Karaçeva, “Kali i Trojës”, në Demarkacionin me Serbinë

Politika

Karaçeva, “Kali i Trojës”, në Demarkacionin me Serbinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 korrik 2018 Në ora: 10:42
Karaçevë

“Jo Karaçeva nuk do të jetë problemi më i madh i përcaktimit të kufirit me Serbinë. Karaçeva do të jetë një nga çështjet e hapura të cilat do t’i asociojnë qytetarët në Kullë dhe Çakorr. Përndryshe, çështja e demarkacionit me Serbinë do të jetë edhe më e vështirë se ajo e Malit të Zi, sa për shkak të kaluarës, jo shumë të largët, edhe më shumë për shkak të banorëve etnikë për gjatë brezit kufitar”, ka deklaruar Beqaj.

Kosova ka humbur pothuajse tri vjet gjersa përfundimisht ka mbyllur demarkacionin me Malin e Zi, ndërkaq tani përcaktimi i kufirit me Serbinë pritet të jetë një sfidë në vete.

Gjersa në përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi ishte kontestuar Çakorri, në përcaktimin e demarkacionit me Serbinë është duke u shfaqur Karaçeva.

Ditë më parë është raportuar se KFOR-i ka vendosur kufirin adiminstrativ me Serbinë, gjersa pronat e banorëve të Karaçevës kanë mbetur në territorin e Serbisë, gjë që ka përbërë shqetësim për ata.

Zyrtarët e KFOR-it kanë sqaruar se me vendosjen e tabelave ditë më parë në fshatin Karaçevë të Kamenicës vetëm e kanë paralajmëruar personelin e tyre dhe të UNMIK-ut për distancën e vijës administrative dhe kufitare, në mënyrë që t’i shmangen shkeljes së marrëveshjes me forcat e armatosura serbe dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me banorët e zonës.

“Vija administrative kufitare dhe shenjat nuk ndikojnë në jetën dhe në aktivitetet e qytetarëve në Kosovë. Vija administrative kufitare nuk është një vijë kufitare, por është një linjë referimi për të përcaktuar se ku KFOR-i, UNMIK-u dhe forcat e armatosura serbe mund t’i kryejnë misionet e tyre”, kanë thënë zyrtarët e zyrës për informim të KFOR-it.

Lenjani: Serbia pretendon ta bëjë shkëputjen e Karaçevës

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Lokale, Selver Lenjani, ka thënë për “Bota sot”, se banorët janë të preokupuar për atë zonë, pasi ajo zonë është e ndaluar për policinë e Kosovës.

Image
Selver Lenjani

Lenjani ka treguar se, Serbia pretendon ta bëjë shkëputjen e Karaçevës, për shkak të rezurseve që ajo posedon.

“Ne banorët e brezit kufitar kalojmë, por në tokën tonë, në komunën tonë, në truallin tonë kjo llogaritet se tokë e Serbisë. Karaçeva ka shumë minerale, prandaj Serbia pretendon ta bëjë shkëputjen për shkak të rezurseve natyrore, ka ambicie ta bëjë të veten. Çdo lloj provokimi ajo mundohet ta bëjë në mënyrë që të ikin banorët”, ka thënë Lenjani.

Ai ka deklaruar se, ata nuk do të lejojnë që Karaçeva t’i takojë Serbisë, sepse posedojnë dokumente, fakte të hartografuara se ajo pjesë i takon Kosovës.

“Ne kemi mbajtur edhe protesta dhe do të vazhdojmë me protesta, nuk do të lejojmë që Karaçeva të jetë e Serbisë. Kemi fakte, kemi harta që nga e kaluara se ajo pjesë i takon Kosovës. Kemi mbajtur një takim me KFOR-in, mirëpo ata nuk kanë lajmëruar kur kanë vendosur tabelat, ata janë kujdesur qetësisht të bëjnë vendosjen e tyre”, ka shtuar Lenjani për “Bota sot”.

Demarkacioni Kosovë- Serbi pritet të jetë kushti i radhës që BE-ja do t’ua shtrojë dy vendeve për proceset integruese, ndërkaq diskutimet për këtë do të bëhen në fazën e fundit që tashmë ka hyrë dialogu në mes të vendeve.

Rugova: Temë jo e lehtë

Deputetët e analistë kanë thënë për “Bota sot”, se përcaktimi i kufirit me Serbinë, do të jetë sfidë e radhës, ndërkaq problemi i Karaçevës do të jetë vetëm fillimi i problemeve.

Image
Naser Rugova

Naser Rugova, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Karaçeva dhe pikat të tjera të përcaktimit të kufirit me Serbinë, do të jenë tema jo të lehta.

Ai ka uruar që Kosova të jetë e përgatitur si shtet për zgjidhjen e demarkacionit me Serbinë.

“Përcaktimi i vijës kufitare me Serbinë do jetë sfida e radhës e përmbylljes së shtetësisë së Kosovës. Jo vetëm Karaçeva, por edhe pika tjera do jenë tema jo të lehta, uroj që të jemi të përgatitur si shtet, por edhe banorët e kësaj treve të dëshmojnë me dokumentacion valid pronat e tyre”, ka deklaruar për “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Naser Rugova.

Që në fazën e fundit të dialogut me Serbinë do të diskutohet për kufirin në mes të dy vendeve, e kishte paralajmëruar edhe vetë Presidenti i Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për medie, kishte folur për demarkacionin me Serbinë, për rreth 400 km tokë, duke shtuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në këtë çështje.

“Ne do të kemi çështjen me demarkacionin me Serbinë rreth 400 km, ju e dini se çfarë situate kemi kaluar me Malin e Zi, tri vite pritje. Prandaj, ne duhet të bëjmë të gjithë se bashku ekipin që do të punojë për demarkacion me Serbinë. Nuk lejojmë të cenohet asnjë centimetër i territorit të Kosovës”, ishte shprehur ai.

Millaku: Problemi i Karaçevës është  vetëm fillimi

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë ajo e cila kishte kundërshtuar më së shumti demarkacionin me Malin e Zi, ndërkaq tani paralajmëron probleme tjera në kufirin e Kosovës me Serbinë.

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, ka thënë se problemi i Karaçevës do të jetë vetëm fillimi i problemeve të kufirit me Serbinë.

Qeveria aktuale nuk është e përgatitur të ballafaqohet me problemet që e presin Kosovën, sipas Millakut, gjersa ka shtuar pushtetarët dëshirojnë ta shkatërrojnë Kosovën.

“Ne si LVV kemi reaguar shumë  herë  se precedani me kufirin e Malit të  Zi  do të ketë pasoja edhe me demarkacionin me Serbinë. Problemi i Karaçevës është  vetëm fillimi i problemeve të kufirit me Serbinë. Sipas ekspertëve demarkimi me Serbinë do të ketë edhe pika tjera problematike, e qe ndoshta do të çojnë deri në konflikt tjetër. Po e shohim se qeveria aktuale nuk është e përgatitur që të ballafaqohet me problemet që po e presin Kosovën. Kapaciteti i tyre intelektualë është shumë i mangët që të merret me këto punë. E keqja është se këta po mendojnë se kanë luftuar dhe se kanë të drejtë të bëjnë gjithçka për fatin e Kosovës, derisa ta shkatërrojnë tërësisht këtë gjysëm shteti”, ka pohuar Millaku.

Millaku i ka quajtur “komandantët” të paditur, gjersa ka thënë se nëse do të vazhdojë kjo qeveri e gatshme kundrejt politikave serbe, atëherë Kosova do të jetë mozaik me probleme.

“Padituria "komandantëve" nuk ka kufi, zgjidhja e vetme është që të shkohet në legjitimitetin e qeverisë nëpërmes votës popullore, nëse kjo qeveri do të vazhdojë t’i rrinë gatitur politikave serbe atëherë Kosova do të jetë një mozaik me probleme të ndryshme si territoriale ekonomike e politike në përgjithësi”, ka nënvizuar Millaku.

Demarkacioni me Serbinë ishte propozuar nga Bashkimi Evropian, madje ende pa u përmbyllur demarkacioni me Malin e Zi.

Përcaktimi i kufirit me Kosovën mund të jetë kusht për Serbinë në BE, por njëkohësisht paraqet një problematik për Kosovën.

Beqaj: Çështja e demarkacionit me Serbinë do të jetë edhe më e vështirë se ajo e Malit të Zi

Image
Belul Beqaj

Politologu Belul Beqaj, ka thënë se çështja e demarkacionit me Serbinë, mund të jetë më e vështirë, si për shkak të të kaluarës, ashtu edhe për shkak të banorëve etnikë.

“Jo Karaçeva nuk do të jetë problemi më i madh i përcaktimit të kufirit me Serbinë. Karaçeva do të jetë një nga çështjet e hapura të cilat do t’i asociojnë qytetarët në Kullë dhe Çakorr. Përndryshe, çështja e demarkacionit me Serbinë do të jetë edhe më e vështirë se ajo e Malit të Zi, sa për shkak të kaluarës, jo shumë të largët, edhe më shumë për shkak të banorëve etnikë për gjatë brezit kufitar”, ka deklaruar Beqaj.

Zgjidhja e kufirit me Serbinë, sipas Beqajt, është e thjeshtë nëse nuk do të politizohet.

“Zgjidhja  është megjithatë e  thjeshtë nëse nuk politizohet. Problemi është se rasti  i Malit të Zi është një shembull shumë i keq që mund të shfrytëzohet si model për zgjidhjen edhe të këtij kufiri. Po shpresojmë se nga rasti i Malit të Zi kemi nxjerr ndonjë përvojë pozitive”, ka shtuar Beqaj.

Tahiri: Zona e Karaçevës, problem më serioz

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se demarkacioni me Serbinë, është një proces i nevojshëm.

“Demarkimi i kufirit me Serbinë, është një proces i nevojshëm dhe kjo legjitimon shtesë Kosovën në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë. Janë shtetet ato që sipas të drejtës ndërkombëtare duhet të bëjnë demarkimin e kufirit mes tyre”, ka thënë Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Ai nuk ka paraparë vështirësi në zgjidhjen e çështjes së kufirit me Serbinë, pasi siç ka thënë ai, vija kufitare është e qartë deri në detaje.

“Për dallim prej kufirit aktual me Malin e Zi, i cili fillon vetëm pas themelimit të autonomisë së Kosovës në procese pas luftës së dytë botërore, kufiri aktual me Serbinë ka një historik më të gjatë. Në këtë drejtim demarkimi i tij është diku më i thjeshtë, e diku me ndonjë paqartësi eventuale. Aty ku kufiri aktual përcjellë kufirin e vitit 1878 ndërmjet Perandorisë Osmane (Vilajetit të Kosovës) dhe Serbisë, ashtu siç ishte përcaktuar me Kongresin e Berlinit, nuk priten aspak vështirësi ngase vija kufitare është e qartë deri në detaje”, ka pohuar politilogu.

Tahiri ka treguar ndryshimet që ka pësuar ky kufi ndërshtëror, gjersa zonën e Karaçevës e konsideron si problem më serioz.

“Ky kufi ishte ndërshtetëror qysh para 140 viteve. Por për dallim nga viti 1878, kufiri ka pësuar ndryshime në tre segmente. Segmenti i parë janë pjesët e kufirit në drejtim të komunave Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, ku ndryshimet të cilat janë realizuar deri në fund të viteve 50-të kanë dëmtuar tërësinë gjeografike të Kosovës. Segmenti i dytë është në zonën e Leposaviqit, kurse segmenti i tretë është në drejtim të komunës së Novi Pazarit, kufi ky i cili është vendosur pas krijimit të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

 “Në këto segmente mund të ketë ndryshime minimale në terren në raport me gjendjen e tanishme, ngase ka dokumentacion i cili flet si për kufirin e vitit 1878, ashtu edhe për ndryshimet të cilat janë realizuar ndër vite, por që kanë përfunduar në vitin 1959. Që nga ajo kohë kufiri më nuk ka lëvizur, kurse problemi i vetëm serioz i deklaruar është ai në zonën e Karaçevës në Kamenicë, por i cili në gjendjen aktuale në terren është i realizuar sipas Marrëveshjes së Kumanovës”, është shprehur ai.

Kusht për shmangien e paqartësive

Demarkimi i kufirit me Serbinë nuk duhet parë si diçka negative, sipas Tahirit, pasi Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pranojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Ai ka shtuar se, demarkimi me Serbinë mund të jetë kusht i vënë nga diplomacia ndërkombëtare për Serbinë.

“Në parim, demarkimi i kufirit me Serbinë nuk duhet parë assesi si diçka apriori negative. Përkundrazi, në një proces të demarkimit, Serbia në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pranojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Por, pikërisht ky fakt, na sugjeron se procesi i demarkimit me Serbinë, mund të ndodhë vetëm në mënyrë sinkronike në vazhdën e modaliteteve diplomatike me anë të të cilave Serbia do të njihte ekzistimin e Shtetit të Kosovës. Kjo edhe mund të jetë një kusht i vënë nga diplomacia ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen paqartësi të mëvonshme”, ka shtuar politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat