“Të jesh për ndarjen e Kosovës, është më e rëndë sesa të jesh për faljen e krimeve serbe”, ja kushtet që duhet t'i vendosen Serbisë

Politika

“Të jesh për ndarjen e Kosovës, është më e rëndë sesa të jesh për faljen e krimeve serbe”, ja kushtet që duhet t'i vendosen Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 14 korrik 2018 Në ora: 22:51
Krimet serbe ne Kosove

Drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, ka thënë se në opinionin ka pasur opsione të shumta , por më i pranishëm ka qenë ndarja e Kosovës, për të cilën e ka përmendur edhe deklaratën e presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi.

 “Deri më sot kanë dalë në opinion shumë opsione. Opsioni i ndarjes së Kosovës ka qenë më i pranishëm. Madje këtë opsion e ka nënkuptuar një nga këshilltarët e Thaçit disa muaj më parë, ndërkohë që dje lidhur me këtë opsion të ri u shpreh kategorikisht kundër. Nuk e di se çfarë kupton këshilltari i Thaçi me humbje territoresh dhe si e percepton faljen e krimeve të luftës që Serbia ka bërë në Kosovë. Të jesh për ndarjen e Kosovës është shumë herë më e rëndë sesa të jesh për faljen e krimeve serbe në Kosovë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Një gjë e tillë, sipas Bytyçit nuk do të thotë se këto krime duhet të falen dhe se përgjegjësia mbetet te pala e Prishtinës, pasi që nuk janë evidentuar krimet kundër popullit.

“Kjo nuk do të thotë se këto krime duhen falur. Por delegacioni shqiptar në bisedimet me Serbinë asnjëherë nuk i ka diskutuar ato, nuk ka paraqit ndonjë dosje të posaçme ndonjë listë emrash kriminelësh serbë që sot janë në pushtet, në politikë, në ushtri, në shërbimin e sigurisë dhe në administratën serbe. Shqiptarët e kanë bërë këtë prej frikës se mos i quajnë hakmarrës?! Ndërkohë që të evidentosh krimet kundër popullit tënd, aq më tepër në një raund bisedimesh në të cilin bëhet fjalë për shtetësinë e fituar me gjak e sakrifica, kjo është A-ja e çështjes! Po kush ta bëjë? Ata që shkojnë me duar në xhepa e me të cilët tallet Vuçiq apo Daçiq?! Kjo është njëra anë. Përgjegjësia mbetet e palës së Prishtinës, jo në anën e Beogradit”, ka potencuar ai për “Bota sot”. Gjithashtu, ai ka theksuar se është e padiskutueshme integriteti territorial i vendit. “Tani shtrohet çështja nëse Kosova mund t’i falë krimet serbe në Kosovë? Në parim shqiptarët dhe popujt e tjerë e kanë princip që të falin! Shqiptarët për interesa madhore e kanë falur dhe gjakun! Në parim falja e krimeve serbe në Kosovë nuk është tabu. Tabu, e padiskutueshme është integriteti territorial i vendit, ruajtja e shtetit unitar, njohja dhe forcimi i institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës. Kjo nuk duhet diskutuar në asnjë kohë, me askënd dhe jo vetëm për “momentin”, siç thoshte këshilltari i Thaçi para disa muajsh” ka potencuar ai për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Profesori Bytyçi, ka potencuar se, çështja e krimeve të luftës mund të jetë në negociata dhe ndoshta e vetmja gjë është kjo që mund të negociohet.

 Por, sipas tij për këtë duhen disa parakushte: 1.Shteti i Serbisë duhet të kërkojë ndjesë publike me rezolutë të parlamentit serb për krimet e kryera kundër shqiptarëve në Kosovë. Madje për të gjitha krimet e kryera në çdo etapë të dhunës fizike e psiqike kundër shqiptarëve gjatë shekullit XX. Ndjesa publike, e dokumentuar, e votuar në parlamentin e Serbisë duhet diskutuar në të gjitha institucionet e Kosovës, para së gjithash në parlament. Gjatë diskutimit duhet parë sa serioze dhe e sinqertë është kjo ndjesë. Më pas me çfarë shpërblehet ajo? Thjesht me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Beogradit”! Çfarë garancish politike dhe juridike duhen dhënë nga ana e qeverisë dhe parlamentit të Serbisë, se Serbia kurrë më nuk u drejtohet mjeteve të dhunës kundër Kosovës dhe banorëve të saj, përfshirë dhe shqiptarët?! Çfarë garancish do të japë Beogradi se nuk do të nxisë më kurrë pakicën serbë në Kosovë t’i kundërvihet institucioneve dhe shtetit të Kosovës?! Duhet kushtëzuar me heqjen e statusit bllokues të pakicës serbe në parlamentin e Kosovës. Duhet kushtëzuar me ruajtjen e shtetit unitar në Kosovës, duke garantuar respektin e lirisë qytetare të të gjithë banorëve të Kosovës si dhe autonominë e pushtetit lokal, sipas konventës Evropiane të Autonomisë Lokale.

2. Shtetësia e Kosovës duhet njohur menjëherë, bashkë me integritetin territorial të saj. Kjo sepse Rezoluta 1244, pra vetë Këshilli i Sigurimit e ka shkëput Kosovën nga Serbia, ka njohur sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe ka ndaluar bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë e 22 korrikut 2010 ka vendosur se shpallja e pavarësisë së Kosovës, integriteti i saj territorial dhe tërësia territorial janë të bazuara në Kartën e OKB-së, përkatësisht dhe rezolutën 1244, si dhe në të drejtën ndërkombëtare! Prandaj shtetësia e Kosovës së bashku me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës janë të panegociueshëm, derisa për to ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit.

3. Nëse shtrohet për negocim çështja e krimeve serbe të luftës në Kosovës duhet që më parë të bëhet referendum dhe më pas të nënshkruhet marrëveshja. Askush nuk ka tagër të falë gjakun e shqiptarëve të rënë në luftë ose të masakruar nga forcat serbe të sigurisë në Kosovë. Çdo shtetar mund të falë krimet që serbët kanë bërë në familjen e tij, por ata nuk janë zgjedhur për të falë Kosovën dhe krimet serbe kundër shqiptarëve. Referendumi duhet ta përcaktojë këtë.4. Jam i bindur se zoti Thaçi ka interes gjithashtu vetjak për një diskutim të tillë. Nëse arrihet në faljen e krimeve të luftës që serbët kanë bërë në Kosovë, do të duhet të specifikohen se cilat krime, sepse ka krime që nuk mund të amnistohen, edhe nëse ato falen nga pikëpamja e padisë kundër Serbisë. Kriminelët duhen dënuar, edhe nëse shteti i Kosovës pas njohjes nga Serbia heq dorë nga padia në Gjykatën Ndërkombëtare për ato krime. Por gjithçka duhet ta vendos kuvendi dhe një referendum popullor. Interesi I zotit Thaçi është se ai mund të kontestojë sipas këtij standardi ndjekjen e krimeve të luftës nga ana e Gjykatës Speciale. Këtë mund ta shesë si sukses të politikës së tij para qytetarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat