Arsyet pse Albin Kurti nuk mund ta udhëheqë dialogun me Serbinë, dhe fakti tronditës për Hashim Thaçin

Politika

Arsyet pse Albin Kurti nuk mund ta udhëheqë dialogun me Serbinë, dhe fakti tronditës për Hashim Thaçin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 gusht 2018 Në ora: 11:52
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ndërprerjen e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas tij si i tillë është pa mandat të Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo kur është pyetur se a do pranonte të jetë kryenegociator në dialogun me Serbinë, Kurti nuk e ka mohuar një gjë të tillë, por sipas tij fillimisht duhet të ndërpritet dialogu.

“Kjo është sikurse të vendosim  qerren para kuajve, njëherë është e nevojshme të bëhet vlerësimi i këtij raporti 38 faqesh nga Qeveria, ta ndërprejmë këtë dialogun aventuresk të presidentit aktual i cili e bëri kokë më vete jo për interesa të Kosovës...Unë besoj që është tepër herët dhe tërësisht e pa përshtatshme që të flasim për fundin kurse si kemi bërë as hapat e parë“,  deklaroi Kurti.

Por sa ka gjasa që Albin Kurti ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi dhe çfarë do t’i sillte Kosovës një gjë e tillë? “Bota sot”, ka biseduar me profesorin ndërkombëtar, doktor, Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, para se të diskutohet se kush duhet ta udhëheqë, duhet të vendoset për përmbajtjen e kornizat e dialogut.

“Çështja e bisedimeve me Serbinë dhe e udhëheqjes së dialogut është bërë temë e ditës, madje shumë e debatueshme. Ajo çfarë unë dalloj në këtë mes ka të bëjë me atë se më pak diskutohet për përmbajtjen e kornizat e dialogut e shumë më tepër për atë se kush duhet t’i udhëheqë këto bisedime. Ndoshta për shkak të mos besueshmërisë që ka krijuar presidenti Thaçi, pak edhe për shkak të ambicieve që dikush ka për të qenë protagonist. Por është e gabueshme që më shumë të diskutohet se kush, sesa ajo se çfarë duhet të bisedohet”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, duket se Albin Kurti, dëshiron që të jetë në krye të dialogut, duke shtuar se Kurti është më i aftë teorikisht se presidenti Thaçi.

“Albin Kurti duket se dëshiron të vihet në krye të dialogut. Nëse ai kundërshton Thaçin me këto motive, atëherë unë do të doja që kreu i Vetëvendosjes të mos udhëhiqte kurrë bisedime me Serbinë. E vërteta është se Albin Kurti është më i aftë teorikisht sesa Hashim Thaçi. I rrëshqet goja më mirë sesa Thaçit. Por duhet pohuar një fakt që për mua është tronditës: - Hashim Thaçi nuk është i kapur nga korrupsioni dhe akuzat e gjykatës speciale sa është i kapur nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq. Albin Kurti ka përparësi faktin se nuk ka patur rast të dëshmohet në pushtet sa i përket raporteve të tij me korrupsionin, as nuk ka qenë në luftë për të dëshmuar se çfarë sjellje do të kishte me kundërshtarët e tij politikë, por miqësinë me Edi Ramën e ruan në të njëjtën masë sa edhe Hashim Thaçi, ndoshta i beson Edi Ramës më shumë se Thaçi”.

Më tej, sipas profesorit ndërkombëtar, rol mund të luaj miqësia mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Duhet ta pranojmë se Hashim Thaçi ishte i akuzuar për “krime lufte” e korrupsion edhe kur nuk pranonte ta vinte në tavolinë ndarjen e Kosovës. Është Edi Rama që si shkas i Vuçiqit e bëri Hashimin të binte dakord me opsionin e ndarjes së Kosovës. Për mua nuk ka asnjë garanci se Albin Kurti nuk i bindet Edi Ramës. Ndoshta në një formë ë të moderuar, por edhe më të rrezikshme. Sepse derisa Albinin ta njohin qytetarët e Kosovës, Serbia baron punët e veta. Për fat të mirë Hashim Thaçi është bërë i njohur tashmë për atë çfarë përfaqëson në raport me serbët e me shqiptarët”, shprehet ai.

Bytyçi thekson se dyshuese është edhe lidhja e ngushtë mes Kurtit dhe Qosjës, i cili disa herë është deklaruar hapur për shkëmbime territoresh.

“Fakti se plani i tij u zbulua dhe u kritikua ashpër e bëri presidentin e Kosovës që të dilte e të deklarohej kundër ndarjes së Kosovës. Por edhe aty linte një fije dyshimi kur thoshte se askush nuk na detyron të bisedojmë për ndarjen e Kosovës. D.m.th. nëse Thaçi do të bisedojë, mund të bisedohet. Ai “pa detyrim” mund të ndajë Kosovën e të bëjë çfarë t’i dojë qejfi me këtë vend. Ai sillet sikur është autori i vetëm i pavarësisë së Kosovës dhe ia atribuon vetes të drejtën të sillet me pavarësinë si me arat e livadhet e babës së tij. Por kjo ndodhi pasi Thaçi u bë vegël e Edi Ramës. Kush garanton se Albin Kurti nuk do të jetë vegël po e Edi Ramës kur vjen puna për vendimmarrje në bisedime me Vuçiqin?! Unë nuk besoj, sepse e di sa ngushtë është i lidhur Albini, Rexhep Qosja, i cili disa herë është deklaruar hapur për shkëmbime territoresh dhe Edi Rama, i cili ka marrë kaparin nga Beogradi për ta realizuar këtë mision, të cilin unë do ta quaj të pamundur”, deklaron Bytyçi.

Krejt në fund, ai ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet e Kosovës, dhe nëse nuk arrihet një gjë e tillë, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

“Dialogun nga pikëpamja institucionale duhet të udhëheqin institucionet e Kosovës. Nëse dështon zoti Thaçi të marrë konsensusin politik, atëherë mandate duhet të ketë kryeministri. Nëse nuk pranon kryeministri, atëherë duhet të jetë kryetari I parlamentit kryenegociator. Dhe nëse dështohet në këta, atëherë duhen zgjedhje të reja, me qëllim që qytetarët e Kosovës të përcaktojnë se kush do të jetë në qeverisje e për pasoje të merret vesh se kush do t’i udhëheqë bisedimet dhe dialogun me Serbinë. Se do jetë Albin Kurti, Avdullah Hoti a ndonjë tjetër këtë e përcaktojnë votuesit, zgjedhësit”, ka përfunduar profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat