Ku po shkon Kosova?

Politika

Ku po shkon Kosova?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 7 gusht 2018 Në ora: 10:35
Foto ilustrim

Ditëve të fundit Kosova është në rrezik. Jo nga agresioni i jashtëm, por nga flakëvënësit e brendshëm. Presidenti i vendit po kërcënon shtetin dhe institucionet ndërkombëtare, nëse nuk ia ‘falin’, mëkat atij, mbetet kërcënim serioz i stabilitetit të brendshëm politik të Kosovës. Në fakt, një lojë e tillë mund ta dërgojë shtetin e Kosovës në udhëkryq tepër të skajshëm: Ndalimin e rrugës demokratike e integruese për në Bashkimin Evropian, dhe kthimin prapa në kohë (sindroma 2004-tës), vit ky i cili shënon anën më të errët të historisë së re të Kosovës. Diplomatët më të lartë botërorë: evropianë, amerikanë e në veçanti ata nga etnia shqiptare-qytetarët e  zakonshëm kërkojnë stabilitet politik në shtetin më të ri të Evropës.

Zhvillimet e fundit në vend  kanë risjellë në vëmendje çështjet strategjike të pozicionimit të Kosovës, lidhur me korrigjimin e kufijve. Ndonëse të gjithë janë kundër, presidenti i  vendit po e sheh si mundësi që me veprime të tilla t’i imponohet perëndimit si faktori kryesor i vendit. Për këtë ka reaguar  edhe analisti amerikan, Daniel Serwer, pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufirit, duke e quajtur atë një ide të rrezikshme. Ai thotë se kjo mund të sjellë destabilizim të Ballkanit. Por t’i kthehemi pyetjes kryesore ku po shkon realisht Kosova ? A po mendon ndokush për këtë? A ka ndonjë institucion që po punon për këtë çështje? Sot kur në fakt, kemi ndërtuar pareshtur dhe si të etur për 19 vjet në territor, pyetja është: Çfarë kemi prodhuar? Me çfarë jeton e ushqehet ky vend? Çfarë sfidash na presin? Kush do paguajë për to? Ajo që shohim në fakt është: braktisje e fshatit, ndotje dramatike mjedisore, urbanizim informal, banesa të reja bosh, mungese serioze infrastrukturë e shërbimesh, varfëri, nepozitëm. Pastaj kemi ndërtuar shtetin, por pa të ardhme e me papunësi, borxh publik të lartë, etj, – duke bërë që në këtë mënyrë të dështojmë sistematikisht. Problematikë tjetër është largimi i shqiptarëve. Aq sa duket se asnjë shqiptar në Kosovë nuk ka dëshirë të mbetet në këtë vend që po kthehet në një vend ku perspektiva për të nesërmen është e pakapshme për shumicën e shqiptarëve. Të gjithëve u është mbushur mendja se kjo Kosovë pa asnjë lloj rregulli, pa ligje të zbatueshme dhe pa institucione efikase, duket se është kthyer në një vend që i frymëzon të rinjtë vetëm për t’u larguar.

Kështu si po vijnë punët në këtë Kosovën tonë, nuk është e largët dita e braktisjes së plotë të këtij vendi. Sepse tashmë e shohim si është shndërruar. Me një pushtet krejtësisht familjar, me një klasë politike plaçkitëse, me një Drejtësi të përbërë me klanin “ Pronto” që emëron prokurorët dhe  gjykatësit me telefonata. Të gjithë këto gjëra janë kërcënime të mëdha për vendin, si rezultat i kësaj klase politike të korruptuar dhe anti-popullore. Kosova po rrëshqet drejt fundit, të cilin askush nuk e dëshiron, përveç atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës. Kosova po shkon drejt dështimit dhe zhbërjes së saj.
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat