Me Qeverinë Haradinaj, Kosova larg NATO-s

Politika

Me Qeverinë Haradinaj, Kosova larg NATO-s

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 30 korrik 2018 Në ora: 09:21
Anëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK)

Përkundër premtimeve të vazhdueshme nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj për zgjidhjen temave  të mëdha si liberalizimi i vizave, ushtria, dialogu e NATO, epilogu i këtyre të fundit mendohet se nuk do të marrë fund as brenda këtij viti.

Tashmë si një çështje krejtësisht e harruar nga i pari i qeverisë po del të jetë edhe integrimi në NATO.

Derisa Kosova edhe me tej vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka filluar negociatat për nënshkrimin e partneriteti për paqe, shteti fqinj, Maqedonia, tani ka marrë ftesën për anëtarësim NATO.

Opozita konsideron se anëtarësimi në NATO është ambicie tani për tani shumë e largët për Kosovën, e posaçërisht duke marrë parasysh qeverinë e tanishme.

Ndërsa, njohësit e zhvillimeve në vend, mendojnë procesi i anëtarësimit në NATO do të marrë kohë deri sa të realizohet, pasi që, sipas tyre, kjo është një çështje kryekëput politike.

“Haradinaj dhe koalicioni duhet të realizojnë premtimet e dhënë”

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, duke e komentuar çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për gazetën “Bota sot”, thotë se, anëtarësimi në këtë organizatë tashmë është ambicie shumë e largët për Kosovën, e posaçërisht, duke marrë parasysh qeverinë e tanishme.

Image
Bajram Gecaj

Sipas Gecajt, Haradinaj dhe koalicioni aktual duhet të realizojnë premtimet e dhënë se do të shtynin përpara "çështjet e mëdha".

“Anëtarësimi në NATO është ambicie tani për tani shumë e largët për Kosovën, posaçërisht duke marrë parasysh qeverinë e tanishme. Së pari, Haradinaj dhe koalicioni duhet të realizojnë premtimet e dhënë se do të shtynin para "çështjet e mëdha", për të cilat nuk munden të bënin ende asgjë”, është shprehur Gecaj.

Tutje, zyrtari i LDK-së, shtonë duke thënë se, e vetmja çështje e madhe të cilën e ka shtyrë para kjo qeveri është demarkacioni, për të cilën thotë se nuk do të mund të realizohej pa votën e partisë së tij.

“E vetmja çështje e madhe të cilën e ka shty para kjo qeveri është demarkacioni, dhe kjo nuk do të mund të realizohej kurrë pa votën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së vetëm shtet-formuese, kombëtare e civilizueses në skenën politike kosovare”, përfundoi zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

 “Pa ushtri nuk ka kuptim as anëtarësimi në NATO”

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, për gazetën “Bota sot”, thotë se, anëtarësimi Kosovës në NATO dhe në institucionet tjera të Bashkimit Evropian dhe në organizatat botërore nuk është një prioritet i Qeveris Haradinaj.

Image
Ali Hertica

Ai thotë se, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka filluar negociatat për nënshkrimin e partneritetit për paqe.

 “Siguria në jetën tonë të përditshme është çelësi i mirëqenies sonë. Qëllimi i NATO-s është të garantojë lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake. Çdo ditë, vendet anëtare konsultohen dhe marrin vendime për çështjet e sigurisë në të gjitha nivelet dhe në fusha të ndryshme. Përderisa vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke avancuar në procesin e integrimit euro-atlantik, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka filluar negociatat për nënshkrimin e partneriteti për paqe. Mos anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në institucionet të tjera të Bashkimit Evropian dhe në organizatat botërore si duket nuk është një prioritet i Qeverisw Haradinaj”, thotë Hertica.

Ai konsideron se kjo zvarritje reflekton si një mungesës e vetëdijes së përgjithshme, sidomos nga ana e politikë- bërësve, siç thotë ai, prej nivelit të lartë e deri në nivelin e ulët.

“E gjithë kjo zvarritej siç po duket është një çështje politike e cila po e prolongon shtetin e Republikës së Kosovës të jetë anëtare shumë organizatave botërore dhe pikërisht të jetë anëtare e NATO-s. Pa forca ushtarake, pa ushtri nuk ka kuptim as anëtarësimi në NATO. Kosova duhet së bashku me qeverinë të mundëson këtë proces të rishikimit të FSK-së në shndërrimin ushtrisë së shtetit të Kosovës. Ky proces duhet sa më shpejt të përfundon. Kjo reflekton një lloj të mungesës së vetëdijes së përgjithshme, sidomos nga ana e politikë- bërësve, prej nivelit të lartë e deri në nivelin e ulët, lidhur me implementimin e vizionit strategjik. Vizioni i qytetarëve është integrimi në BE dhe në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës është pjesëmarrëse aktive e shumë ngjarjeve në rajon, është duke ndihmuar jo vetëm Kosovën në ndërtimin e saj, por edhe në punët e tjera në raste të emergjencave, e në rastet të tjera. Me një fjalë, mund të themi se FSK-ja i plotëson të gjitha kushtet që të jetë anëtare e NATO-s”, përfundoi analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ali Hertica, për gazetën “Bota sot”.

“Çështje kryekëput politike”

E, në anën tjetër, analisti Faik Krasniqi, mendon se mos amendamentimi i Kushtetutës së Kosovës ka bllokuar një numër procesesh të rëndësishme, përfshirë edhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, Lista Serbe e ka të drejtën kushtetuese të shumicës së dyfishtë, dhe ajo do ta bllokojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Mos amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës ka bllokuar një numër procesesh të rëndësishme, përfshirë edhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndryshimet kushtetuese kurdo që të mendohet të kryhen duhet të kalojnë përmes procedurave të caktuara, përfshirë një votim të dyfishtë: fillimisht prej dy të tretave të 120 deputetëve të Kuvendit dhe njëkohësisht dy të tretave të deputetëve nga radhët e komuniteteve. Por, Lista Serbe e ka të drejtën kushtetuese të shumicës së dyfishtë, dhe ajo do ta bllokojë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Krejt në fund, Krasniqi tha se, ky proces do të marrë kohë deri sa të realizohet, sepse, sipas tij, është çështje kryekëput politike.

“Prandaj ky proces do të marrë kohë deri sa të realizohet, sepse është çështje kryekëput politike. Dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë një proces tepër i vështirë, sepse së pari duhet të bëhet transformimi i FSK-së në ushtri, e pastaj të aplikohet për anëtarësim në NATO. Vetëm një trysni e Bashkësisë Ndërkombëtare drejt Beogradit, do ta detyronte Listën serbe që ta votojë krijimin e Ushtrisë”, tha në fund Krasniqi.

Ndërkohë, kujtojmë se njëri nga kriteret që shteti i Kosovës duhet të përmbushë, nëse dëshiron të jetë pjesë e integrimeve në NATO, është që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të shndërrohet në ushtri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat