bull. Nofkën Rambo e ka pas dikush tjetër, unë kam operuar me emër e mbiemër, nofka Rambo mu ka dhënë nga disa portale të internetit para dy viteve e këndej duke marrë parasysh foton e postume që vërtet ashtu dhe korrespondon. Por Rambo nofka në luftë ka qenë e dikuj tjetër, emrin nuk ia di, por respekt për korrektësinë dhe shoku e luftës.

“Bota sot”: Jeni një nga pjesëmarrësit e Betejës së Koshares, a mund të na shpalosni kujtime ose mbresa nga kjo betejë?

Idriz Ademaj: Kujtimet më të sinqerta dhe me kuptimplotë i kam nga koha e luftës, kam operuar në batalionin e dytë Rrasa e Kosharës, komandant Fadil Hadergjonaj Bjeshka, rolin e kemi pas si njësi speciale të vëzhgojmë, sulmojmë të rritim territorin dhe përforcojmë pikat strategjike në vijën e frontit 24 orë, respekt për udhëheqjen e Komandantit Bjeshka, Milazim Maraj, të ndjerit heroit Abaz Thaqi kujtimet tjera do i ruaj për veti.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për politikën që ka ndjekur Presidenti Ibrahim Rugova?

Idriz Ademaj: Kur jemi te presidenti historik Ibrahim Rugova pa politikën e atij ne do ishim më keq se Bosnja. I vogël jam ta vlerësoj Presidentin, por unë mendoj se Presidenti i kalkuloi, i llogariti të gjitha kohën situatën dhe në heshtje veproi si komandant i forcave të armatosura të Kosovës në kohën e duhur.

“Bota sot”: Pas mbarimit të luftës pati një tendencë që Betejës së Koshares të mos i jepej vlerësimi i duhur, si e komentoni ju këtë?

Idriz Ademaj: Për mosnjohjen e Betejës së Koshares ka shumë faktorë që kanë dashtë me pengu realitetin e Betejës, ndoshta tu e ditë që asnjë betejë s’kanë bërë sikurse Kosharja, ndoshta edhe pse ishin oficirat më të denjë të kohës për zhvillimin e betejës, ndoshta e ndoshta pse edhe armiku sot e respekton betejën e tjera, por asgjë nuk humb në këtë botë të gjitha një ditë do na servohen.

“Bota sot”: A po vlerësohen mjaftueshëm veteranët e luftës?

Idriz Ademaj: Veteranët e vërtet në kuptimin e fjalës janë larg nga respekti, si ai me shoqëri, sikurse nga institucionet lokale e qendrore kjo për arsye se veteranët e rrejshëm e ngulfaten të drejtën e atyre që hynë në luftë për të vdekur për atdhe. Nëse më pyetni a kishit luftuar prapë, përgjigja është po, sepse luftëtari lind dhe nuk bohet. Lavdi dhe përjetësi për dëshmorët Sali Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaqi dhe krejt dëshmorët e Kosovës. Respekt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat