Mbështetja e dialogut dhe e Thaçit pa kushte, rrezik serioz për Kosovën

Politika

Mbështetja e dialogut dhe e Thaçit pa kushte, rrezik serioz për Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 14 korrik 2018 Në ora: 10:49
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

“Unitet për dialogun mund të ketë, vetëm pasi presidenti dhe mazhoranca të garantojnë publikisht për një platformë në dobi të shtetit e tërësisë tokësore të Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë. Arritja e unitetit pa objektiva, pa shënuar për çfarë, e deri ku mund të bisedohet, është thikë pas shpine për Kosovën dhe interesat e saj shtetërore e nacionale”, ka thënë prof. Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Pas takimit të mbajtur më 24 qershor në Bruksel në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksanar Vuçiq, në kuadër të dialogut me Serbinë, takimi i radhës do të mbahet ma 18 korrik, me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

E derisa bisedimet po udhëhiqen nga presidenti i vendit, partitë opozitare vazhdojnë ta kundërshtojnë atë, si kryenegociator.

Për këtë, së fundmi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë thirrje që partitë të bashkohen, pasi po dëmtohet vendi.

“Jemi duke humbur kohë, jemi duke e dëmtuar veten, jemi duke u marrë me bajraktarizma, në vend që të merremi substancialisht me atë që do të ballafaqohemi, me një sfidë e cila nuk është e lehtë - Serbia asnjëherë nuk ka qenë e lehtë për Kosovën. "Ne, në vend që të koncentrohemi te pjesa substanciale, e cila është se si do të ballafaqohemi me Serbinë, si më tepër t’i orientojmë partnerët tanë që të jenë më afër nesh, për gatishmërinë tonë për dialog e jo për konflikt, ne merremi me atë se kush do të jetë i pari”, ka thënë Veseli.

Por, si duhet të veprohet që të gjendet një zgjidhje e mospajtimeve dhe të ketë unitet për dialog?

Image
Naser Rugova

Rugova: Të respektohet rezoluta e vitit 2012

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti nuk ka legjitimitet për ta udhëhequr këtë proces, derisa në vitin 2012 në Kuvend është bërë rezoluta që autorizon kryeministrin për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

“Partnerët e koalicionit nuk e kanë shumicën e nevojshme në Kuvend, në vitin 2012 Kuvendi ka miratuar rezolutën me të cilën autorizohet kryeministri të udhëheqë me procesin e dialogut, kjo rezolutë është ende në fuqi. Presidenti nuk ka legjitimitet kushtetues të udhëheqë këtë proces, është qëndrim zyrtar edhe i LDK së vetëm zgjedhjet e reja dhe legjitimiteti elektoral zgjidh këtë nyje për udhëheqjen e negociatave”, është shprehur Rugova.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se opozita nuk ka ofruar alternativë përveç deklarimeve kushtetuese dhe se duhet të ketë unitet.

Image
Time Kadrijaj

“Po vërtetë është një situatë e ndjeshme dhe kërkon unitet. Por, po shihet se për disa parti të rëndësishme janë agjendat partiake, e jo kombëtare. Veç arsyetim është presidenti, sepse opozita nuk e ka ofruar ndonjë alternativë tjetër veç deklarime kundërshtuese. Kemi kërkuar që parlamenti të ketë rol në procesin e dialogut dhe tash është mundësia. Andaj çdo kërkesë për konsensus është e mirëpritur po edhe më i mirëpritur është konsensusi”, ka deklaruar Kadrijaj.

Debati për dialog, garë politike

Në anën tjetër, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, vlerëson se debati për dialogun është kthyer në garë politike dhe presidentin nuk mund ta ndalojë askush të jetë kryenegociator.

“Debati për dialogun më duket se është shndërruar në një debat garë politike në Kosovë. Thaçi kërkon me çdo kusht të jetë në krye të delegacionit të Kosovës dhe për këtë askush nuk mund ta ndalojë. Ai është president i Kosovës. Me sa di unë, presidentët më parë i hapnin rrugën dialogut, ndërsa kryeministrat e realizonin procesin në praktikë”, është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, PDK ndjehet e kërcënuar nga opozita dhe dëshiron që ajo të jetë pjesë e ekipit, në mënyrë që të fajësohet nëse dialogu dështon, e në rast se opozita nuk i bashkohet dialogut, Bytyçi vlerëson se mazhoranca do ta fajësojë për bllokim të proceseve.

Image
Enver Bytyçi

“Po pse i mëshohet pozicionit të opozitës? Sepse mazhoranca, sidomos PDK, ndjehet e kërcënuar nga opozita. Me kërkesën ndaj opozitës, LDK-së, Vetëvendosjes dhe Socialdemokratëve për t'iu bashkuar grupit negociator, synohet të arrihet një objektiv politik i caktuar: Nëse opozita pranon kërkesën, atëherë ajo futet nën çadrën e Thaçi, pranon që të bëhet pjesë e lojës. Në këtë rast, nëse dialogu dështon, atëherë do të fajësohet opozita, e cila në raste të ndryshme natyrshëm do të kundërshtojë opsionet e mazhorancës për marrëveshjet me Serbinë. Kështu fiton PDK, Thaçi dhe Kadri Veseli. Në rastin tjetër, nëse opozita nuk i bashkohet dialogut, atëherë mazhoranca do ta akuzojë për bllokim të proceseve, sidomos të integrimeve”, ka deklaruar profesori.

Opozita duhet të bashkohet

Sipas tij, nga dialogu nuk varet integrimi i Kosovës, por ai i Serbisë dhe se opozita duhet t’i ketë parasysh disa gjëra.

“Në fakt integrimet e Kosovës nuk varen nga dialogu me Serbinë. Integrimi i Serbisë varet nga dialogu i saj me Kosovën. Por, opozita duhet të mbajë parasysh edhe disa rrethana të tjera: Së pari, në dialog me Frederica Mogherinin dhe pa kushte nuk mund të shkohet. Këtë e tha troç iniciatorja e dialogut Prishtinë-Beograd, Katherine Ashton. Dialog jo serioz dhe me prapavijë evropiane për të denigruar Kosovën dhe ndihmuar Serbinë, nuk mund të ketë. Nëse opozita mbështet këtë lloj dialogu, atëherë ajo jo vetëm dështon politikisht e moralisht, por edhe dëmton rëndë e bëhet bashkëfajtore për dëmin e madh që i shkaktohet Kosovës”, është shprehur Bytyçi.

Më pas, profesori thotë se duhet definuar roli dhe vendi i Kosovës në rajon dhe se dialog pa SHBA-në nuk duhet të ketë dhe në rast se SHBA vjen si aktor kryesor në dialog, atëherë opozita duhet të bashkohet.

“Së dyti, duhet definuar vendi dhe roli i Kosovës në rajon: Është ajo aleate e pakontestueshme e SHBA-ve, apo është në një hapësirë mjedis, as lindje, as perëndim. Edhe nëse thuhet se Kosova është në Evropë dhe me Evropën, kjo nuk të thotë ndonjë gjë të madhe. Evropa do të jetë multipolare, madje shumë shpejt. Është vënë në diskutim edhe vetë ekzistenca e NATO-s. Çfarë do të jetë Kosova në kushtet e reja gjeopolitike, kur duket se një rend i ri po vjen në thirrje?! Në këto kushte nuk është prioritet dialogu, prioritet i Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve është se ku, me kë, çfarë do të bëjë në të ardhmen. Kjo do të thotë se dialog pa SHBA-të nuk duhet të ketë. Nëse vijnë si aktorë kryesorë SHBA-të në këtë dialog, atëherë opozita dhe LDK duhet t'i bashkohen atij, nëse jo, le t'ia lënë të gjitha përgjegjësitë presidentit të Kosovës dhe mazhorancës! Kjo është e vetmja alternativë e opozitës”, ka vlerësuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Bytyçi tregon se si mund të ketë unitet në dialog

Sipas tij, opozita nëse vendos t’i bashkohet dialogut ose ta mbështes Thaçin si kryenegociator, duhet t’i kërkojë llogari për dështimet e kaluara dhe t’ia tregojë vijat e kuqe, në të kundërtën do të jetë rrezik për Kosovën.

“Së treti, opozita, nëse do t'i bashkohej dialogut, ose nëse do të mbështeste presidentin Thaçi në këtë dialog, atëherë do të duhet t'i kërkojë llogari për dështimin e dialogut në të kaluarën, duhet t'i tërheqë vëmendjen për përgatitjen e tij e të grupit për këtë dialog, do të duhej t'ia tregonte vijat e kuqe, që ajo mendon se nuk mund të shkelen. Ndryshe, mbështetja e dialogut dhe e Thaçit për dialogun thjesht për modernitet, shndërrohet një rrezik serioz për Kosovën dhe interesat e saj. Nuk mund të ketë mbështetje pa limite për një person, qoftë ky dhe presidenti i Republikës, i cili nuk ka krijuar besueshmëri as te opozita, as te publiku dhe qytetarët e Kosovës për aftësitë, cilësitë, seriozitetin, përkushtimin dhe vendosmërinë e tij në mbrojtje të interesave të Kosovës në këtë dialog”, ka theksuar ai.

Profesori Bytyçi mendon se unitet mund të ketë, vetëm pasi presidenti dhe mazhoranca të kenë një platformë publike që garanton tërësinë e tokës së Kosovës gjatë bisedimeve.

“Unitet për dialogun mund të ketë, vetëm pasi presidenti dhe mazhoranca të garantojnë publikisht për një platformë në dobi të shtetit e tërësisë tokësore të Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë. Arritja e unitetit pa objektiva, pa shënuar për çfarë e deri ku mund të bisedohet, është thikë pas shpine për Kosovën dhe interesat e saj shtetërore e nacionale”, ka përfunduar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat