“Vizat nuk do të hiqen shpejt, Kosova duhet të këndellet”

Politika

“Vizat nuk do të hiqen shpejt, Kosova duhet të këndellet”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 korrik 2018 Në ora: 16:06
Ilustrim

Dje u kumtua raporti pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Lajmi u bë i ditur në Bruksel nga Komisioneri evropian Dimitris Avramopoulos, gjatë një konference me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

“Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret, dhe kjo nuk ishte e lehtë. Do të doja të uroja institucionet e Kosovës për punën e madhe që ka bërë. Së pari me demarkacionin që ishte e rëndësishme për liberalizimin e vizave. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë. Kosova duhet të vazhdojë edhe më tutje që të sigurojë qëndrueshmëri, prandaj puna duhet të ketë vazhdimësi. Ka pasur bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të BE-së. Liberalizimi vjen me të drejta por edhe me obligime. Politika jonë nuk ka të bëjë vetëm me lejimin e lëvizjes së lirë, kemi një autoritet që është aprovuar së voni që mbikëqyrë lëvizjen e lirë. Shumë shpejtë i gjithë Ballkani Perëndimor do të udhëtojë pa viza”, tha ai.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë raport dhe kohën se kur mund të ketë Kosovë liberalizimin e vizave, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se raporti pozitiv është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare ka disponim që të heq vizat për qytetarët e Kosovës, por Kosova duhet të punojë që ta arrijë atë.

“Raporti pozitiv është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare ka mirëkuptim ndaj Kosovës dhe ka disponim që shqiptarëve t’ua ofrojë liberalizimin e vizave! Mirëpo, tash Kosova duhet ta kuptojë pozitën e saj dhe të angazhohet që të dëshmojë se e meriton liberalizimin e vizave. Raporti pozitiv është një lajm i mirë paralajmërues që Kosova ta kuptojë se duhet të këndellet dhe përmbush obligimet, sepse, lajmi i mirë mund të ndryshojë nëse Kosova nuk vetëdijësohet dhe të angazhohet seriozisht për ta merituar heqjen e vizave”, është shprehur ai.

Sipas Zogaj, do të jetë sukses i madh nëse vizat do të hiqen në fund të vitit 2019.

“Kjo sepse janë të shumta detyrimet që duhet plotësuar dhe sepse, në fazën finale rritet llupa e vrojtimit dhe insistimi më i rreptë i Komisionit Evropian! Vizat nuk do të hiqen shpejt! Nëse kjo do të ndodh në fundin e vitit 2019 do të jetë sukses i madh”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat