Klasa politike duhet të pastrohet nga zhvatësit milionerë

Politika

Klasa politike duhet të pastrohet nga zhvatësit milionerë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 gusht 2018 Në ora: 22:15
Qeveria Haradinaj

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, disa nga ta ishin komandantë udhëheqës, me të cilët krenohej gjithë Kosova. Mirëpo, tani qytetarët po i vuajnë pasojat e qeverisjes së tyre.

Ata që dikur kishin në dorë pushkën, sot kanë në dorë lapsin. Që nga presidenti, kryeministri e shumë personalitete të tjera, të cilët udhëheqin me institucionet e Kosovës, konsiderohet se ka ardhur koha që të largohen prej politikës.

Deklaratat se i ashtuquajturi “krahu i luftës” duhet larguar nga institucionet e shtetit mirëpriten nga qytetarët të cilët këtë gjë e shohin si mundësinë e vetme për daljen e vendit nga kriza.

Së këndejmi, një kërkesë për largimin e krahut të luftës nga politika është bërë kohë më parë nga diplomati amerikan Xhejms Rubin.

Rubin kishte deklaruar që krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti, derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është ose bëhet shumë vonë, por ata nuk e dëgjuan këshillën e tij.

Prandaj, secila ditë që i zë në pushtet, do të shënoj një ditë zie në historinë e re të Kosovës. E ardhmja do ta vërtetoj ketë.

Për ta vërtetuar këtë, se krahu i luftës është pengesa, terri i Kosovës ka deklaruar edhe miku i madh i shqiptarëve e diplomati amerikan, Ëilliam Ëalker .

Ëalker ka shprehur zhgënjimin e tij për gjendjen aktuale në Kosovë, duke thënë se gjërat nuk janë duke ndryshuar dhe se Kosova ka nevojë për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë.

“Aktualisht klasa politike që udhëheq vendin ka dalë nga lufta, përderisa tani është koha që ky shtet të ketë një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë. Të gjithë theksojnë se dëshirojnë ndryshimin, por unë ndryshimin nuk po e shoh”, ka pohuar ai.

Deklaratat e tilla janë të mirëpritura nga qytetarët, të cilët shpresojnë në një “revolucion” pas ndërrimit të dyshuarve për krim të veshur me petkun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tali: Duhet të largohen zhvatësit e milionave 

Ish deputeti i Kosovës, Driton Tali thotë se nuk i ndanë njerëzit në “krahë të luftës” dhe “jo luftës”, sepse të gjithë ishin “në luftë” me Serbinë në mënyra të ndryshme.

Image
Driton Tali

“Por moti evokojë që të largohen ata të cilët janë bërë milionere duke e zhvatur pasurinë e Kosovës dhe për më tepër jo vetëm që nuk kanë çka t'i japin më Kosovës, por janë bërë edhe pengesë e madhe e funksionalizimit  dhe zhvillimit të saj”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Pra, sipas tij, këta politikanë duhet të ikin, sepse me paditurinë dhe matrapazllëqet e tyre janë duke i stopuar proceset. 

“Madje edhe janë bërë bajat kur sa herë që e bëjnë punën bërllok na publikojnë disa foto në uniformë të UÇK-së apo me ndonjë hero që ka dhënë jetën për Kosovën ose ndonjë fotografi me presidentin Rugova apo ndonjë politikan të njohur perëndimor me theks të veçantë ata të ShBA-së. Pra, në një anë nuk lanë të zezë pa ia bërë Kosovës, e në anenë tjetër na kujtojnë se sa patriot janë. Unë në këso raste zakonisht ju reagoj me "edhe patriot edhe hajn nuk shkon bre - je ja hajn ja patriot, këto dyja e përjashtojnë njëra tjetrën". Tamam janë bërë si Ali Shukria dhe disa politikanë tjerë komunistë të viteve 80-ta, të cilët sa herë që dikush i kritikonte për mosdije ata fillonin të na flisnin për luftën anti naziste 1941-45”, potencon Driton Tali.

Duhanaj: Shqiptarët u ndanë në grupe interesash të ndryshme

Analisti politik, Leon Duhanaj thotë se, nëse ideja e lirisë dhe pavarësisë ka qenë e sinqertë dhe e vërtetë për të gjithë, ashtu siç edhe deklarohen, atëherë pas luftës, gjërat me siguri që do të shkonin shumë më ndryshe, por dhe shumë mirë.

Image
Leon Duhanaj

Por, për fat të keq, sipas tij, tek ne nuk shkuan gjërat siç duhet as në luftë e as pas luftës.

“Shqiptarët u ndanë në grupe interesash të ndryshme, me shumë gjasë nën ndikime të huaja e që u shfrytëzuar për ta minuar të ardhmen e vendit. Por, ka mjaftë ish ushtarë, të cilët më shumë nderë dhe shërbim do t'i bënin vendit, duke mos u kyçur në politikë fare, se sa me bartë barrën e përgjegjësisë. Barrë të cilën me gjasë disa nuk janë të aftë ta bëjnë, e disa as të denjë”, shprehet Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, Kosova, nuk do të këndellët deri atëherë kur në çdo vend kyç të udhëhiqet nga profesionistë.

“Shqiptarët, nuk po arrijnë të mësojnë nga historia fare. Njeriu duhet me qenë në shërbim të interesit të përgjithshëm, e jo ta kthej të përgjithshmen në interes të tij! Historia, është proces i pandalshëm dhe i gjatë, nuk besoj se do të ketë ndonjë shembull kur historia të fillojë dhe të mbaroj me individin. Ketë duhet ta heqin nga mendja disa që po e praktikojnë. Të kthejnë kokën kah drita e mos të qëndrojnë në terr duke na detyruar edhe ne si shoqëri e tërë të qëndrojmë në të”, thekson analisti Leon Duhanaj.

Burjani: Ky është dëmi më i madh i bërë deri më tani

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani pohon se, reformimi duhet të ndodh me një gjeneratë të re politike.

Sipas tij, largimi nuk është arsye e të keqes, por e ndryshimeve që duhet të bëhen, e këto ndryshime duhet të ndodhin në udhëheqje.

Image
Blerim Burjani

“Virtytet e liderëve të luftës janë mendësia teke, injoruese e fshehjes së paaftësisë së edukimit dhe demokratik. Gënjeshtra, mashtrimi janë pjesë e politikës e mbi të gjitha përfitimi i pa ndal dhe kontrolli i pasurive publik. Ky është dëmi më i madh i bërë deri më tani”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, Kadri Veseli nuk arriti asgjë deri tash të duket në PDK, me asnjë ndryshim që të i heq servilët e paaftë që fitojnë poste pa ditë asgjë për politika zhvillimore sektoriale.

“Pra, mjafton të jesh gënjeshtar si shef dhe mashtrues. Ka edhe njerëz të rinj në poste pa merita dhe pa përvojë që i ka angazhua Veseli. Pritet që Kadri Veseli të ishte më i sinqertë në reformë me i heq servilët dhe njerëzit që nuk kontribuojnë si Hashimi, si Kadriu iu kanë dhënë poste fiktive servilëve dhe kanë qeverisë vet poste të mëdha pa vendimmarrje dhe pa dije”, shprehet ai.

“Nuk mund të reformohet ky krah”

Sipas tij, këta pra, shiten si profesionistë, e në realitet gjë nuk kanë bërë kurrë me profesionin, duke shtuar se, është e çuditshme një politikë e tillë.

“Koha ka ndryshuar por PDK-ja jo, ajo mbetet problematike si parti zhvatëse e buxhetit edhe pse në qarqe ndërkombëtare flitet për strategji dalëse. Shumë njeriu sillet me çanta në PDK dhe lypin shefin me i shti në punë, me i bë drejtorë në ndërmarrje, me i dërgua në borde dhe me i çua në UP me i bë profesorë, dekan apo rektor. Pra e ka shkatërrua dijen dhe e ka sjell anarkinë dhe politikën korruptuese. Mashtrimi dhe jo sinqeriteti me opinionin publik është karakteristikë e Kadri Veselit”, thotë ai.

Koha e krahut të luftës në qeverisje, sipas tij ka shkuar që nga viti 2008 e kanë mbajtur nën kontroll të punësimit në administratën e shtetit, ndërmarrje publike etj.

“Nuk mund të reformohet ky krah që është i zhytur në paaftësi profesionale pa ndalë, duke injoruar inteligjencën, duke kontrolluar bizneset dhe njerëzit duke përfituar nga to. Përfshirja në vepra të mëdha penale, korrupsion dhe shumë gjëra tjera enigmatike e kanë humbur besimin tërësisht”, përfundon Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat