Kuvendi ta parandalojë copëtimin e Kosovës nga Hashim Thaçi

Politika

Kuvendi ta parandalojë copëtimin e Kosovës nga Hashim Thaçi

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 korrik 2018 Në ora: 19:26
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

Brenda një kohë të shkurtër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi tre herë para medieve se takimi me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, ka qenë i rëndë. Ai këtë e tha edhe para studentëve, me të cilët mbajti një takim.

Në këtë takim por edhe në konferencat për shtyp, kryesisht çka foli Thaçi, kishte të bëj me dialogun me Serbinë, e në të gjitha deklaratat e tij paralajmëroi kompromise të dhimbshme me shtetin e Serbisë, si kusht për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por pa specifikuar se cilat janë ato. 

Këto deklarata të Thaçit nuk janë të parat të tij, por janë më të shpeshtuara kohëve të fundit, e krejt këto ngjallin dyshime se harta në flamurin e Kosovës do të ndryshohet, për shkak se mund të ketë marrëveshje për ndarjen e territorit të shtetit më të ri të Evropës. Thaçi që moti kishte filluar paralajmërimet e tij për këto kompromise të dhimbshme që do të ndodhin brenda një kohe të shkurtër.

Një pyetje e dikujt nëse del në shesh se për çka luftuan shqiptarët në luftë me Serbinë dhe për cilin qëllim ranë të gjithë ata dëshmorë, mund t’i sjellin probleme serioze Thaçit.

Analistët politikë i shohin deklaratat e Thaçit si të realizueshme me kohën, e me qëllim personal të Thaçit që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

Kelmendi: Thaçi i ka dhënë Serbisë poena drejt avancimit të saj në BE

Njohësi i çështjeve politike Jeton Kelmendi, tha për “Bota sot”, se kompromiset që i paralajmëron Thaçi, janë pamje reale dhe të njëjtën kohë të turpshme. Ai e quan Thaçin si një antishqiptar i madh që e ka vendosur Kosovën si hipotekë për shpëtimin e lëkurës së tij nga Gjykata Speciale.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se deklaratat e presidentit Thaçi, i cili paralajmëron kompromise me shtetin serb, janë pamje reale dhe e turpshme e presidentit. Përfundimisht ai është një njeri antishqiptar tepër i madh dhe unë mendoj se Thaçi ka kohë që e ka vu Kosovën në hipotekë për shpëtimin e lëkurës së tij dhe gjithçka  çfarë ai bën, është për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale. Kjo është tragjike për Kosovën dhe shqetësimi më i madhe është se pse jo Thaçi është në gjendje të bëjë, sepse unë gjithmonë kam pasur dyshimet e mia të mbështetura në fakte për këtë figurë të komprometuar, por unë mendoj se tragjikja qëndron  pse faktori politik shqiptarë nuk bashkohen ta shkarkojë me çdo mënyrë presidentin Thaçi”, tha Kelmendi.

Sipas tij, Serbia po avancon në Bashkimin Evropian për shkak të Hashim Thaçit duke i dhënë poenë politik shtetit serb, ndërsa Kosovës vetëm mashtrime dhe asgjë tjetër.

“Ky njeri shumë herë ka lëshuar pe ndaj Serbisë dhe është ky njeri që e ka quar Serbinë drejt integrimeve evropiane në BE dhe tragjikisht Kosova nuk ka përparuar asgjë. Pra, Thaçi i ka dhënë Serbisë poena drejt avancimit të saj në BE, ndërsa Kosovës i ka dhënë vetëm mashtrime dhe asgjë tjetër. Ka një seri mashtrimesh nga Hashim Thaçi dhe mendoj se populli duhet të mobilizohet për ta shkarkuar këtë njeri dhe më pas ta padisin për tradhti kombëtare në institucionet e drejtësisë, mirëpo jo në këto institucione në të cilat janë të kontrolluara nga Thaçi”, thekson Kelmendi.

Islami: Serbia po e përdorë partnerin më të mirë, Hashim Thaçin

Ndërsa publicisti Gazmend Islami, thotë për “Bota sot”, se fakti që përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kërkuan nga Thaçi bashkimin zyrtar me Kosovën, e në anën tjetër përfaqësues të Listës Serbe kërkuan nga Vuçiqi që veriu të bashkohet me Serbinë, ngjallin dyshime se këtu po luhet një lojë mirë e përgatitur.

Image
Gazmend Islami

“Kjo çka bie në sy këto ditë, është që Hashim Thaçi është duke bashkëpunuar ngushtë me Vuçiqin për ta arritur qëllimin e tyre, natyrisht edhe me bekimin e Bashkimit Evropian. Thirrja e fundit e liderëve të Luginës për të ardhur në Prishtinë dhe për të biseduar gjoja se do të bëhet bashkimi i tyre zyrtarisht me Kosovën, është e njëjta lojë që na e kanë bërë para pak ditësh edhe serbët e veriut, të cilët kanë qenë te Vuçiqi dhe e kanë kërkuar të njëjtën gjë. Është duke u hapur kutia e Pandorës dhe natyrisht që Hashim Thaçi është duke përdorur politika neutralizuese brenda Kosovës, në mënyrë që të mos ketë trazira në momentet kur Kosovën do ta presin ditë të vështira”, potencon Islami.

Thaçi është parteri më i mirë i Serbisë për t’u integruar në BE, thotë Islami, ndërsa shton se qëllimi i krejt kësaj është që Serbia ose nënshkrimi i vënë në 2013 nga Hashim Thaçi në Bruksel për autonomin serbe brenda Kosovës të realizohet dhe kjo natyrisht që e bën shtetin e Kosovës jofunksional.

“Qëllimi i krejt kësaj është që Serbia ose nënshkrimi i vënë në 2013 nga Hashim Thaçi në Bruksel për autonomin serbe brenda Kosovës të realizohet dhe kjo natyrisht që kjo e bënë shtetin e Kosovës jofunksional dhe Serbia me këtë rast arrinë që të ketë nën sundim apo nën mbikëqyrjen e vet Kosovën dhe për të ardhmen sigurisht që do të jetë lider Ballkanik. Për t’i arritur gjithë këto qëllime, Serbia po e përdorë partnerin më të mirë, Hashim Thaçin. Nëse parlamenti nuk ndërmerr hapa dhe populli hesht, atëherë Thaçi do t’ia arrij që t’i bëj të gjitha këto me dinakërinë e tij dhe ta copëtojë Kosovën”, shton Islami për “Bota sot”.

Beteja e fundit e Hashim Thaçit

Kurse, analisti Nexhat Haziri thotë se, kjo është beteja e fundit për Thaçin, të cilën nëse e fiton, do humbet Kosova.

“Gjithë këto veprime të presidentit Thaçi për ambicien e tij që të konfirmohet si lider i vetëm që ka fuqi politike për të qenë në krye të delegacionit të Kosovës në bisedimet finale me Serbinë. Kjo sikur lexohet se është beteja e fundit e Hashim Thaçit për ta realizuar këtë ambicie, e cila nëse fitohet nga presidenti do të jetë një humbje e madhe për Kosovën. E them këtë për arsyeje edhe të deklaratave të tij, se nuk ka vija të kuqe në dialog me Serbinë, se do të ketë kompromise të dhimbshme akoma pa filluar kjo fazë e dialogut, që do të thotë se takimet e fshehta Thaçi - Vuciq, për ndarje të Kosovës në vija etnike, tashmë janë të vërtetuara”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Ai mendon se është momenti i fundit që ky njeri të pengohet që ta përfaqësojë Kosovën në këtë fazë finale të dialogut dhe që duhet një mobilizim dhe koordinimi i mirë i opozitës por edhe një qytetari aktiv duke përfshire edhe shoqërinë civile për ta ndaluar Thaçin.

“Andaj është momenti i fundit që ky njeri të pengohet që ta përfaqësojë Kosovën në këtë fazë finale të dialogut me Serbinë. Unë besoj se një mobilizim dhe koordinimi i mire i opozitës, por edhe një qytetari aktive duke përfshirë edhe shoqërinë civile, do të arrihet që Kosova të jetë e përgatitur me një ekip të mire e profesional për t'iu qasur procesit të dialogut me Serbinë në këtë fazë të dialogut. Thaçi më nuk ka kredibilitet për ta përfaqësuar Kosovën në asnjë nivel bisedimesh, pra assesi në dialog me Serbinë”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat