Thaçi nën presion, i “sulet” Sali Berishës

Politika

Thaçi nën presion, i “sulet” Sali Berishës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 gusht 2018 Në ora: 07:46
Sali Berisha/Hashim Thaçi

“Kjo ngatërresë me z. Sali Berisha fare nuk ju ka dashtë z. Hashim Thaçit. Siç po shihet z. Thaçi ka humb kontrollin për shkak të presionit. Unë për aq sa e lexova deklaratën e z. Berisha aty nuk pashë diçka të jashtëzakonshme”, ka thënë për “Bota sot” ish deputeti Driton Tali.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, përmes rrjeteve sociale kanë debatuar ashpër.

Akuza e kundër akuza shkëmbyen mes vete dy protagonistët në fjalë, njëri nga Tirana e tjetri nga Prishtina.

Ishte ish-kryeministri shqiptar, ai i cili përmes një deklarate ka thënë se Thaçi është duke e përdorur Preshevën për tregti personale.

Ndërsa, presidenti Thaçi i është kundërpërgjigjur duke shkruar se Kosovës nuk i duhen këshillat e atyre të cilët  kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviqin.

Debati

Berisha, ka dalë kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shqiptarët e komunave te Luginës kanë nevoje për garantimin e të drejtave të tyre në përputhje me konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, investime dhe zhvillim dhe jo që të përdoren për interesa të Serbisë për tregti territoresh”, ka shkruar Berisha.

Në reagimin e Thaçit thuhej se nuk i duhen këshillat e njeriut që strehuan Bin Ladenin dhe Arkanin.

“Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike. Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”, ka shkruar Thaçi.

Megjithatë, sulmet e presidentit Hashim Thaçi ndaj Sali Berishës nuk janë mirëpritur mirë nga opozita në Kosovë dhe shoqëria civile.

Ata kanë theksuar se, ky debat ishte i panevojshëm në momentet kur në Kosovë ka kriza politike mjaftë të mëdha si dhe probleme në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe ekonomisë.

Tali: Thaçi ka humb kontrollin për shkak të presionit

Image
Driton Tali

Ish - deputeti i Kosovës, Driton Tali, thotë se ky debat nuk është dashtë të zhvillohet por këtu po shihet se presidenti Thaçi e ka humbur kontrollin për shkak të presionit, pasi deklarata e Berishës ishte një reagim i një politikani.

“Kjo ngatërresë me z. Sali Berisha fare nuk ju ka dashtë z. Hashim Thaçit. Siç po shihet z. Thaçi ka humb kontrollin për shkak të presionit. Unë për aq sa e lexova deklaratën e z. Berisha aty nuk pashë diçka të jashtëzakonshme. Ishte një reagim i një politikani opozitar shqiptar për një çështje politike dhe s’ka pas nevojë z. Thaçi të shndërrojë në personale. Pra këtë zënkë e shoh në aspektin e gjendjes psikologjike të z. Thaçit, i cili siç po shihet qartë e ka "hup udhën n'oborr"”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Debati është i panevojshëm

Image
Skender Zogaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Skënder Zogaj thekson se, ky debat ishte i panevojshëm dhe i dëmshëm. Sipas tij, ky debat ishte një marrëzi kur Kosova ka probleme aktuale dhe të rëndësishme historike për Kosovën.

“Debati ndërmjet Hashim Thaçit dhe Sali Berishës është jashtë kohës së duhur, absolutisht i panevojshëm dhe tepër i dëmshëm sepse “ujin shqiptar e çon në mullirin e serbëve!” Kjo po ndodh sepse, në vend të problemeve aktuale të rëndësishme historike për Kosovën, dy udhëheqësit e fuqishëm shqiptar po flasin për të bërat dhe të pabërat e njëri tjetrit në shërbim të armikut! Se kjo është marrëzi e llojit të vet po e shohim të gjithë, por pse po e bëjnë, është vështirë të dihet! Do të kisha dëshiruar që kapriçiot personale të jenë shkasi i këtij debati”, potencon Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Nuk guxojnë ta lejojnë që ky njeri ta udhëheq dialogun me Serbinë

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thotë se, presidenti Hashim Thaçi për të tërhequr vëmendjen se e ka vënë në ankand dhe po shet pjesë të Kosovës, ai është vënë në sulm kundër çdo njeriu që i bëhet pengesë për realizimin e planit të tij, duke përfshirë edhe Sali Berishën.

“Ky njeri është në gjendje të bëj çmos për ta realizuar planin e copëtimit të Kosovës. Prandaj nuk guxojnë ta lejojnë që ky njeri ta udhëheq dialogun me Serbinë, sepse është njeri i pabesueshëm dhe me të Kosova rrezikon të humb territor. Mos të harrojmë që ky njeri (Hashim Thaçi), Presidentin Rugova e patë shpallur tradhtar dhe urdhëruar vrasjen e tij, gjë të cilën kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij patën harruar, duke e shpërblyer me postin e Presidentit”, thekson Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani pohon se, kjo nuk është vetëm çështja e Berishës, por është e planifikuar nga Thaçi për këtë kohë që po hapë tema pos mortum të dialogut, i cili në vend që të përfundoj si dialog teknik, po përfundon me një marrëveshje historike Kosovë – Serbi.

“Këtë e ka dëshiruar Vuçiqi, që të hapen të gjithë kapitujt e dialogut dhe asgjë mos të mbetet si ka thënë plani i Ahtisarit. Hapja e Kutisë së Pandorës është rrezik i madh dhe i panjohur nga qytetarët e Kosovës. Edhe ashtu ky dialog është plotësisht jo transparent për qytetarët dhe tash po nxjerr tema të kundërshtueshme të frikshme të papërgatitura, këtë Thaçi e quan politik dhe kjo është mashtrim i qytetarëve. Që nga fillimi është dashur të quhet dialog politik dhe do të riformohen disa tema, si korrigjimi i kufijve në mes të dy shteteve dhe shkëmbimi i territoreve”, potencon Burjani për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Marrja përsipër e dialogut është edhe absurd edhe e rrezikshme

Sipas tij, Thaçi kaherë e ka humbur besimin e qytetarëve.

 “Veprimet e njëanshme në variantin e bosit të shtetit dhe marrja përsipër e dialogut është edhe absurd edhe e rrezikshme për këtë arsye shteti ka institucionet përfaqësuese të qytetarëve për të gjitha duhet të pyetet Kuvendi dhe qytetarët e jo një njeri të veproj vet. Nuk është ai për këtë punë por Kuvendi. Pak janë të rëndësishme deklaratat për Berishën në këtë fazë të dialogut. Kosova s’ka negociator vetëm një e ka Thaçin. Ky është dhe dëshiron të mbetet hero i paqes dhe stabilitetit rajonal, gjë që shumë pak ka gjasa. Shtetet e BE-së dhe SHBA-së nuk e shohin këtë faktor stabiliteti as nuk e kanë parë kurrë, por e kanë parë si lojal dhe garantues për bashkëpunim me ta. Çështja e fusnotës Thaçin e nxjerr në livadh, se ata i kanë premtuar se mund të hyj në BE me fusnota dhe OKB, kjo është absurde”, shprehet ai.

Image
Krenar Shala

Kurse, analisti politik Krenar Shala potencon se, polemikat që bëhen nga akterët politik duhet të bëhen mbi bazën e një premise të shëndosh dhe jo zhvendoset në një dimension që e përul palën kritikuese, si në këtë rast debati Thaçi – Berisha.

“Mendoj që polemikat që bëhen në mes të akterëve të ndryshëm politik, duhet të bëhen mbi bazën e një premise të shëndoshë në kuptimin që pala që merr kritikë, nuk duhet t’ia kthej palës që e bën kritikën, në një mënyrë të ulët që e shmang thelbin e çështjes, dhe kështu të zhvendoset në një dimension që mëton ta përul palën kritikuese, duke ia shpërfytyruar të metat që ka mundur t’i ketë pala në fjalë”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat