LDK distancohet nga Lutfi Haziri, Kosova nuk është pronë e asnjë individi

Politika

LDK distancohet nga Lutfi Haziri, Kosova nuk është pronë e asnjë individi

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 26 korrik 2018 Në ora: 07:46
Hashim Thaçi ka tentuar ta futë në kurth Lidhjen Demokratike të Kosovës me qëndrimin e Lutfi Hazirit për shkëmbim territoresh Kosovë - Serbi.

“Lutfi Haziri është deklaruar dhe ka sqaruar se kjo ide është ide personale e tija. Njëkohësisht LDK është distancuar nga kjo ide dhe këtu është fatkeqësia e Kosovës kur zotri Thaçi mendon se si individ mund të bëj çfarë të dojë. Dhe veprimet e ti të cilat tashmë e kanë zënë në kurthin e vet të cilën për interesa të ti personale ju kurdis, përdor deklarata të individëve që të fshehët pas tyre. Kosova nuk është pronë e asnjë individi kushdo qoftë ai. Kosova është Republikë Parlamentare, çdo vendim të rëndësishëm për vendin duhet ta vendos Parlamenti i Republikës së Kosovës”, thotë Besa Gaxherri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka tentuar ta futë në kurth Lidhjen Demokratike të Kosovës me qëndrimin e Lutfi Hazirit për shkëmbim territoresh Kosovë - Serbi. Kur është pyetur rreth qëndrimit të kryetarit të Gjilanit Thaçi ka përmendur faktin se Haziri është edhe nënkryetar i LDK-së.

Hashim Thaçi po provon t'i bëjë bashkë subjektet politike duke u bërë thirrje që t’i rreshtohen prapa në dialogun Kosovë – Serbi. Rrugës, derisa po provon t’i bindë ato, ai po provon të ndërtojë kurthe siç ishte rasti me LDK-në.

Ditë më parë, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se problemi me Serbinë është krejtësisht territorial dhe mund të zgjidhet duke shkëmbyer territoret “duke i kthyer kufijtë sipas atyre të vitit 1956”.

“Ideja e shkëmbimit të territoreve vetëm po replikohet. Ne me Serbinë kemi problem territorial dhe pa u zgjidhur kjo gjë nuk mund të ketë paqe dhe qetësi. Duhet që të kthehen kufijtë në bazë të kriterit demografik, sepse në vitet e ‘50-ta Serbia mbi këtë parim ka bërë riorganizim territorial. Pse shqiptarët e Luginë së Preshevës të mos bashkohen me shtetin e tyre, sepse edhe atëherë i kanë takuar Kosovës”, ka thënë Haziri, i cili shton se “integriteti territorial i Kosovës është i garantuar dhe provokimet e Serbisë duhet të shikohen në kontekst popullsitë të liderëve serbë”, ka shkruar Haziri.

Gaxherri: LDK është distancuar nga deklarata e Lutfi Hazirit

Presidenti Thaçi, kur është pyetur rreth deklaratës së Lutfi Hazirit për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai e ka përmendur faktin që Haziri përveç që është kryetar i Gjilanit është edhe nënkryetar i LDK-së dhe qëndrimin e tij do ta analizojë seriozisht.

Me këtë rast, presidenti e ka goditur edhe kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili e ka hedhur poshtë këtë qëndrim të Hazirit duke e quajtur shakaxhi.

Image
Besa Gaxherri

Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri ka thënë për gazetën “Bota sot” se, ideja e shkëmbimit të territoreve është ide personale e Lutfi Hazirit, ndërsa LDK-ja, është distancuar nga deklarata e tij.

Gaxherri shprehet se, është fatkeqësi e Hashim Thaçit nëse ai mendon që, Lutfi Haziri si individ mund të bëj çfarë të dojë.

Sipas saj, Kosova nuk është pronë individuale por Republikë Parlamentare.

“Lutfi Haziri është deklaruar dhe ka sqaruar se kjo ide është ide personale e tija. Njëkohësisht LDK është distancuar nga kjo ide dhe këtu është fatkeqësia e Kosovës kur zotri Thaçi mendon se si individ mund të bëj çfarë të dojë. Dhe veprimet e ti të cilat tashmë e kanë zënë në kurthin e vet të cilën për interesa të ti personale ju kurdis, përdor deklarata të individëve që të fshehët pas tyre. Kosova nuk është pronë e asnjë individi kushdo qoftë ai. Kosova është Republikë Parlamentare, çdo vendim të rëndësishëm për vendin duhet ta vendos Parlamenti i Republikës së Kosovës”, thotë Besa Gaxherri.

E gjatë ditës së mërkurë, koordinatori për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, Petrit Selimi, ka shpërndarë një lajm ku prezantohet qëndrimi i Lutfi Hazirit për shkëmbim territoresh me Serbinë. Edhe pse LDK-ja është distancuar nga qëndrimi i Hazirit, Selimi e ka përmendur pikërisht postin e nënkryetarit që ai mban.

"Po nxehet debati. Nënkryetari i LDK-së opozitare dhe kryetari i Gjilanit përsërit qëndrimin e vjetër të tij se marrëveshja finale me Serbinë duhet të përfundojë me shkëmbim territoresh: Lugina e Preshevës për Leposaviqin me rrethinë”, ka shkruar Selimi. Këtë lajm Selimi e ka shpërndarë pikërisht në ditën kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se do ta marrë seriozisht këtë qëndrim të Hazirit.

Image
Imer Mushkolaj

Mushkolaj: Ndarja e Kosovës është vënë lartë në agjendën e Hashim Thaçit

Megjithatë, edhe analisti politik Imer Mushkolaj, thotë se qëndrimi i Hazirit është individual, porse ndarja e Kosovës është vënë lartë në agjendën e Hashim Thaçit.

Sipas tij, Thaçi po synon me përgatit opinionin për kompromisin e tij me Serbinë, që ndërmjet ndarjes dhe autonomisë ai do të nënshkruaj të keqën më të vogël.

“Qëndrimi i Hazirit është qëndrim individual, e jo i partisë. Ndarja e Kosovës është vënë lart në agjendë nga Thaçi, pasi që në këtë mënyrë ai po synon të përgatisë opinionin për kompromisin e dhimbshëm me Serbinë, që do të jetë autonomi për veriun. Atëherë ai do të arsyetohet se ndërmjet ndarjes dhe autonomisë nënshkroi marrëveshje për autonomi, si e keqja më e vogël”, thotë Imer Mushkolaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Mentor Tahiri

Loja e kufijve, aventurë e papërmirësueshme

Ndërsa, politologu Mentor Tahiri thekson se, ideja për ndryshimin e kufijve aktual të Kosovës vjen nga dy tabore shqiptare plotësisht të ndryshme.

“Në njërën anë ka rryma të tilla politike të cilat në krijimin e kufijve etnik shohin mundësinë për shuarjen e Shtetit të Kosovës, respektivisht bashkimin me Shqipërinë, kurse ka edhe deklarata si kjo e z. Haziri e cila niset nga aspekti “moral” dhe politik i përgjegjësisë që ka Prishtina zyrtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Në rast të shkëmbimit të territoreve, do të ndryshonte natyrshëm edhe arkitektura kushtetuese aktuale në Kosovë”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Megjithatë, sipas tij, gjërat duhet shikuar më me kujdes dhe në kuadër të një prizmi më të gjerë.

“Në parim, çfarëdo ndryshimi i kufijve në Ballkan do të nxiste domino efekt kudo. Ky efekt, në konotacionin aktual më së shumti do t’i konvenonte Serbisë, e cila i sheh të zbatueshme planet për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës, sidomos kur kemi parasysh faktin se çështja e kufijve të brendshëm të ndarjes eventuale të Bosnjë-Hercegovinës është e parapërcaktuar”, shprehet ai.

Tahiri shton se, çdo gjë sa i përket kufijve varet nga mënyra se si konceptohet e ardhmja e gadishullit nga ana e faktorit ndërkombëtarë.

“Prishtina zyrtare duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe të mos punojë kundër tërësisë territoriale të Kosovës. Krijimi i Shtetit të Kosovës është rrjedhojë e historisë nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar dhe çfarëdo veprimi që e rrezikon Kosovën përmes “lojës” së kufijve, do të jetë një aventurë e papërmirësueshme më vonë” përfundon politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat