Zeka: Shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë vetëm nëse ky shtet bindë SHBA-në

Politika

Zeka: Shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë vetëm nëse ky shtet bindë SHBA-në

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 gusht 2018 Në ora: 13:36
Milaim Zeka

Mendime pro dhe kundër ka për ndarje apo shkëmbim territoresh me Serbinë. E gjithë kjo erdhi pas deklaratave të presidentit Hashim Thaçi se do të ketë marrëveshje të dhimbshme për Kosovën dhe Serbinë në dialog, e më pas tha se do të ketë vetëm korrigjim të kufirit me Serbinë dhe jo ndarje apo shkëmbim të territorit.

E për këtë, deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se qytetarët e Kosovës mund të flenë të qetë derisa KFOR është në Kosovë, duke shtuar se idetë për ndarje nuk janë të Thaçit, por që ai ka gabuar që nuk është treguar transparent në lidhje me këtë çështje.

“Sa të jetë KFOR-i në Kosovë, qytetarët mund të flenë të lirë, në momentin që nuk e kemi KFOR-in, janë çështje krejt tjera. Idetë për korrigjime, shkëmbime të territoreve, nuk janë ide të Hashim Thaçi, por janë ide të ndërkombëtarëve. I vetmi gabim që ka bërë presidenti Thaçi deri më sot është se nuk është treguar transparent me opinion dhe të tregojë se idetë e tilla kanë filluar para dy viteve dhe unë e kam thënë edhe në parlamentin e Kosovës se çështja e shkëmbimit të territoreve ka qenë në tavolinë dhe është ende. Lutfi Haziri nuk ka folur paushall, deklarata e Lutës është deklaratë e ndërkombëtarëve, deklarata e presidentit është deklaratë e ndërkombëtarëve, ekspertëve ndërkombëtarë të cilët do ta vënë këtë opsion në tavolinë”, është shprehur ai.

Zeka thotë se rreziku që të ketë shkëmbim të territoreve ekziston dhe do të ndodhë nëse Serbia arrin ta bindë Washingtonin dhe Brukselin se në atë rast do të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Në qoftë se Serbia arrin, jo Kosova, por Serbia arrin ta bind Washingtonin dhe Brukselin dhe ndërrimi i territoreve siguron paqe dhe stabilitet në Ballkan, rreziku maksimal është se do të kemi shkëmbim të territoreve, por kjo varet nga Serbia, sepse ajo e ka në krahun e vet superfuqinë, ndërsa ne e kemi diplomacinë e jashtme zero, e kemi vetëm sa për të shpenzuar para”, ka deklaruar Milaim Zeka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat