Zgjedhjet e shpëtojnë vendin nga pazaret e dëmshme

Politika

Zgjedhjet e shpëtojnë vendin nga pazaret e dëmshme

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 1 gusht 2018 Në ora: 07:07
Qeveria PANA-Lista Serbe

“Në rastin e tanishëm kur po shkelet Kushtetuta dhe është kapur shteti nga një grup mafiozo-olgarkik i Thaçit dhe Pronto-s e që po punon për interesa për të mbajtur peng vendin dhe eventualisht të bëjë pazare të dëmshme, sikur këto që i kemi parë deri tani përfshirë edhe gënjeshtrat për liberalizim etj, roli i opozitës është shtet-mbrojtës dhe në mbrojtje të Kushtetutës jo vetëm opozitë normale”, është shprehur Haki Abazi.

Që nga formimi i Qeverisë, opozita ka kundërshtuar atë. E kundërshtimi është bërë edhe më i madh kur Lista Serbe deklaroi se nuk është pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Derisa mazhoranca nuk i ka 61 vota për të votuar ligjet në Kuvend, opozitës në anën tjetër i duhen edhe katër vota që ta dërgojë në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

E së fundmi ka deklarata që thonë se mund të ketë zgjedhje në vjeshtë të këtij viti.

Image
Ramiz Kelmendi

Kelmendi: Nuk është mirë ta rrëzojnë qeverinë me Beograd

Për këtë të fundit dhe numrat për mocionin e votëbesimit, për gazetën “Bota sot”, deputeti nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se janë dy mënyra që Qeveria të rrëzohet.

“Ne e dimë që na mungojnë katër vota. Jemi të vetëdijshëm që as qeveria nuk i ka 61 vota. Dhe ne mendojmë se Qeveria i ka dy mënyra për tu rrëzuar, e para është që opozita të krijojë numrin e votave për të iniciuar mocionin për votëbesim dhe e dyta është që Qeveria ta ftojë mocionin”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, opozita nuk dëshiron të përdorë votat e Listës Serbe, që ta rrëzojë Qeverinë me Beogradin.

“Ne kemi pritur që qeveria ta kuptojë që nuk i ka 61 vota dhe si e tillë nuk mund të qëndrojë më, në të kundërtën do të shkojë kështu, derisa lodhet dikush dhe na jep votat. Ne mundemi ta rrëzojmë edhe me votat e Listës Serbe, por është krijuar një opinion që nuk është mirë ta rrëzojnë qeverinë me Beograd dhe kjo na pengon”, ka deklaruar deputeti i LDK-së për “Bota sot”.

Sa i përket mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve në vjeshtë të këtij viti, ai ka thënë se Qeveria duhet ta kuptojë dhe të tërhiqet e të japë datën e zgjedhjeve.

“Po plotësohen kushtet që të shkohet në zgjedhje të reja pasi qeveria aktuale nuk po mundet të kalojë thuajse asnjë ligj, e në veçanti ato ligje që janë me rëndësi ndërkombëtare dhe kjo tregon që Qeveria duhet ta kuptojë që pozita e saj është jo kushtetuese dhe jo ligjore dhe duhet domosdoshmërish të tërhiqet dhe të jep datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar Ramiz Kelmendi.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: Sot për sot mungojnë numrat

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë se opozita dëshiron ta rrëzojë Qeverinë, por që i mungojnë votat për ta bërë këtë.

“Opozita në përgjithësi ka shprehur vullnetin për ta rrëzuar këtë  por aktualisht i mungojnë votat e nevojshme për të ndodhur mocioni. Ne jemi për rrëzimin e qeverisë, por të njëjtën kohë ne e dimë që nuk  i kemi numrat, ndoshta nesër apo pasnesër po, por sot për sot mungojnë numrat dhe duhet ta kemi parasysh këtë se nevojiten 61 vota për ta rrëzuar”, është shprehur Kurteshi për “Bota sot”.

Sa mund të arrijnë t’i kenë këto vota dhe a ka mundësi të ketë zgjedhje në vjeshtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ekziston një proces dhe një realitet, ku procesi është se opozita e ka rolin e opozitës që ta mbrojë Kushtetutën dhe në rastin aktual, ajo duhet të mos jetë vetëm opozitë normale por dhe ta mbrojë shtetin.

Image
Haki Abazi

“Në këto zhvillime të kësaj legjislature ka një proces dhe një realitet. Procesi është ajo çfarë duhet të ndodhë në çdo sistem parlamentar, opozita e ka për qëllim kudo që të luajë rolin e opozitës e në rastin e tanishëm kur po shkelet Kushtetuta dhe është kapur shteti nga një grup mafiozo-olgarkik i Thaçit dhe Pronto e që po punon për interesa për të mbajtur peng vendin dhe eventualisht të bëjë pazare të dëmshme, sikur këto që i kemi parë deri tani përfshirë edhe gënjeshtrat për liberalizim etj, roli i opozitës është shtet-mbrojtës dhe në mbrojtje të Kushtetutës jo vetëm opozitë normale”, është shprehur Abazi.

Abazi: Kjo qeveri do të bie më së largu në pranverë të vitit të ardhshëm

Ndërsa, realiteti, sipas tij ka të bëjë me faktin se qeveria nuk e ka shumicën dhe do të duhej të jepnin dorëheqje dhe jo ta mbajnë vendin peng me paditurinë e tyre.

“Realiteti ka të bëjë gjithashtu me faktin se kjo qeveri është përbërë prej partive që nuk e kanë shumicën dhe Listës Srpska që i ka të garantuara ulëset, për çfarë qeverie po flasim, me rregull e me moral politike këta do të duhej të jepnin dorëheqje e jo të mbanin vendin peng me paditurinë e tyre. Atëherë procesi duhet të ecë tutje deri në arritjen e mbledhjes së nënshkrimeve dhe realiteti gjithashtu duhet parë se kjo qeveri dhe këto institucione nuk kanë legjitimitet dhe as kredibilitet për të udhëhequr vendin pas në rrethana normale e lëre më gjithë këtë presion në të cilin e kanë sjellë me udhëheqje të gabuar që më shumë dhjetë vite”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që të ketë zgjedhje në vjeshtë, sipas Abazit, mbetet të shihet, por ai parasheh që qeveria do të bie deri në pranverën e ardhshme.

“Sa është e mundur që në vjeshtë të ketë zgjedhje ajo mbetet të shihet por sigurisht që nuk ka kuorum as për mbajtjen e seancave të parlamentit. Mendoj që dosido kjo qeveri do të bie më së largu në pranverë të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj: Partitë politike duhet të mobilizohen dhe të reformohen

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet të ketë zgjedhje të shpejta por të mirëfillta dhe që të jenë historike e të bëjnë ndryshime cilësore.

“Zgjedhjet ndonëse janë tema më e diskutuar kosovare, në fakt janë çështja më e parëndësishme sepse, unë mendoj se kriza në të cilën ndodhet Kosova, me mënyrën si po kërkohen zgjedhjet, shihet çartë se nuk e kanë qëllim përmirësimin e situatës! Duke qenë se gjendja është kështu, nuk mendoj se duhet të kemi zgjedhje të shpejta por duhet të kemi zgjedhje të vërteta dhe të mirëfillta, zgjedhje për kthesë cilësore, historike”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, nëse zgjedhjet mbahen në vjeshtë, në pranverë do të ketë pakënaqësi dhe do të ketë protesta, andaj ai vlerëson se partitë duhet të reformohen dhe të bëhen parti të vërteta, duke u liruar nga strukturat mafioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nëse ndodh që të mbahen zgjedhjet në vjeshtë, jam i bindur së në pranverë do të kemi pakënaqësi edhe më të mëdha dhe rrugët plot me protesta kundër qeverisë! Partitë politike serioze të Kosovës, duhet të mobilizohen dhe të reformohen rrënjësisht që të bëhen parti të vërteta duke e kuptuar se duhet të lirohen nga strukturat mafioze të korrupsionit dhe krimit të organizuar! Shiheni Parlamentin sot, s’është veçse një fermë e pulave”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Shahu: Qeveria nuk rrezikohet nga një opozitë jo serioze

Në anën tjetër, analisti politik Rexhep Shahu vlerëson se edhe mund të bëhen numrat, edhe mund të ketë zgjedhje në vjeshtë, por që ai beson se mund të ketë zgjedhje në një vjeshtë tjetër dhe jo këtë vit.

“Gjithçka mund të ndodhë, edhe të bëhen numrat, edhe të bëhen zgjedhje në vjeshtë, pasi nuk është dramë e dhimbje si në Shqipëri të bësh zgjedhje në Kosovë, por unë nuk besoj se opozita i bën numrat, nuk besoj se do të ketë zgjedhje në vjeshtë, në një vjeshtë tjetër ndoshta. Nuk besoj për arsyen e thjeshtë se opozita nuk po bën dot numrat e saj për të qenë opozitë serioze dhe qeveria nuk rrezikohet nga një opozitë jo serioze”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, zgjedhjet e fundit janë mbajtur në qershor të vitit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat