Përpjekja e dështuar e PDK-së, për ta mohuar peshën historike dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit

Politika

Përpjekja e dështuar e PDK-së, për ta mohuar peshën historike dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 gusht 2018 Në ora: 21:15
Sheshi "Ahmet Krasniqi" në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë shumë shpejt do të bëhet me sheshin e dizajnuar në një koncept të ri të planifikimit të hapësirave publike. Sheshi do të emërohet me emrin e ish kolonelit Ahmet Krasniqit, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo, pikërisht emërtimi i këtij sheshi me emrin e ish kolonelit Krasniqi, ka bërë që këshilltarët politik të PDK-së në Vushtrri, të mos e votojnë këtë vendim të komunës.

Ky veprim i tyre ngjalli reagime të shumta, e gjithashtu edhe nga kryetari i komunës Xhafer Tahiri, i cili tha se PDK humbi rastin për unifikimin e plotë të spektrit politik rreth figurave emblematike të qytetit të Vushtrrisë.

Krasniqi: Ata asamblistë morën urdhër nga lart

Lidhur me këtë, ka folur për “Bota sot” vëllai i ish kolonelit Ahmet Krasniqi, Behxhet Krasniqi, i cili dyshon se ata asamblistë do të kenë marrë urdhër nga partia e PDK-së për të qenë kundërshtues.

Image
Behxhet Krasniqi

“Unë mundem vetëm të supozoj që ata asamblistë do të kenë marrë urdhër nga partia e PDK-së për të qenë kundërshtues. Madje, unë mund të them se nuk e kanë mirë, megjithatë është në të drejtën e tyre për të votuar pro ose kundër. Kaq mund të them!”, shprehet Krasniqi për “Bota sot”.

I pyetur se a po e shpërfaqë ky gjest urrejtjen e kësaj partie ndaj vijës institucionale dhe ish Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Krasniqi thotë se do të dëshironte shumë që të mos ishte ashtu, por nëse veprimet e një apo të disa personave shpërfaqin mendësinë apo ndjesinë e tyre, atëherë vijmë te konstatimi se këtu vërtet kemi të bëjmë me urrejtje ndaj MMRK-së, dhe ish ministrit Ahmet Krasniqi.

“Shumë kisha dashtë të mos ishte ashtu, por nëse veprimet e një apo të disa personave shpërfaqin mendësinë apo ndjesinë e tyre, atëherë vijmë te konstatimi se këtu vërtet kemi të bëjmë me urrejtje ndaj MMRK-së, dhe ish ministrit Ahmet Krasniqi. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet ky qëndrim i tyre”, thekson Behxhet Krasniqi për “Bota sot”.

Quni: Përpjekjet për ta zhvlerësuar peshën kombëtare të Kolonel Krasniqit, është përpjekje për t'ju shmangur rolit të tij për çlirimin e Kosovës

Image
Anton Quni

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëherit bashkëluftëtar i Sali Çekajt, Anton Quni, ka thënë për “Bota sot” se jeta dhe vepra e Kolonel Ahmet Krasniqit, duhet të jetë udhërrëfyes për çdo qytetar të Kosovës, se si duhet sakrifikuar së punuari për unitetin e kombit, në shërbim të çlirimit dhe krijimit të shtetit.

“Jeta dhe vepra e Kolonel Ahmet Krasniqit duhet të jetë udhërrëfyes për çdo qytetar të Kosovës, se si duhet sakrifikuar së punuari për unitetin e kombit, në shërbim të çlirimit dhe krijimit të shtetit. Vetëm ata që nuk kanë kulturë shtet-formuese munden mos me e kuptuar peshën historike, politike dhe ushtarake te kolonel Ahmet Krasniqit”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Ai shton tutje se, çdo përpjekje për ta zhvlerësuar peshën kombëtare të Kolonel Krasniqit, është përpjekje për t'ju shmangur të vërtetës për rolin e tij për çlirimin e Kosovës.

“Vushtrria dhe qytetarët e saj, e meritojnë ta kujtojnë dhe nderojnë njeriun i cili ka dal nga gjiri i saj. Çdo përpjekje për ta zhvlerësuar peshën kombëtare të Kolonel Krasniqit, është përpjekje për t'ju shmangur të vërtetës për rolin e tij për çlirimin e Kosovës”, shton Anton Quni për “Bota sot”.

Vrasësit nuk mund ta ndalin heroin që të vjen plot shkëlqim

E analisti Skender Zogaj, shprehet për “Bota sot” se, kjo është përpjekje antikombëtare e Ideologjikëve marksistë - leninistë - enveristë, që nëpërmjet të grupeve kriminale që për qëllime përfitimesh e sabotuan luftën çlirimtare ndërsa pas saj e sakatuan edhe dhe shtetndërtimin e Kosovës duke e përgjakur lirinë dhe pavarësinë më vrasjet politike të figurave më të ndritshme atdhetare.

Image
Skender Zogaj

“Është krejtësisht e njohur përpjeka antikombëtare e Ideologjikëve marksistë - leninistë - enveristë, që nëpërmjet të grupeve kriminale që për qëllime përfitimesh e sabotuan luftën çlirimtare ndërsa pas saj e sakatuan edhe dhe shtet ndërtimin e Kosovës duke e përgjakur lirinë dhe pavarësinë më vrasjet politike të figurave më të ndritshme atdhetare! Kjo dorë e zezë e ka vra kolonelin Ahmet Krasniqi, ministrin e luftës, oficerin strateg madhor që pushtuesit serb po i kundërvihej institucionalisht me krijimin legal të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës! Mirëpo kjo ishte e papranueshme për guerilen ilegale, e cila në bashkëpunim më sigurimcat e Enver Hoxhës në Tiranë vrau me atentat, në mesnatë kolonelin Ahmet Krasniqi, për ta pengu ushtrinë e rregulltë të Kosovës”, potencon Zogaj.

Për më tepër ai thotë se kjo strukturë kriminale vazhdon të ekzistojë edhe sot dhe është ajo që e zë tmerri kur e mendon ardhjen e Ahmet Krasniqit në Kosovë, duke aluduar në Partinë Demokratike të Kosovës, por jo tek të gjithë.

“Kjo strukturë kriminale vazhdon të ekzistojë dhe është ajo që e zë tmerri kur e mendon ardhjen e Ahmet Krasniqit në Kosovë, sepse është e vetëdijshme se, ardhja e Heroit nxjerr në shesh tradhtarët! Prandaj, të këtillët (e jo gjithë anëtarësia e PDK-së) janë kundërshtues të emërtimit të sheshit të Vushtrisë me emrin e Kolonelit Ahmet Krasniqi! Vrasësit nuk mund ta ndalin heroin që të vjen plot shkëlqim dhe ta dëshmojë përmasën e trimërisë së pastër të historisë së re të Kosovës! Shumë shpejt Ahmet Krasniqi edhe fizikisht do t? vie të prehet ne mesin e burrave të mëdhenj të Kosovës”, përfundon Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat