Torturat e Thaçit ndaj Gjergj Dedajt, posti i Agim Krasniqit, deklaratat befasuese të Imer Imerit..., si po i kthen për vete Thaçi njerëzit që e akuzonin

Politika

Torturat e Thaçit ndaj Gjergj Dedajt, posti i Agim Krasniqit, deklaratat befasuese të Imer Imerit..., si po i kthen për vete Thaçi njerëzit që e akuzonin

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 gusht 2018 Në ora: 10:27
Hashim Thaçi, Agim Krasniqi, Imer Imeri dhe Gjergj Dedaj

Në ditën kur grupi parlamentar 6 + ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj që ta shkarkoj Gjergj Dedajn, ish kryetar i Partisë Liberale nga posti i zëvendësministrit, për shkak të disa deklaratave në lidhje me Turqinë dhe Serbinë, ai u shpërblye me një post më të rëndësishëm, atë të ambasadorit të Kosovës në Maqedoni.

Raportet mes Gjergj Dedajt dhe presidentit Thaçi, nuk ishin të mira kohë më parë, deri sa u emërua si zëvendësministër. Kjo për arsye se Dedaj përmendi në një intervistë torturat e Thaçit dhe grupit të tij, pikërisht ndaj tij, shkruan “Bota sot”.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha, jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti që e përkrahni Ibrahim Rugovën. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj.

Jo vetëm Gjergj Dedaj ka përfituar poste politike falë “dajakut” që kishte marrë nga Hashim Thaçi.

Përpos tij, është edhe një aktivist dhe veprimtar i njohur i LDK-së, i cili ishte ndaluar nga UÇK-ja në shtator të vitit 1998, ishte rrahur e maltretuar edhe nga Hashim Thaçi dhe 17 vjet më pas, i njëjti është shpërblyer po nga ish ”Gjarpri” i UÇK-së, që aktualisht është president i Kosovës.

Bëhet fjalë për Agim Krasniqin, ish-deputetin e LDK-së dhe kryetarin e Degës së III-të të LDK-së “Ibrahim Rugova”, që u bë shef i Konsulatës në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Maqedoni në vitin 2017.

Rasti tjetër është me Imer Imerin, vëllanë e aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, i cili e akuzonte Thaçin se di diçka për vrasjen e vëllait të tij, por ato deklarata i ndryshoi shumë shpejt.

“Me thirrjen e Thaçit për t’i zbuluar vrasjet para dhe pas luftës si dhe bombat e President Rugova më ka lënë të kuptoj,  se me këtë njeri mundesh me fol. Edhe Thaçi e përsëriti disa herë thirrjen për t’i zbuluar vrasjet. Thaçi madje e aplikoj edhe Gjykatën Speciale dhe kjo është e duhur se Kosovës i vyen Gjykata Speciale, për krimet që kanë ndodh”, ka thënë Imeri, duke i ndryshuar deklaratat e tij karshi presidentit Thaçi”.

Të gjitha këto fakte të qëndrimeve të luhatshme të personave të caktuar karshi Thaçit, ngjallin dyshime shumë të mëdha se, ky i fundit mund të ketë ofruar ndonjë leverdi ndaj këtyre personave dhe se postet publike janë dëshmi e fortë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat