Qeveria “gjigante” e Haradinajt, pa rezultate konkrete

Politika

Qeveria “gjigante” e Haradinajt, pa rezultate konkrete

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 gusht 2018 Në ora: 08:27
Qeveria PANA-Lista Serbe

“Për këtë periudhë të qeverisjes së kryeministrit Haradinaj, është karakterizuar me vendime skandaloze, që kanë dëmtuar seriozisht buxhetin e shtetit dhe shpërfaqin një keq menaxhim të parasë së taksapagueseve tanë”, ka thënë Nexhat Haziri.

Qeveria Haradinaj po del të jetë me kabinetin më të madh në historinë e politikës në vend.

Kjo për shkak të emërimit të mbi 100 zëvendësministrave, vetëm sa për te përmbushur apetitet e koalicionit qeverisës, por jo edhe për të kryer punë në postet që i kanë.

Këtë e dëshmon raporti i Lëvizjes “Fol”, i cili tregon se kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt ka realizuar vetëm 57 për qind e planit të punës për 6 muaj, ndonëse pse ka më shumë se 100 zëvendësministra.

Pavarësisht kritikave të shumta qoftë nga opozita por edhe nga shoqëria civile, Kryeministri Haradinaj e zgjeroi pushtetin e tij duke sjellë edhe pozita të reja, ato të koordinatorëve.

Njohësit e çështjeve politike, dhe deputetët e opozitës, vlerësojnë se buxheti i shtetit po keqpërdoret në vazhdimësi për pushtetin e qeverisë Haradinaj.

Sipas tyre, grumbullimi i qindra zëvendësministrave, këshilltarëve dhe stafit tjetër në qeveri është keqpërdorim flagrant i parasë publike dhe vazhdim i logjikës zhvatëse të buxhetit të shtetit.

Image
Drita Millaku

 Millaku: Armata e zëvendësministrave të përkujton Haxhi Qamilin si filozofi

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, duke folur rreth kësaj çështjeje ka thënë për “Bota sot” se, nuk ka tregues më të mirë se sa këto emërime të zëvendësministrave dhe koordinatorëve për të pasqyruar neglizhencën, mos punën dhe abuzimin e skajshëm me paranë publike.

Ajo ka pohuar se, Qeveria ka degraduar në një grup pa objektiva, ku qëllim në vetvete ka pasurimin e një kaste të para caktuar dhe bajraktarizmin që prezanton realisht jo kulture dhe nivel të ulet qytetar.

“Është për të ardhur keq për Kosovën ku është katandisur me këtë armatë të funksionarëve që të përkujton Haxhi Qamilin si filozofi. Mjafton ti shikojmë raportimet e z/ministrave dhe të shohim se çfarë qeverie qesharake kemi”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Valentina Bunjaku –Rexhepi

Bunjaku-Rexhepi: Nuk ka harmonizim të koalicionit në arkën e shtetit

Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Valentina Bunjaku –Rexhepi, ka pohuar se, emërimi i 100 e më tepër zëvendësministrave është bërë për hesape të koalicionit më të dëmshëm në Kosovën e pas luftës.

Sipas saj, koalicioni i skandaleve, aferave dhe regresit ende po qëndron me një këmbë falë mos koordinimit të opozitës dhe është çështje kohësh se kur do të bie.

“Qeveria Haradinaj nuk ka realizuar as 57 të planit qeverisës siç ka raportuar Lëvizja FOL sepse edhe këtë e ka ndihmuar LDK si opozitë konstruktive në interes qytetar. E buxheti i shtetit ka harxhuar edhe rezervat buxhetore krejt në destinim të pa nevojshëm ku në këtë rast ka edhe përplasje në mes kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Hamza ku si duket nuk ka harmonizim të tyre në arkën e shtetit, ku ministri Hamza aq sa ka mundur ka refuzuar të mbulojë apetitet e kryeministrit. Keqpërdorim i skajshëm në buxhet e kudo tjetër”, ka thënë deputetja Rexhepi.

Image
Naser Rugova

Ndërsa, deputeti i LDK, Naser Rugova ka thënë se një numër i tillë i zëvendësministrave nuk është parë në asnjë qeveri tjetër në botë.

Sipas tij, ky është numër për libër Genisi, dhe arsyeja e vetme e emërimit të tyre është kënaqja e apetiteve të partnerëve të koalicionit, të cilët kanë vazhduar logjikën provinciale klanore dhe nepotiste të këtij koalicioni qeverisës.

“Grumbullimi i qindra zëvendësministrave, këshilltarëve dhe stafit tjetër në qeveri është keqpërdorim flagrant i parasë publike dhe vazhdim i logjikës zhvatëse të buxhetit të shtetit”, ka thënë Rugova.

Analisti politik Haki Abazi, ka thënë se kjo qeveri është e sëmurë.

Image
Haki Abazi

Abazi: Qeveria është mbipopulluar

Sipas tij, kjo Qeveri e ka bërë mbipopullimin e vet me të punësuar partiak, familjar me zëvendës ministra, këshilltarë, dhëndurë e nipa, ministra të paaftë që as nuk dinë të shkruajnë, e me koordinatorë të shpikur.

“Në vend të reformës së administratës, kjo qeveri ka mbipopulluar, e po ashtu presioni që bëhet mbi individ ka edhe karakter fyerës e denigrues, dhe për këtë arsyeje edhe njerëzit e ndershëm, nuk shkojnë për të punuar aty. Në anën tjetër si duket ka alarm që mund edhe të shpërthejë në institucione, për keqpërdorim dhe kërkesa për favore. Dhe në këtë lëmsh nuk është e çuditshme, që planet nuk do të realizohen”, ka thënë analisti politik Haki Abazi.

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se numri prej 100 zëvendësministrave, tregon vet për seriozitetin e koalicionit qeveritar, për qasjen e tyre ndaj çështjeve problemore me të cilat ballafaqohet Kosova.

Image
Nexhat Haziri

Qeverisje me skandale

Sipas tij, ky numër aq i madh i zëvendësministrave është bërë vetëm sa për ti përmbushur apetitet e partnereve të koalicionit qeverisës, të cilët nuk e kanë për synim qeverisjen por zhvatjen e shtetit dhe vendosjen e një klientelizmi.

“Me gjithë këtë numër të zëvendësministrave dhe me 21 ministri, qeveria e Haradinaj, është karakterizuar me një keqqeverisje dhe mungesë të rezultateve në të gjitha dikasteret e saj. Për këtë periudhë të qeverisjes së kryeministrit Haradinaj, është karakterizuar me vendime skandaloze, që kanë dëmtuar seriozisht buxhetin e shtetit dhe shpërfaqin një keq-menaxhim të parasë së taksapagueseve tanë”, ka thënë Haziri.

“Nuk duhet harruar edhe vendimet për falje borxhesh të prodhuese të ujit, ndarja e parave për familjarët e të ashtuquajturit “Grupi i Kumanovës”, ndarja e parave pa asnjë kriter shoqatave të dala nga lufta për të shkuar në deti, e deri te hajnia më e madhe 58 milionëshi që këta e ia dhanë Bectel-Enkes, shumë në të cilën kanë hise edhe vetë partnerët e koalicionit, kush më shumë e kush më pak”, ka shtuar ai.

Me një fjalë, sipas tij,  kjo qeveri e pa koncept dhe pa plan qeverisës, po e dëmton Kosovën dhe të ardhmen e qytetarëve të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat