Haki Abazi tregon kur do të bie Qeveria

Politika

Haki Abazi tregon kur do të bie Qeveria

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 korrik 2018 Në ora: 12:41
Haki Abazi

Zgjedhjet prej kohësh po kërkohen nga opozita, e cila thotë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, nuk duhet të vazhdojë punën.

E së fundmi kanë filluar të mbledhin nënshkrimet, ku u duhen edhe katër vota për të nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

Sa mund të arrijnë t’i kenë këto vota dhe a ka mundësi të ketë zgjedhje në vjeshtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ekziston një proces dhe një realitet, ku procesi është se opozita e ka rolin e opozitës që ta mbrojë Kushtetutën dhe në rastin aktual, ajo duhet të mos jetë vetëm opozitë normale por dhe ta mbrojë shtetin.

“Në këto zhvillime të kësaj legjislature ka një proces dhe një realitet. Procesi është ajo çfarë duhet të ndodhë në çdo sistem parlamentar, opozita e ka për qëllim kudo që të luajë rolin e opozitës e në rastin e tanishëm kur po shkelet Kushtetuta dhe është kapur shteti nga një grup mafiozo-olgarkik i Thaçit dhe Pronto e që po punon për interesa për të mbajtur peng vendin dhe eventualisht të bëjë pazare të dëmshme, sikur këto që i kemi parë deri tani përfshirë edhe gënjeshtrat për liberalizim etj, roli i opozitës është shtet-mbrojtës dhe në mbrojtje të Kushtetutës jo vetëm opozitë normale”, është shprehur Abazi.

Ndërsa, realiteti, sipas tij, ka të bëjë me faktin se qeveria nuk e ka shumicën dhe do të duhej të jepnin dorëheqje dhe jo ta mbajnë vendin peng me paditurinë e tyre.

“Realiteti ka të bëjë gjithashtu me faktin se kjo qeveri është përbërë prej partive që nuk e kanë shumicën dhe Listës Srpska që i ka të garantuara ulëset, për çfarë qeverie po flasim, me rregull e me moral politike këta do të duhej të jepnin dorëheqje e jo të mbanin vendin peng me paditurinë e tyre. atëherë procesi duhet të ecë tutje deri në arritjen e mbledhjes së nënshkrimeve dhe realiteti gjithashtu duhet parë se kjo qeveri dhe këto institucione nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet për të udhëhequr vendin pas në rrethana normale e lëre më gjithë këtë presion në të cilin e kanë sjellë me udhëheqje të gabuar që më shumë dhjetë vite”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që të ketë zgjedhje në vjeshtë, sipas Abazit, mbetet të shihet, por ai parasheh që qeveria do të bie deri në pranverën e ardhshme.

“Sa është e mundur që në vjeshtë të ketë zgjedhje ajo mbetet të shihet por sigurisht që nuk ka kuorum as për mbajtjen e seancave të parlamentit. Mendoj që dosido kjo qeveri do të bie më së largu në pranverë të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat